Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano priti në takim një delegacion të Guardia di Finanzas, të kryesuar nga Giuseppe Arbore. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe domosdoshmëria për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.
Arbore i uroi Nano-s, suksese në detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje për realizmin e prioriteteve në interes të dy vendeve. Nga homologët u ofrua mundësia që oficerët e Policisë shqiptare të kryejnë trajnime në Shkollën e Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanzas.
Gjithashtu u ofrua që një përfaqësues i Policisë së Shtetit të vendoset në komandën e përgjithshme të Guardia di Finanzas, që do të sjellë koordinim dhe bashkëpunim më efikas mes dy policive.
I pranishëm në takim edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i cili vlerësoi bashkëpunimin e dy policive. Ai premtoi një mbështetje më të madhe të fqinjëve për Policinë e Shtetit. Në takim u ra dakord që në muajin nëntor të zhvillohet një konferencë e përbashkët ku do të prezantohen rezultatet e arritura gjatë 2021 në kuadër të monitorimit ajror për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
/a.r











