Zv/ministrja e Shëndetësisë sqaron në këtë intervistë punën e dikasterit të saj dhe sesi Ministria e Shëndetësisë po punon për të krijuar një situatë konkurruese midis ofruesve dhe nuk do të ketë situatë monopoli, pasi, siç deklaron ajo: sistemi i laboratorëve publik përbën një komponent kyç të sistemit të shëndetit publik.
Nga Skënder Minxhozi
Mesa duket sektori i shëndetësisë është i destinuar të shkaktojë debate të forta në shkallë kombëtare, ndoshta edhe sepse bëhet fjalë për elemente sensitive të këtij sistemi, të cilët japin impakt në jetën e njerëzve. A mund të na shpjegoni ç’po ndodh me shërbimin laboratorik publik?
“Dëshiroj të theksoj se Ministria e Shëndetësisë është angazhuar plotësisht për të përmirësuar sistemin shëndetësor publik të vendit tonë. Diagnostikimet laboratorike janë çelësi i ofrimit të shërbimeve me cilësi të lartë mjekësore për popullatën e Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë kërkon të iniciojë nisma për përmirësimin, standardizimin dhe harmonizimin e shërbimeve laboratorike për publikun. Ministria e Shëndetësisë i konsideron shërbimet shëndetësore publike një të drejtë jetike për të gjithë shqiptarët. Pikërisht për këtë arsye Qeveria Shqiptare po punon shumë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor publik. Projekti i laboratorëve është pjesë e kësaj përpjekjeje për reformën që synon zgjerimin e qasjes në kujdes shëndetësor dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.
Në këtë kuadër ajo ka ndërmarrë iniciativa për të analizuar pengesat në shërbimet e laboratorëve spitalor rajonal dhe universitar. Projekti i laboratorëve është pjesë e përpjekjeve për të çuar përpara reformën në shëndetësi që synon zgjerimin e qasjes në kujdes shëndetësor dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve spitalore në të gjithë vendin. Sektori i shëndetësisë, në vitin 2014, ka qenë sektori i dytë më i madh për PPP-të në Evropë, si për nga numri i projekteve ashtu dhe i vlerës. Qeveritë Evropiane e konsiderojnë angazhimin e sektorit privat për të lehtësuar qasjen në kapital e teknologji, për të shpejtuar përhapjen e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe për të rritur efikasitetin nëpërmjet modeleve të ndarjes së riskut, tenderimit ndërkombëtar dhe kontratave bazuar në performancë. PPP-të nuk janë privatizim, pasi operatori privat punon në emër të Qeverisë dhe sistemit të shëndetit publik. Në fund të projektit të PPP-ve të gjitha pasuritë do i mbeten përsëri Qeverisë”.
Çfarë situate kemi sot në shërbimin laboratorik publik?
“Aktualisht rreth 50% e testimeve laboratorike në rang kombëtar realizohen në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” Tiranë. Numri i testeve laboratorike që ofrohet aty është rreth 70 lloje, ndërsa në spitalet e tjera rajonale jo më shumë se 30 lloje testesh. Mungon një sistem mbledhje dhe përpunimi të dhënash mbi llojet e testeve dhe të lidhura këto me nozollogjitë e ndryshme të pacienteve. Në pjesën më të madhe të spitaleve rajonale testet kryhen në mënyrë manuale, pasi mungojnë pajisjet e përshtatshme për kryerjen e tyre në mënyrë automatike. Gati në të gjitha spitalet rajonale dhe universitare laboratorët e shërbimit janë të pa akredituar nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore dhe mungon plotësisht sistemi i brendshëm dhe i jashtëm i matjes së cilësisë.
Spitalet tona rajonale dhe universitare duhet të sigurojnë nga buxheti i tyre vjetor nevojat për reagente, kite dhe kimikate. Por në strukturën buxhetore të spitaleve ky buxhet varion nga më pak se 1% deri në 15% të buxhetit total. Mungesat buxhetore dhe planifikimi jo i plotë sjellin për pasojë uljen e numrit të llojeve të testeve laboratorike si dhe uljen e volumit të kryer , kështu ofrojnë një shërbim të cunguar për pacientin.
