Policia e Shtetit ka sqaruar me anë të një dalje në publik, ngjarjen e rëndë në Laç ku u përfshi edhe deputeti i PS, Armando Prenga.
Shefi i komisariatit lokal të policisë, Nik Nikolla ka sqaruar se deputeti Prenga është arrestuar në kushtet e flagrancës. Ai sqaroi se Prenga është arrestuar por deri tani është provuar se ka qëlluar e plagosur me qytën e pistoletës shtetasin Gjok Cali. I pyetur, nëse Prenga ka plagosur njeri duke përdorur armën e zjarrit, Nikolla sqaroi se për këtë do të flasë ekspertiza, e cila është duke u zhvilluar.
Sipas tij, ngjarja, ku janë përdorur armë zjarri dhe mjete të forta, ka ndodhur jashtë ambjenteve të komisariatit të Kurbinit.
” Vendi i ngjarjes ku ka ndodhur konflikti ndodhet jashtë ambienteve të komisariatit të policisë Kurbin. Vendi i ngjarjes është administruar me prova filmike e fotografi. Armando Prenga ka plagosur me qytën e pistoletës shtetasin Gjok Cali. Ai akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje”, ka sqaruar Nikolla.










