Policia sekuestron 1240 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Gjatë patrullimit në vijën bregdetare të Vlorës, në plazhin midis Petroliferës dhe Triportit, Policia Kufitare ka bërë të mundur konstatimin dhe bllokimin e një kamioni të markës Iveco me targë AH 117 AB, brenda të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Nga kontrolli i ushtruar në zonën përreth, Policia Kufitare ka gjetur të braktisura, mjetet:
– Fuoristradë Toyota me targë CA 4816 BY,
– Land Rover me targë AA 889 FI,
– një karelë për transportimin e mjeteve lundruese,
– si dhe sende të tjera të cilat do dërgohen për ekzaminime laboratorike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, pas kontrollit të ushtruar brenda në kamion, kanë gjetur një sasi me lëndë narkotike e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë totale prej 1240 kilogramë, e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Lënda narkotike ishte e ndarë dhe paketuar në 116 paketime, mbështjellë me natriban, qese dhe thasë plastikë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë Vendore vazhdojnë hetimet për zbulimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve./a.m.