Shumica dhanë shpirt atë ditë në rrugë dhe në oborret e shtëpive të Gërdecit. Të tjerë në spital. Mes tyre, fëmijë.
Disa vranë veten pas dramave që erdhën më pas në jetën e tyre. Me ta, askush nuk u mor.
Disa bënë tregti me jetët e fëmijëve dhe familjarëve, me vrasësit e tyre. Të joshur nga paratë.
Zamira Durda as u dorëzua, as bëri kompromis me vrasësit, as vrau veten.
“Zoti më dha forcë dhe mjekja ilaçe për të vazhduar. Djali im sot do ishte 15 vjeç”, thotë ajo në këtë intervistë botuar në DITA, në 15 marsin e vitit 2016.
Zamira, kur kalon sot me makinë afër Gërdecit sheh që ai vend ka ndryshuar. Janë ndërtuar shtëpi të reja dhe duket sikur gjithçka ka shkuar në vend. Qeveria e kohës, gjykatat, dhanë dëmshpërblim për ndërtesat. Po jetët e humbura? Pse kështu?
Zamira Durda: Pse kështu?! Po edhe vendimi gjyqësor që u dha atëherë u rrëzua akuza e vrasjes dhe u provua shkatërrimi i pronës dhe i të gjithave. Gërdeci u rindërtua shumë shpejt. Ishin të shumtë njerëzit që patën dëme materiale.
Ne që patëm jetë të humbura ishim më pak. Qeveria e mëparshme e përdori këtë edhe për imazh që të dukej që Gërdeci u rimëkëmb, por në fakt kjo është e sipërfaqshme, sepse nga brenda Gërdeci është si molla e kalbur. Jetët e këtyre njerëzve nuk janë më si para 2008. Ata mund të jetojnë vërtet në ndërtesa më të mira, por ata nuk kanë një jetë më të mirë. Ata jetojnë si të trembur. Tremben edhe kur shpërthen një gomë makine.
DITA: Më vjen keq ta them, por ka një perceptim publik që banorët e Gërdecit bënë një kompromis. Nuk më pëlqen të përdor fjalët “ata bënë tregti me fatkeqësinë e tyre”, por pak a shumë është një paragjykim që për një pjesë të tyre ekziston… Ndryshe nga ju që ende prisni drejtësi…
Zamira Durda: U vu një barazpeshë e shtëpive të ndërtuara para viteve ‘90 dhe pas këtyre viteve. Njerëzit u joshën këtu dhe rendën të përfitonin ç’të mundnin. Shtëpitë që u shkatërruan ishin shtëpi të vjetra me qerpiç.
Njerëzit këtu u joshën dhe u bë ajo përçarja siç e ka zakon politika në Shqipëri. Me të drejtë dikush thoshte, unë nuk flas se kisha më pak dhe mora më shumë. U vu paraja në mes dhe ajo mbylli shumë gojë. Por po ta përsëris, ata nuk u bënë dot më njerëz normalë. Unë njoh fëmijë të stresuar. Madje edhe të rritur me probleme.
Nga e kupton diçka të tillë, çfarë shenjash kanë ata?
Zamira Durda: Një gjëmim dhe njerëzit tronditen. Një gomë pëlcet në autostradë dhe bëjmë Ohh.
Sa familje jeni tani që kërkoni dëmshpërblim për jetët e humbura. Jeni të gjithë ju apo ka edhe që janë dorëzuar?
Zamira Durda: Hiq familjen e baxhanakut të ish-kryeministrit dhe hiq familjen e Dvoranit (familje gjykatësi – shën.red), që e fitoi që në fillim dëmshpërblimin, që në vitin 2010, pjesa tjetër nuk e ka marrë gjyqin. Por nuk është dorëzuar.
A e dini pse nuk ka një kërkesë të tillë nga familja e baxhanakut të ish-kryeministrit?
Zamira Durda: Nuk di asgjë për këtë. S’e kam idenë.
Pse është fituar nga Dvorani dhe ju të tjerët jo?
Zamira Durda: Kalvari ynë ka qenë i gjatë. Që në fillim na veçuan. Ishim bashkë në Gjykatën e Lartë në 2009 dhe na veçuan. Pastaj nuk vazhdonte dot gjyqi civil deri kur të dilnin fajtorët. Në momentin që dolën fajtorët nisën praktika të reja.
Ishim të grupuar dhe na ndan veç e veç. Vazhdoi disa muaj kjo procedura e ndarjes. U hodh shorti për gjyqtarë çdo familje më vete. Disa muaj u shty për shkak se na u tha se do të ishte kompania amerikane që do shpërblente dhe nuk kishim mundësi njoftimi. Tjetër pengesë ishin taksat. Taksa 3 për qind për dëmshpërblimin e jetës, e cila ishte goxha e kushtueshme për ne familjarët.
