Shën Korona, është një nga shenjtoret më pak të njohura të Krishtërimit. Dhe ndoshta do të vazhdonte të ishte kështu, po të mos ishte shfaqur pandemia e koronavirusit, që e risolli në vëmendjen e njerëzve këtë shenjtore të harruar nga shumica.
Ndërsa njerëzimi po përballet me një sëmundjeje të re të tmerrshme, disa njerëz i kanë varur shpresat e tyre tek shkencëtarët për një shpikje apo për një zgjidhje mjekësore që do të frenonte sëmundjen, ndërsa të tjerët luten për një ndërhyrje hyjnore, dhe kanë në fokusin e lutjeve të tyre Shejtoren Shën Korona, për të kryer një mrekulli.
Sidoqoftë, për shumëkënd Shën Korona mbetet një figurë enigmatike, me shumicën që refuzon të besojnë se dikur ka ekzistuar vërtet një shenjtore mbrojtëse ndaj epidemive, aq më tepër me një emër kaq të ngjashëm me pandeminë shkatërruese të koronavirusit, që po terrorizon prej muajsh mbarë botën.
Gjithsesi, ndonjëherë një pyetjeje nuk mund t’i jepet vetëm një përgjigje e prerë po ose jo. Ajo duhet të kuptohet vetëm duke shqyrtuar nga afër historinë që prodhoi faktet, e cila duket më shumë si një histori legjendare sesa reale. Biografia e Shën Koronës merret me faktet që supozohet se kanë ndodhur afro 1850 vjet para pandemisë aktuale të koronavirusit.
Historia e Shën Koronës, fillon diku në gjysmën e dytë të shekullit II te Erës Sonë, kur Krishterimi nuk ishte ende një fe dominuese, dhe kur të krishterët përballesin me persekutime të shpeshta nën perandorisë romake, vetëm pse kishin një besim që nuk njihej nga udhëheqësit e feve kryesore të kohës.
Perandoria Romake nën drejtimin e perandorit Mark Aurel ishte relativisht e qëndrueshme, dhe vetë perandori konsiderohet nga shumë studiues si perandori i fundit i ‘Pax Romana’, “Paqes Romake”, dhe nënkupton paqen dhe prosperitetin relativ të kohës. Megjithatë, paqja nuk është kurrë një dukuri absolute.
Në periudha të tilla, midis shumë tregimeve që lanë gjurmë në historinë e kohës, një nga rrëfimet që bie në sy është ai mbi Shën Viktorin dhe Shën Koronën. Ngjarjet ndodhin në Siri në vitin 170 pas Krishtit. Në atë kohë, Shën Viktori ishte një ushtar romak (me prejardhje italiane), por që praktikonte Krishterimin në fshehtësi.
Një ditë u kap nga romakët e tjerë, dhe u nxor para gjyqit pse ndiqte doktrina fetare që ishin rreptësisht të ndaluara nga Perandoria Romake. Në atë kohë, drejtësia romake nuk tregonte aspak mëshirë për fajtorët, sidomos për ata që ndiqnin Krishterimin.
Fati i Viktorit u vulos që kur nxor para një gjykatësi të quajtur Sebastian, që shquhej për urrejtjen dhe përçmimin e tij të madh ndaj të krishterëve. Sebastiani vendosi t’i japë një dënim që të shërbente si shembull për të gjithë ata që do të guxonin të kundërshtonin Perandorinë Romake.
Sebastiani vendosi ta ndëshkojë Viktorin në një shesh publik. Ai u lidh pas një shtylle dhe u rrah derisa lëkura nisi t’i varej nga trupi. Sebastiani mizor urdhëroi pastaj që Viktori të verbohej, dhe kështu u bë. Pavarësisht gjithë torturave, Viktori refuzoi të heqë dorë nga feja e tij.
Në atë moment, Shën Korona (në atë kohë Korona), që ishte e pranishme në shesh dhe po shihte ngjarjen e tmerrshme, u prek shumë që një kristian i pafajshëm, po i nënshtrohej një brutaliteti aq të madh nga ushtarët e pashpirt romakë. Korona ishte në atë kohë një vajzë e re 16-vjeçare, dhe gruaja e një kolegu të Viktorit, që gjithashtu ndiqte në fshehtësi Krishterimin.
Ajo u afrua, nisi ta ngushëllonte dhe të lutej për të, dhe në të njëjtën kohë deklaroi para të gjithëve, se edhe ajo ishte një e krishterë krenare. Korona u arrestua menjëherë dhe u dërgua përpara gjyqtarit famëkeq Sebastian, që u tërbua nga inati me kthesën që kishin marrë ngjarjet.
