Frroku, kur i hiqej imuniteti…
Ngjarjet u rrokullisën me një shpejtësi të çmendur. Mark Froku, deputet i qarkut të Shkodrës dhe kryetar i partisë kristiandemokrate e pa veten të përfshirë në një histori e cila trazoi gjithë politikën shqiptare dhe personzhet më të rëndësishëm të saj, kryetarin e kuvendit, kryeministrin, ish-kryeministrin, deputetë, prokurorë, gazetarë e protestues anoniomë që nuik dinin pse protestonin. Për rreth një muaj, historia e një atentati të presupozuar që kryetari i Kuvendit donte ta bënte ndaj deputetëve Doshi e Fufi u bë një histori ku secili nga të përfshirët, si të ishte në garë me tjetrin, prodhuan edhe lajme të mira, edhe çmenduri ekstreme. Vetë Marku e pa veten nga një mik i tradhëtuar, në një sajues të lajmit të atentatit dhe për më tepër, i përndjekur nga e shkuara e tij në emigracion, shkoi thellë e më thellë. Atij i hiqet imuniteti në 26 mars 2015. Por më pas, në 2 prill, askuza ndaj tij bëhet më e rëndë. Me imunitet të hequr ai arrestohet për shkak të ngjarjeve të vjetra në Belgjikë, nën akuzën e vrasjes. Java boton me shkurtime fjalën që ai mbajti në Kuvend për heqjen se imunitetit të tij.
Nga Lorenc Vangjeli
2 prill 2015
“Pas një jave ndodhem sërish në këtë vend me një akuzë tjetër nga prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Nëse në rastin e parë e pashë të arsyeshme të flisja nga karrigia e deputetit, tani jam në këtë foltore të shenjtë për t’ju sqaruar ju dhe të gjithë opinionin publik. Unë jam betuar jo vetëm si deputet, por dhe si malësor me rregullat e traditës dhe jo si ndonjë nga këta malësorët e ditëve të sotme. Pra, nuk kam kryer asnjë vepër penale, asnjë krim në jetën time. Unë nuk kam vrarë apo shtyrë asnjë njeri për të vrarë, apo për të kanosur njeri.
Po ashtu dua t’ju them… se nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga asnjë gjykatë shqiptare, belge apo në asnjë vend të botës. Unë kam respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si qytetar, si sipërmarrës, si politikan dhe si deputet në këto 18 muaj. Sot jam gati të shpjegoj dhe të sqaroj para zgjedhësve të mi dhe para të gjithë shqiptarëve të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje. Do të zgjatem paksa, por kini durim të më dëgjoni.
Është e vërtetë që më 1998-n unë kam emigruar drejt Belgjikës si të gjithë shqiptarët nga hallet tona dhe atje kam kërkuar azil politik. E vetmja rrugë për të siguruar një dokument në Bashkimin Europian ishte në atë kohë paraqitja si shqiptar i Kosovës, sepse shqiptarët e Kosovës në atë kohë vuanin gjenocidin e Millosheviçit. Pra, e vetmja mënyrë për të marrë një dokument ishte kjo. Pasi kam qëndruar rreth 4-5 muaj atje mua më është refuzuar qëndrimi, kam lënë Belgjikën dhe jam kthyer në vendin tim. Për herë të parë emrin e Aleksandër Kurtit e kam dëgjuar pas kësaj ngjarjeje që ndodhi. Unë dua t’i përcjell ngushëllimet e mia më të thella familjes Kurti. Bashkohem me dhimbjen e tyre dhe u garantoj se unë nuk kam asnjë lloj lidhjeje me këtë çështje. Trupi i pajetë i Aleksandrit u gjet nga policia belge më 5 mars të vitit 1999. Unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjikë në këtë kohë dhe nga kjo kohë deri në vitin 2004 unë nuk kam shkelur kurrë në atë vend. Këtë gjë unë dhe avokatja ime ua kemi bërë më se të qartë organeve belge.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në mars të vitit 2013 familja ime në prani të 24 burrave edhe 2 klerikëve i ka bërë “be” familjes Kurti dhe shumë nga ju e kuptoni shumë mirë se çfarë do të thotë “be” dhe çfarë do të thotë falje gjaku. Është një ndryshim shumë i madh dhe ftoj median ta përcaktojë mirë këtë çështje, sepse bërja be me 24 burra dhe falja e gjakut ka një ndryshim shumë të madh. Në këtë botë ka shumë njerëz be-rrejshëm, por familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti. Gjithashtu, edhe një herë do t’u lutesha të gjitha medieve që këtë informacion që ka sjellë Belgjika dhe që është futur në relacionin e prokurorisë ta verifikojë mirë, me saktësi. Nëse doni ta provoni, unë kam dhe pamje filmike dhe firmat e 24 burrave që kanë firmosur në këtë “be” që ne i dalim borxh kësaj familjeje dhe të gjithë burrave të krahinës. Edhe atëherë, edhe sot unë nuk i jam shmangur për asnjë moment përgjegjësisë ligjore, por për 16 vjet drejtësia dhe autoritetet belge nuk kanë gjetur as edhe një provë që të më fajësojnë. Po ashtu avokatja ime, Karinë Kuklet, e ka provuar para drejtësisë belge se unë nuk ndodhesha në atë kohë në territorin belg. Fatkeqësisht, këtu në Shqipëri, pa bërë asgjë, prokuroria dhe politika të bëjnë kriminel, trafikant, tutor dhe gjithçka.
