“Të thyer” është titulli i filmit të ri të regjizorit Edmond Budina, i cili do ta ketë premierën në maj 2016, shkruan gazeta Shqip. Personazhi kryesor është Andi Budi, një politikan i ri i inkriminuar, i cili ka shitur gjithçka për të bërë karrierë. Interpretuar nga Laert Vasili, Andi është vetëm një nga personazhet e filmit të ri.
Dje, Budina ka bërë publike mbylljen e xhirimeve që kanë zgjatur vetëm 21 ditë, për t’ua lënë tashmë produktin e këtyre ditëve produksionit. I njohur për filma që rreken të shpjegojnë realitetin në Shqipërinë e këtyre viteve, filmi më i fundit i Budinës nuk ndryshon shumë në histori. Problemet e Shqipërisë së sotme, ato që çdonjëri prej nesh i sheh në jetën e përditshme, regjisori ka dashur t’i sjellë në një ekranizim. “Projekti i këtij filmi nis nga një ngjarje e sajuar, por që merr shkas nga realiteti i sotëm shqiptar. E atij realiteti që ne shpesh e quajmë si ndotje të ambientit, apo shpërbërja shpirtërore e shqiptarëve. Ishte një ngacmim i hershëm brenda meje, i cili më shtyu për ta zhvilluar dhe konkretizuar në një subjekt që më vonë mori formën e një skenari”, tha Budina.
Një film ku ndërthuret drama me komedinë, tregon pikërisht rënien shpirtërore të sotme. “Tetëmbëdhjetë vite ankthe burgu, nuk janë asgjë përpara mosmirënjohjes së njerëzve më të afërt, që shpërfytyrohen kur është fjala për përfitim, duke harruar që shkatërrimi i shpirtit e ambientit është humbje e rrënim së pari për vetë ata”, thotë Budina, duke dashur të tregojë se fenomeni i mosmirënjohjes është thelbi i filmit.
Jani, personazhi i filmit ka bërë 18 vjet burg. Kthehet nga Italia dhe nuk gjen askënd në shtëpi. Shtëpinë ia kanë shitur, nuk ka asnjë të dhënë për familjen e tij dhe nga fqinji i vet mëson se i biri është një nga njerëzit e fuqishëm e më të pasur politikanë të Shqipërisë së sotme. Por si do ta presë ai? “Unë mendoj, dhe jam i bindur që njerëzit që pasurohen shumë shpejt dhe bëhen shumë të pasur, asnjëherë pasurinë nuk mund ta bëjnë në mënyrë të ndershme. Edhe ky personazhi im, që është një politikan i fuqishëm, shumë i pasuruar, e këtë pasuri e ka bërë me punë jo të ndershme, në film zbulojmë një nga shkaqet, për të cilat mendoj që flitet shumë pak në Shqipëri, për sa i përket abuzimit që bëhet me ambientin. Shikojmë që në Shqipëri është ndërtuar në mënyrë pa kriter dhe për këtë tashmë natyra po hakmerret. Nuk flitet pothuajse fare për mbetjet toksike që fshihen nën tokë, nuk flitet pothuajse fare për mbeturinat që hidhen në det, në detin Adriatik”, thotë Budina.
Duke dashur t’i japë jetë mbrojtjes së ambientit, filmi është xhiruar i gjithi me dritë natyrale, duke qenë i pari film që xhirohet në këtë mënyrë. Budina e sheh filmin si një alarm ndaj shkatërrimit që po i bëhet çdo ditë e më tepër ambientit. “Kemi arritur ta realizojmë me pasionin e madh të njerëzve që marrin pjesë në këtë film, që edhe pse punuan me buxhete të vogla, shpresojmë që kemi sjellë një film të mirë”, thotë Budina. Në role në këtë film interpretojnë aktorët Nikolla Llambro, Laert Vasili, Ola Harizaj, Artan Islami, Sotiraq Bratko, Syrja Meçe, Ylli Trajçe, Rachele Laro, Ansa Rochi, Zamira Kita dhe Gerti Ferra.
Në këtë film ishte parashikuar të luante dhe aktori Marko Bitraku që u nda nga jeta pak kohë më parë. Ai u zëvendësua nga aktori Nikolla Llambro që sipas Budinës e interpretoi shumë mirë rolin që iu besua.
Filmi është një bashkëprodhim mes Qendrës Kinematografike, Maqedonisë dhe Italisë.
“Një film me një shpirt të fortë autoritar, me një vëmendje të theksuar ndaj jetës sociale”, tha kreu i QKK-së, Ilir Butka. QKK ka dhënë për këtë film rreth 20 milionë lekë.
SHQIP