Policia rajonale e Prizrenit të hënën ka bërë të ditur se ka ndërmarrë hetime preliminare lidhur me një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale me pamjet e përdhosjes së flamurit të Turqisë.
Përderisa zyrtarët policorë po punojnë për gjetjen e lokacionit se ku është bërë incizimi, në anën tjetër kanë reaguar deputetët e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, të cilët e kanë dënuar këtë akt dhe kanë kërkuar sjelljen e kryerësve para organeve të drejtësisë, shkruan “Koha Ditore”.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka pohuar se deri në momentin e raportimit hetuesit ende nuk kanë arritur që ta gjejnë lokacionin se ku ka ndodhur rasti i sipërpërmendur.
“Policia ka iniciuar hetime preliminare. Jemi në kërkim të lokacionit ku ka ndodhur rasti. Por deri tani nuk kemi arritur ta gjejmë atë lokacion.
Ende nuk e dimë nëse incizimi i përdhosjes së flamurit të Turqisë është bërë në Prizren apo diku tjetër”, ka thënë Berisha…(b.an)