Zotërinj deputetë,
Më lejoni të ndal në disa momente. Në vitin 2004 autoritetet belge më kanë thirrur si i dyshuar dhe unë për 2 muaj kam qenë i ndaluar atje dhe pas 2 muajsh jam liruar pa as edhe një kusht nga gjykata belge. Në vitin 2010 jam dënuar në mungesë 10 vjet dhe Gjykata e Lartë shpalli pavlefshmërinë e këtij dënimi duke më shpallur të pafajshëm dhe duke rikthyer çështjen. Prapë po e theksoj: edhe pas 16 vjetësh Prokuroria e Përgjithshme dhe drejtësia atje nuk ka mundur të gjejë qoftë edhe një provë sado të vogël ndaj meje.
Unë sot jam kryetar legjitim i Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë. Unë jam i ri në këtë parti, por dhe në politikën shqiptare. Shumëkush ia dedikon suksesin e kësaj partie Mark Frrokut dhe pasurisë që ka mbledhur Mark Frroku dhe familja e tij gjatë gjithë këtyre viteve në emigracion dhe në biznes. Në fakt unë kam i neveritur këto zëra dhe u kam dhënë përgjigjen thashethemeve. Shkodranët, pukjanët, dhe Malësia e Madhe kanë votuar Mark Frrokun dhe alternativën kristian demokrate, jo se Mark Frroku ka pasur para dhe është i pasur. Këtu ka dhe më të pasur se unë, dhe ata që ishin kandidatë atje ishin të pasur, sepse ishin në pushtet për 8 vjet dhe kjo nuk ka lidhje dhe nuk ka të bëjë fare me pasurinë dhe paranë.
Dhe në fakt pikërisht sot ata njerëz që shpifin dhe bëjnë politikë me akuzat ndaj meje dhe me hallet e mia nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vetëm shpifin, përbaltin figurën time dhe të familjes sime. Unë u jam nënshtruar gjithmonë ligjeve të shtetit shqiptar, kam hyrë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 duke plotësuar të gjitha kushtet për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Mandatin tim ma kanë dhënë sovrani Qarkut të Shkodrës, ma ka certifikuar KQZ-ja, kolegji zgjedhor. Vlefshmëria e mandatit tim është provuar në këtë Kuvend nga Komisioni i përkohshëm i Vlefshmërisë së Mandateve. Nuk jam futur në këtë parlament nga dritarja, por nga dera. Një milion vota ishin përgjigjja më e mirë për qeverisjen e kaluar.
Po e them nga kjo sallë e Kuvendit, kush kërkon të kriminalizojë këto vota, e ka shumë gabim. Nuk ka bankë, as bandë, që të blejë vullnetin e popullit për ndryshim. Këtë harrojeni! Kjo maxhorancë ka për detyrë të mbrojë votat që u kanë dhënë mbarë shqiptarët me 23 qershor. Humbësit duan ta bëjnë pis këtë. Duan ta helmojnë edhe politikën, duke kërkuar banditë në këtë parlament, por unë nuk lejoj askënd që t’u shesë shqiptarëve dekriminalizimin “si sapun për djathë”, duke përdorur kufomën time politike dhe duke hedhur baltë mbi figurën time, mbi zgjedhësit e mi dhe familjen time.
Nga kjo sallë, shpeshherë padrejtësia ka marrë fuqinë dhe e drejta arratinë. Në këtë sallë janë bërë shumë amnisti, pazare të pista, por unë nuk jam këtu për t’i bërë gjyqin ndokujt, por për të mbrojtur të drejtën time, dinjitetin tim. Kam reaguar kur u publikua lajmi për këtë çështje në mediat belge, në tetor të vitit 2014. Fillimisht kanë qenë artikuj thuajse me të njëjtin tekst, me standarde skandaloze në raport gazetaresk, të botuara në portale të një grupi mediatik të Belgjikës. Asnjë gazetar nuk më mori në telefon për të më pyetur. Dukej ashiqare se ishte një trafik i pastër mediatik. E konsideroj një shantazh të fëlliqur. I kam identifikuar autorët e këtij sulmi të paskrupullt. Gjithsesi, e kam sqaruar edhe politikisht këtë histori. Kush ka pasur vesh, e ka kuptuar.
Gjëja më e keqe është shkatërrimi i imazhit për personin që përfaqëson vullnetin e popullit në këtë sallë. Në fakt, nuk kam kërkuar mbrojtje as nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, as nga Kryeministri Edi Rama. Deputetëve të opozitës dua t’u them se as për një çështje, as për një tjetër, as për çështjen e vëllait tim, asnjëherë nuk kam qenë skllav i Kryeministrit, as i Kryetarit të parlamentit: unë jam skllav vetëm para Zotit dhe askujt tjetër.
Të nderuar deputetë, nuk jam këtu për t’ju kërkuar votën kundër kërkesës së prokurorisë. Po ju them të mos e fusni fare në rendin e ditës: nuk ka asnjë lloj problemi. Kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë do ta zgjidh të drejtën time vetëm me drejtësinë shqiptare apo gjykatën e Tiranës, gjykatën belge apo Strasburgun.









