Qendra e Studimeve Albanologjike, e vetmja e këtij lloji në vend, në pak kohë u është nënshtruar ndryshimeve të mëdha, që nga emri deri tek autoritetet drejtuese.
Këto nuk janë pritur aspak mirë nga studiuesit, të cilët e cilësojnë si “puçin e verës”. Zgjedhja dhe emërimi i drejtuesit të ri të Qendrës së Studimeve Albanologjike për historianin, prof. dr. Pëllumb Xhufi s’është tjetër, veçse një “grusht qesharak gushti”. Në një intervistë për gazetën, profesori sqaron arsyet se përse këto zgjedhje janë antiligjore dhe deri ku duhej të shkonin kompetencat e ministres, që ndërmori iniciativën për ndryshime të tilla.
Prof. Xhufi, mund të na thoni ç’po ndodh me QSA-në?
Po ndodh ajo që ndonjë person i ardhur me mbështetje politike në krye të atij institucioni u përpoq të shfrytëzojë “boshllëkun e pushtetit” të kësaj vere postzgjedhore për t’u riafirmuar në mënyrë antiligjore e të pamoralshme në postet drejtuese të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Për këtë qëllim, në marrëveshje politike me ministren “teknike”, zonjën Karabina, organizuan në mesin e muajit gusht(!) zgjedhjen e organeve drejtuese të Qendrës e të instituteve që bëjnë pjesë në të.
Në gjykimin tuaj, a duhet të ishin mbajtur zgjedhjet në këtë periudhë?
Jo vetëm zgjedhje të tilla nuk duhet të ishin mbajtur në atë ditë të nxehtë vere, më 14 gusht, kur të gjithë punonjësit shkencorë të asaj qendre janë me pushimet vjetore. Por ato zgjedhje nuk do të ishte dashur të bëheshin fare. Reforma e vitit 2007 e qeverisë Berisha, veç mynxyrës që solli në organizimin e arsimit të lartë, i shtriu duart edhe në kërkimin shkencor. Në këtë kuadër, institutet elitare të Historisë, Arkeologjisë, Antroponimisë, Gjuhë-Letërsisë e të Arteve u shkëputën nga Akademia e Shkencave dhe degraduan në një “qendër ndëruniversitare” me statusin e një institucioni të arsimit të lartë. Në krye të tyre u vunë persona të emëruar politikisht, të cilët, nën shembullin e dekanëve e të rektorëve të shumëpërfolur të universiteteve, nga njëra anë u kujdesën më së shumti të siguronin ndonjë privilegj e të ardhur suplementare për veten dhe për ndonjë “nënbishtor” të tyre (neologjizma për këtë kategori intelektualësh është e prof. Rexhep Qoses).
Nga ana tjetër, kujdesi i tyre ishte ta mbanin veprimtarinë e Qendrës së Studimeve Albanologjike brenda kufijve të paracaktuar nga politika. Mjafton të kujtoj historinë e një nënbishtori të tillë, i cili përpara viteve 1990 u bë doktor i shkencave, duke shkruar për heroizmat e partizanëve dhe për tradhtitë e ballisto-zogistëve, dhe pas viteve 1990 u bë profesor i shkencave, duke shkruar për heroizmat e ballisto-zogistëve dhe për tradhtitë e komunistëve! U rropat, i ziu, t’u bëjë qejfin shefave politikë, duke sokëllitur se Shqipëria nuk u çlirua më 29 nëntor, siç thoshin historianët “komunistë”, por u çlirua më 28 nëntor, siç e donte Saliu dhe siç e provonin “historianët” Uran Butka e Çelo Hoxha.
E pra, duke parë këtë rënie klasi, që nuk ka të bëjë vetëm me Institutin e Historisë të QSA-së, dhe që nuk ka të bëjë vetëm me nënbishtorë, si ky që sapo përmendëm, qeveria Rama vendosi që QSA-ja të riorganizohej mbi bazën e një ligji të posaçëm, që do ta shkëpuste atë nga institucionet e arsimit të lartë e do ta kthente në një qendër vërtet të pavarur dhe elitare të kërkimit shkencor. Drejtorët e QSA-së e dinë fort mirë se, kur në muajin prill të këtij viti ata i kërkuan Ministrisë së Arsimit e të Sporteve të zhvilloheshin zgjedhjet edhe në QSA si në të gjitha qendrat universitare, kjo u përgjigj se QSA-ja ishte në pritje të një statusi të ri, të rregulluar me ligj të posaçëm, dhe nuk do të duhej të përfshihej në procesin zgjedhor. Në fakt, zgjedhjet nuk u zhvilluan, të eturit për “zgjedhje demokratike” u tërhoqën deri sa ardhja aksidentale e një ministre “demokrate” në krye të Ministrisë së Arsimit e Sporteve, u ngjalli shpresën dhe u dha guximin të organizojnë atë që mes studiuesve të QSA-së quhet me shpoti “puçi i verës”.
Sipas jush, i takonte ministres teknike të Arsimit të ndërmerrte një iniciativë të tillë?