Përgjithësisht rezulton se i jepet prioritet pacientëve jo spitalor ndërsa ata spitalorë referohen në sektorin privat. Kjo situatë rrit shumë pagesat nga xhepi për shërbimet laboratorike që duhet në parim të jenë përfshira në skemën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor”.
Çfarë pritet të krijojë kjo reformë në funksion të cilësisë së laboratorëve dhe tarifave që ato do të aplikojnë?
“Në këtë fazë, konsulentë nga Grupi i Bankës Botërore dhe IFC po kryejnë një vlerësim të detajuar të shërbimeve aktuale dhe po mbledhin të dhëna mbi mundësitë e shërbimit, burimet njerëzore, buxhetet, standardet, etj. Rezultatet e këtij vlerësimi do të sigurojnë informacionin bazë që do na ndihmojë të hartojmë sistemin optimal të ofrimit të shërbimeve.
Ministria do të punojë për të krijuar një situatë konkurruese midis ofruesve dhe nuk do të ketë situatë monopoli, sepse ajo beson që sistemi i laboratorëve publik përbën një komponent kyç të sistemit të shëndetit publik. Laboratorët publik i shërbejnë politikave të Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e cilësisë dhe përmirësimin e shëndetit të popullsisë. Grupi i Punës, mbasi të mblidhen të dhënat e para dhe të dalin konkluzionet fillestare takohet për të diskutuar mbi to, si dhe mbi modelet e PPP që mund të ndërtohen bazuar në situatën konkrete në vend. Kur ekspertët dhe grupi i punës të kenë rënë dakord për disa modele këto do të diskutohen edhe me përfaqsuesit e palëve të interesuara. Ky proces do të përfundojë deri në 30 shtator 2015.
Synohet që të vendosen rregulla të qarta e të standartizuara gjatë kryerjes së testimeve, të cilat të garantojnë standarde më të larta në cilësinë e kryerjes së analizave laboratorike, cilësi të garantuar në çdo kohë të kiteve dhe reagenteve, ruajtje të tyre sipas procedurave dhe standardeve të vendosura. Synohet të unifikohet ekzistenca e departamenteve të pranimit të cilat do të shërbejnë për pranimin e mostrave, që të mundesohet kryerja e një kontroll të hollësishëm mbi çdo mostër për rregullsinë e barcodeve, sasinë e lendës dhe kualitetin e materialit biollogjik. Në mënyrë periodike gjatë ekzaminimeve të kampioneve do të kryhen të gjitha kalibrimit sistematike për aparaturat që realizojnë analizat”.
A nuk është momenti që të ketë gjithashtu edhe një kontroll më rigoroz mbi strukturën e laboratorëve privatë, mbi cilësinë e analizave që ato kryejnë dhe zbatimin e standardeve të kërkuara?
“Në kuadrin e zgjerimit dhe fuqizimit të sektorit privat, del domosdoshmëri të rritet kontrolli mbi strukturën e laboratorëve privatë, mbi cilësinë e analizave që ato kryejnë dhe zbatimin e standardeve të kërkuara. Ky kontroll që do të kryhet nga Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror do të realizojë studimin e situatës dhe të përmbushjes së nevojave në rang vendi me shërbimin e laboratoreve, duke e parë shërbimin privat si komplementar të atij publik. Vlen të theksohet që ky sektor numerikisht është rreth 4 herë më i madh se sektori publik dhe se gjithashtu ky sektor proçeson 24 herë më shumë lloje testesh se sektori publik”.
Dalim në një temë tjetër. Së afërmi është njoftuar testimi i punonjësve të sektorit të shëndetësisë. Dikur pati reagime të forta në lidhje me këtë proces. Si e prisni zhvillimin e testimit?
“Një korrigjim, nuk bëhet fjalë për testim të punonjësve të sektorit të shëndetësisë. Është një proces vlerësimi i njohurive të punonjësve të sektorit të shëndetësisë, stafit infermieror në këtë fazë, tashmë proces i legjitimuar dhe nga gjykata administrative.
E rëndësishme është çfarë presim të konstatojmë përmes këtij procesi vlerësimi. Rezultatet do të kalojnë në një proces analize statistikore dhe përcaktimi indikatorësh të hollësishme për të evidentuar nevojat reale, vakumet në dije profesionale dhe të përgjithshme dhe më pas do të synohet të hartohen politika edukimi në vazhdim të bazuara mbi këto evidenca. Pra presim të kemi si rezultat një fotografim të situatës aktuale të dijeve profesionale dhe të përgjithshme të punonjësve të sektorit të shëndetësisë.
