Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e një personi të lidhur me vrasjen e Gazmend Çollakut dhe thotë se është pranë zbardhjes përfundimtare të ngjarjes.
40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës.
Për këtë vrasje, Policia e Durrësit nisi hetimet intensive dhe tashmë thotë se ka arrestuar shtetasin Denis Shtraza, 33 vjeç. Shtraza dyshohet si njëri prej autorëve të rrëmbimit dhe më pas vrasjes së Gazmend Çollakut, si dhe pjesë e një bande kriminale që operon në Durrës dhe Tiranë.
Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor pranë hyrjes së Portit të Durrësit.
Çollaku u mor peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij.
Çollaku rezulton një person me precedentë penalë. Në 2 mars të 2008-ës, pas një sherri banal mes të rinjsh në disko “Riviera” në lagjen numër 1 të Durrësit, Gazment Çollaku plagosi rënë me armë zjarri shtetasin Kreshnik Balla. Ai u kap pas disa muajsh arratie në një apartament në plazhin e Golemit.
Për këtë vepër penale si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, Gjykata e Durrësit e dënoi në shkurt të vitit 2009 me 2 vite e 4 muaj burgim. Vetëm një vit më pas, në mars të 2010, Çollaku në gjendje lirie arrestohet dhe dënohet me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
Në rastin e plagosjes, prokuroria e akuzoi edhe për falsifikim dokumentash pasi në banesë iu gjetën karta identiteti dhe patenta italiane false, por gjykata nuk i vlerësoi si provë për ta dënuar për shkak se nuk provohej përdorimi i tyre.
Policia po punon për zbardhjen e krimit të rëndë dhe po kryen hetime mbi të shkuarën kriminale të Çollakut. Pista kryesore e krimit mbetet ajo e larjes së hesapeve, ndërkohë që materialet në ngarkim të 33-vjeçarit Shtraza i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë. TCH