Policia e Kosovës ka arrestuar 14 persona gjatë protestës së sotme të zhvilluar në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, i cili tha se janë arrestuar protestuesit që janë parë si më të dhunshmit.
Sa i përket deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili u pa në turmën e protestuesve, Kelani tha se nuk kanë reaguar për shkak se nuk kanë dashur ta tensionojnë situatën. Sipas tij, ata do të gjejnë momentin e duhur për ta arrestuar atë.
“Ne kemi vërejtur se Kurti ka qenë në turmën e protestës, mirëpo ne nuk kemi reaguar. Në ato momente kemi vlerësuar se për shkak të situatës dhe tensioneve që kanë qenë dhe në bazë të vlerësimeve tona policore do të gjendet momenti i duhur për të realizuar fletarrestimin ashtu edhe siç jemi të obliguar”, tha Kelani.