Si do të zhvillohet procesi i vlerësimit të njohurive?
Në datat 24 dhe 25 korrik do të vlerësohet personeli infermieror në spitalet terciare. Konkretisht, në datën 24 korrik, ku do të marrin pjesë personeli infermieror i Spitalit Universitar “Mbretëresha Geraldinë”, i Spitalit Universitar “Koço Gliozheni”; i Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, i Spitalit Universitar i Traumës.
Në total rreth 450 infermierë të ndarë në grupe me nga 20 – 25 persona. Në datë 25 Korrik do të vlerësohet personeli infermieror i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, në 6 orare të ndryshme, ku do të vlerësohen rreth 1,000 persona.
Tezat e procesit të vlerësimit do të përbëhen nga 35 pyetje të marra nga fondi i pyetjeve i publikuar prej muajsh në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të zgjasë 60 min. Teza do të jetë anonime, e pajisur me barcode. Kjo për arsye që të ruhet anonimati deri në momentin e korrigjimit të tezave.
Për administrimin e procesit Ministri i Shëndetësisë ka ngritur një grup pune i ngarkuar me prodhimin e tezave, dhe më pas me realizimin e analizave dhe publikimin e rezultateve të testimit”.
Ju jeni e njohur për karrierën e gjatë në fushën e statistikës. Sa dhe si mund të futet statistika në fushën e shëndetësisë. Cilat janë projektet konkrete që keni në dorë, në këtë drejtim?
“Sistemi shëndetësor prodhon një volum shumë të madh informacioni. E ilustruar në shifra kjo përkthehet në 1,6 milion akte mjekësore (rekorde) në muaj dhe rreth 20 milion akte mjekësore (rekorde) në vit ku përfshihen vizita mjekësore, përshkrime/ekzekutime recetash mjekësore, ekzaminime laboratorike dhe imazherike, ndërhyrje kirurgjikale, shtrime, konsulta etj.
Nga ky volum shumë i madh të dhënash prodhohet informacion për vendimarrje në dy drejtime kryesore; (i) Për monitorimin e situatës shëndetësore, (ii) Për monitorimin e funksionimit të sistemit shëndetësor. Pra është e pa mundur të prodhohet ky sistem pa përdorimin e sistemeve inteligjente të raportimit dhe të analizës statistikore.
Çfarë është bërë deri tani në shëndetësi. Është bërë shumë dhe ka shumë punë akoma për t’u bërë. Problemi i parë i evidentuar ishte raportimi i informacionit nga ofruesit e shërbimeve shëndetësore jo-publike. Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.327, dt. 28.05.2014 “Për përcaktimin e formatit dhe mënyrës së mbledhjes e të raportimit të të dhënave nga ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, publik ose privat” u mundësua krijimi i regjistrave të raportimit të informacionit shëndetësor dhe brenda një periudhe 3-vjeçare do të mund të realizohet një sistem i unifikuar kombëtar i informacionit shëndetësor.
Gjithashtu sot ka marrë jetë edhe regjistri elektronik mbarëkombëtar i pacienteve, i cili do të standartizojë përdorimin e sistemit të referimit në të gjithë vendin dhe do të ruaje rekordet për cdo pacient në formë elektronike. Kjo platformë është në fazë pilotimi dhe shumë shpejt do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Nga përdoruesit ky sistem ka filluar edhe thiret e-health, por pa dyshim që e-health është më shumë se kaq.
Burim tjetër informacioni shëndetësor është dhe përdorimi i platformave dhe shërbimeve bashkëkohore të shëndetësisë elektronike. Sistemet më të rëndësishme në këtë fushë renditen,
– Sistemi i “Informacionit për administrimin e procesit të vendosjes në treg të barnave”;
– Sistemi për “Monitorimin e informacionit të kujdesit shëndetësor, indikatorët dhe analizat”;
– Platforma “e-Barna”;
– Sistemi “Karta e Shëndetit”;
– Sistemi i “Recetës Elektronike” pilotim në Durrës;
Te gjitha keto sisteme jane ngritur gjatë 20 muajve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si pjese e paketës së investimeve”.