Polici turk që gjeti dyvjeçarin e mbytur: Momentet e vështira kur mbajta në krahë Aylanin
Punonjësi i xhandarmërisë, Mehmet Çiplak shpjegon momentet teksa mbajti në krahët e tij trupin e pajetë të fëmijës dyvjeçar sirian, Aylan, i cili humbi jetën si pasojë e përmbysjes së gomones ku kishte hipur së bashku me familjen për të vajtur në mënyrë ilegale në Evropë duke u larguar nga Siria për shkak të luftës civile, raporton Anadolu Agency (AA).
”Në orën 04:00 të së mërkurës, një qytetar telefonoi në linjën e emergjencës së xhandarmërisë dhe tha se në afërsi të rajonit Akyarlar Fenerburnu ishte mbytur një gomone me refugjatë dhe se në breg kishte trupa të pajetë”, thotë Çiplak.
”Pas udhëzimit të prokurorit për hetimin e vendit të ngjarjes, vajtëm menjëherë atje rreth orës 05:00. Kur mbërritëm në vendngjarje aty ishin të pranishëm një grup qytetarësh, ndërsa kur u afrova në breg pashë trupin e pajetë të Aylanit, që qëndronte shtrirë përmbys në breg teksa trupi i goditej nga dallgët”, shton ai.
”Pasi u afrova pranë trupit të Aylanit… u përpoqa të gjeja shenja jete. Por, fatkeqësisht nuk munda të gjeja ndonjë shenjë që të më tregonte që ishte në jetë. U mërzita shumë. Kur pashë Aylanin, fillimisht më erdhi në mendje djali im”, thotë Çiplak.
Ai ka theksuar se ngjarja është aq e dhimbshme dhe tragjike sa nuk mund të përshkruhet.
“Ndonjëherë njerëzit bëhen kuriozë t’i afrohen një trupi të pajetë. Por, pa më ardhur në mendje kjo gjë, përtej detyrës si zbatues i ligjit, ndodhesha në përjetimin që mund të ndiejë një baba që përqafon fëmijën e tij. Trupin e lehtë si një zog për në funeral për të kryer autopsinë e transportova me rëndesën e vështirësisë që një baba mund të transportonte trupin e pajetë të fëmijës së tij”, thotë ai.
Çıplak, ka theksuar gjithashtu se kur mori në krahë trupin e Aylanit as nuk i kishte shkuar ndërmend se ajo pamje do të bënte xhiron e botës.
”Si munde ta transportoje gjithë atë barrë të rëndë, më pyesin të gjithë për Aylanin”, përfundon punonjësi i xhandarmërisë turke, Mehmet Çiplak./Anadolu Agency