Sebastiani nuk e mori aspak në konsideratë moshën e re të Koronës, apo faktin që ajo ishte femër. Për të mjaftonte që ajo ishte një e krishterë që e kishte kundërshtuar,prandaj meritonte ndëshkimin më të rreptë. Sidoqoftë, dënimi që dha për të, do të tmerronte edhe burrat më të guximshëm.
Sebastiani urdhëroi që majat e 2 palmave, të ndodhura ngjitur njëra-tjetrës, të përkuleshin drejt tokës me forcë, dhe të mbaheshin ashtu të lidhura me litarë. Pastaj ai urdhëroi ushtarët e tij t’i lidhin të dy krahët e Koronës me majat e përkulura të pemëve. Më pas, urdhëroi ushtarët të prisnin litarët.
Dy majat e palmave u kthyen me forcë në pozicionin e tyre, dhe forca mjaftoi për të shqyer trupin e Koronës, duke i shkaktuar asaj një vdekje tepër të dhimbshme. Viktorit, që ishte ende gjallë, iu pre koka me urdhër të Sebastianit. Eshtrat e Shën Koronës dhe Shën Viktorit u çuan në shekullin IX në një bazilikë në qytetin italian Anzu, ku ndodhen ende sot, duke frymëzuar besimtarët.
Festa e Shën Koronës mbahet çdo vit më 14 maj (së bashku me atë të Shën Viktorit). Shën Korona festohet veçanërisht në Austri dhe pjesë të Bavarisë në Gjermani. Shën Korona respektohej dikur si shenjtorja mbrojtëse e gjuetarëve të kafshëve, por edhe gjuetarëve të thesareve.
Por pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në fund të vitit 2019 dhe përgjatë vitit 2020, ajo është përmendur në lajme si shenjtorja mbrojtëse nga pendemia. Shën Viktori dhe Shën Korona, u njohën si Shenjtorë, shumë kohë përpara se të standartizohej procesi i kanonizimit në Kishën Katolike.
Disa burime thonë se kur vdiqën Korona dhe Viktori, nga qielli zbritën 2 kurora për dy shpirtrat e pastër. Por studiues të tjerë besojnë se emri Korona – që në latinisht do të thotë Kurorë – i referohet kurorës së dëshmorit që mori Shën Korona pas ngjitjes së saj në parajsë.
Pandemia e koronavirusit, ndaj termin “korona” në emër të virusit. Kjo për shkak se kur shihen në mikroskopin elektronik, këto viruse kanë një projeksion karakteristik në formën e kurorës që rrethon virusin.
Por mbi ngjarjen në fjalë, ka ende dyshime dhe spekulime. Edhe pse shumica e burimeve besojnë se ajo ka ndodhur në Siri, të tjerë thonë se të gjitha ngjarjet në fjalë kanë ndodhur në Antioki. Reliket që ndodhen sot në bazilikën e Anzu-së u ekzaminuan në vitin 1943, dhe sërish në vitin 1981.
Nga ekzaminimet u vërtetua se eshtrat i përkasin një mashkulli dhe një femre. Ekzaminimet e vitit 1981, treguan praninë në eshtra të polenit të drurit të kedrit. Dhe hulumtimet e mëtejshme, zbuluan se ato duhet të kenë origjinën në Siri ose Qipro.
Këto prova mbështesin historisë popullore të Shën Koronës, që besohet nga njerëzit. Ndërkohë burimet greke pretendojnë se ngjarjet ndodhin gjatë mbretërimit të Perandorit Antoninus (138-161 Pas Krishtit), ndërsa burimet kopte thonë se ngjarjet kanë ndodhur gjatë mbretërimit të Dioklecianit (284 -305 Pas Krishtit).
Edhe marrëdhënia midis Viktorit dhe Koronës, ndryshon në varësi të burimeve. Disa burime pretendojnë se Korona nuk ishte gruaja e një kolegu të Viktorit, por gruaja e tij; dhe se çifti u vra bashkë për shkak të besimit të tyre. Disa institucione katolike, pohuan se lutja ndaj Shën Koronës kundër pandemisë aktuale, ishte vendimi i duhur i besimtarëve, dhe ajo mund të ndihmojë në sigurimin e një zgjidhjeje në një situatë të vështirë. / guidebooktolife – bota.al
g.kosovari