Jemi përpjekur që të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për ta zgjidhur çështjen e dëmshpërblimit. Kemi gjetur refuzim për çdo gjë nga Ministria e Mbrojtjes, me të cilën kemi kërkuar ta zgjidhim edhe me pajtim dhe ajo nuk pranoi. E dërguam në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo e la në varësi të gjyqtarëve, që ta shqyrtojnë rast pas rasti në varësi të të ardhurave që ka çdo familje dhe le të themi që topi u kthye sërish tek gjykata.
Pati një moment që çështja po merrte drejtim në gjykatë dhe krejt papritur doli një urdhër që vendimet për institucionet e paditura duhen të kalonin në Gjykatën Administrative. Morëm dosjet i çuam në Gjykatën Administrative dhe kjo na hëngri tre muaj të tjerë. Një kalvar pafund.
Sot që flasim keni pasur një tjetër seancë. Ndonjë lajm të mirë?
Zamira Durda: Sot kishim një tjetër seancë në Gjykatën Administrative dhe avokati i Ministrisë së Mbrojtjes del e thotë se duhet rrëzuar kërkesa e familjarëve për dëmshpërblim nga MM, sepse ministria nuk është fajtore për shpërthimin. Më fal, po unë isha në shtëpinë time. Unë kë duhet të bëj fajtor?
Po sot MM drejtohet nga PS, ata dolën në protesta për Gërdecin. Si ka mundësi që MM e sotme nuk është palë me ju?
Zamira Gërdeci: Nuk e di. Këtë kërkesë të avokatëve të ministrisë e prita e revoltuar, por ata fundja bëjnë punën e tyre. Ajo që dua të them është se ne edhe kësaj Ministrie i jemi drejtuar për pajtim dhe kjo nuk ka ndodhur për shkak të taksave që janë tepër të larta dhe nuk pranojnë që t’i heqin. Kanë bërë vetëm një zbritje. Ja kemi kërkuar ministres, kryeministrit Rama dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Më çfarë argumenti mbrohet MM?
Zamira Durda: Këta kanë parasysh rastin Dvorani, ku MM u përjashtua nga dëmshpërblimi. Por Dvorani ka qenë punëtor, ka pasur kontratë me atë kompani. Unë kam qenë në shtëpinë time. Djali im u vra në shtëpi, duke bërë detyrat dhe s’ka pasur kontratë me askënd. Ministria e Mbrojtjes i dha urdhrat që dolën armatimet sheshit. Transporti bëhej me mjetet e ushtrisë.
Unë nuk njoh askënd veç shtetit tim. Atyre të tjerëve t’ju kërkoj llogari shteti. Unë nuk kam punë. Shteti im ka për detyrë të më mbronte, jo të më vriste djalin.
A shpreson tek politika e sotme?
Zamira Durda: Jo, nuk shpresoj. Ata e shohin sipas interesit të tyre.
Po besoj votoni sa herë ka zgjedhje parlamentare?
Zamira Durda: Po, sigurisht dhe kam votuar PS.
Do vazhdoni ta bëni?
Zamira Durda: Nuk kam ndonjë arsye, tashmë jam në atë pjesën gri të elektoratit.
A ju qetëson dëmshpërblimi nëse ju jepet?
Zamira Durda: Ajo që u bë nuk zhbëhet dhe nuk më qetëson. Këtë e bëj më shumë për të vënë drejtësi sipas ligjeve, por nuk ka qetësi për shpirtin tim.
Kam shumë shpresa që të paktën të vihet drejtësi dhe të paktën ata që kryen krimin të ndëshkohen, po edhe kështu… Merr jetë njerëzish dhe askush nuk ndëshkohet?! Të gjithë janë në shtëpitë e tyre. Të gjithë të pafajshëm…
Një nga pyetjet e Gjykatës së Strasburgut që i bëhet shtetit shqiptar, më pëlqen ta vë në dukje. Thuhet: A janë njoftuar banorët për demontimin në zonë dhe që kjo fabrikë paraqet rrezik? Le t’i përgjigjen kësaj pyetjeje ata. Kush na njoftoi ne?
Tashmë të gjykuarit për Gërdecin janë të lirë siç e thatë edhe ju. A ka pasur ndonjë përpjekje për ta zgjidhur çështjen në rrugë private?
Zamira Durda: Unë nuk kam takuar asnjëherë ndonjërin prej tyre. Po nuk e kam menduar ta bëj. Unë kam punë vetëm me shtetin tim, atij që i paguaj taksa.
Nuk ju është ofruar kurrë asgjë. As në ato fillime?
Zamira Durda: Patjetër që në ato fillime ka pasur nga ata zotërinj. Më është ofruar dhe mal me para, por nuk ka qenë dhe nuk është ky qëllimi im. Tërë botën të ma japësh nuk e dua. Zoti më ka dhënë forcë e mjekja ilaçe, që më mbajtën në këmbë.
Sot në gjykatë shpërtheva në lot, sesi më duket që po kërkoj unë dëmshpërblim. Kjo në fakt është thjesht një gjë e imja që nuk dua të fal, por bota s’më mjafton. Djali im do ishte 15 vjeç sot. Asgjë tjetër nuk e mbush atë boshllëk./Dita