Shikoni, le të përpiqemi të jemi korrektë me terminologjinë. Personalisht, do ta konsideroja një ministër teknik kolonel Dritan Demirajn, e njoh personalisht, njoh karrierën e tij të shkruar me mund, djersë e rrezik jete, njoh librat e tij të merituar mbi problemet e sigurisë kombëtare dhe asaj globale dhe, mbi të gjitha, vlerësoj angazhimin e përkushtimin e tij në këta pak muaj në luftën kundër lëndëve narkotike dhe përdorimit të të ardhurave të dala nga trafikimi i tyre në funksion të kushtëzimit të rezultatit zgjedhor. Ky ishte kuadri i veprimeve i z. Demiraj, i dakordësuar nga marrëveshja Rama-Basha. Me aq sa mundi, ai u angazhua edhe në përballimin e emergjencës së tmerrshme të kësaj vere, asaj të zjarreve, dhe për këtë nuk ishin të nevojshme termat e marrëveshjes Rama-Basha: atë detyrë z. Demiraj e përballoi me bindjen e një ushtaraku, qytetari e shtetari të përgjegjshëm, dhe për këtë meritoi simpatinë e kujtdo, besoj edhe të Kryeministrit Rama. Ky u tregua fair kur vlerësoi pozitivisht kontributin e ministrave “teknikë” të PD, dhe gjykoj se nga lartësia e pozitës së tij, bëri mirë. Por ne të tjerëve, nga “vogëlsia” jonë, na lejohet të bëjmë dallimet e duhura dhe të jemi më “të pamëshirshëm” me ndonjërin prej tyre, dhe ky, mendoj, është rasti i zonjës Karabina.
Detyra e saj ishte të siguronte mospërfshirjen e personelit arsimor në fushatën zgjedhore dhe hartimi i një raporti informues “teknik” lidhur me këtë çështje. Por, siç u pa, zonja Karabina, në ujdi me ndonjë drejtor politik të QSA-së, e sigurisht në zbatim të urdhrave politikë të partisë së saj të referencës, shpalli organizimin e paligjshëm të zgjedhjeve në QSA, vendosi ndryshimin butaforik të emrit të saj në “Akademi Albanologjike”, ndërhyri brutalisht në rikonfigurimin antiligjor të bordeve universitare, procedoi në emërime e çemërime kuadrosh, etj. Madje, si për të treguar se nuk ia bën syri tërr, trimëresha prej Lushnje qëlloi edhe drejt objektivave të tjerë, që nuk kanë të bëjnë me arsimin. “Teknikja” e Rrugës së Durrësit shushati opinionin mbarë, kur i hoqi veshin publikisht ministrit homolog të Arsimit të Kosovës, i cili nuk paskësh marrë masat e duhura për t’i siguruar zonjës në fjalë dhe shqytarëve të saj rehatinë e merituar, hotelin me 5 yje, gjatë një qëndrimi të saj, për më tepër të paautorizuar, në Gjakovë. Mjerë ne! A thua se pas betejave absurde me tarifa doganore, me qumësht, tulla e patate, me Kosovën na mungonte edhe një betejë e fundit, ajo me karabina e pisqolla!
A funksionon QSA-ja sipas ligji të ri të arsimit të lartë?
Aspak. Ligji i ri i arsimit të lartë, ai i vitit 2015, e përjashton shprehimisht nga suaza e veprimit të tij Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe institucionet e tjera të mirëfillta të kërkimit shkencor. Këto do të riorganizonin strukturën dhe veprimtarinë e tyre mbi bazën e një ligji të posaçëm, për të cilin janë krijuar nga qeveria edhe dy grupe të posaçme pune. Për veprimtarinë e tyre, drejtuesit pa mandat të QSA-së kanë qenë fort mirë të informuar. Megjithatë, vendosën të shfrytëzojnë hutinë paszgjedhore, vapën dhe Karabinën e partisë për të kryer një grusht qesharak gushti. Sigurisht, në zbatim të një urdhri politik nga kabina e PD-së, e cila me këtë rast synon t’i shtojë edhe një arsye të paqenë sherri axhendës së saj të hallakatur opozitare.
A kishte shkelje ligjore procedura e zgjedhjeve në QSA?
Pa dyshim, përderisa zgjedhjet në QSA u kryen mbi bazën e ligjit të vjetër të vitit 2007, dhe jo të ligjit në fuqi prej vitit 2015. Jam i bindur se zyra e ligjshmërisë e Ministrisë së Arsimit do të gjejë një pafundësi sjelljesh antiligjore të zonjës Karabina e të vetë drejtuesve të QSA-së. Por, nuk është as në tagrin dhe as në aftësitë e mia të merrem me to. Ajo çka më së shumti na lëndon mua e shumë kolegëve të mi, është degradimi dhe dalja nga shinat e QSA-së, si qendra e vetme e specializuar në hulumtimin e historisë, gjuhës e kulturës kombëtare. Për sa i përket më specifikisht Institutit të Historisë, mund të them se në këta 25 vjetët e fundit janë lënë të dobësohen, të meken e të kalojnë deri në shuarje departamente, si ai i Historisë së Mesjetës dhe i Historisë së Rilindjes, të cilët kanë qenë, dhe duhet të jenë, shtyllat mbajtëse të një instituti albanologjik, siç meriton të jetë Instituti i Historisë i QSA-së.
Gjatë kësaj kohe, drejtues të emëruar, të paditur dhe egoistë të QSA-së, e kanë kthyer këtë institut në një institut të studimeve zogiste, komuniste e postkomuniste, apo në një institut çfarëdo të studimeve ndërkombëtare. A thua se nuk ekzistojnë një mori universitetesh e institucionesh të tjera, që mund t’i trajtojnë, dhe e kanë për detyrë t’i trajtojnë, edhe më mirë se Instituti i Historisë, çështjet që lidhen me politikën e jashtme të shtetit shqiptar, me historinë e periudhës midis dy luftërave botërore, me historinë e Luftës II Botërore dhe me atë pasardhëse të luftës së ftohtë. Duhet thënë se devijime të tilla nga veprimtaria shkencore e Institutit të Historisë janë realizuar duke ndjekur humoret e politikës dhe rreshtimin e ditur politik të ndonjë drejtuesi, në injorim të plotë të forumeve shkencore të institutit./Panorama/