NATO hedh poshtë pretendimet e Moskës se aleanca ushtarake po militarizon Ballkanin Perëndimor, me qëllim përballjen me Rusinë, duke pretenduar se prania ndërkombëtare në rajon ka si qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe jo krijimin e konflikteve.
Megjithatë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i lartë i NATO-s thotë se në rajon po vihen re trende shqetësuese; para së gjithash kërcënimet secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situata e brishtë e sigurisë në Kosovë, si dhe ngecja në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vendet autoritare si Rusia përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme në rajon për të përhapur përçarje. Çdo ndërhyrje e jashtme në proceset e brendshme demokratike është e papranueshme. Kjo përfshin hakimin, kërcënimet informative, frikësimin dhe aktivitete të tjera destabilizuese”.
Pretendimet për militarizimin dhe destabilizimin e rajonit u paraqitën në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në mars, të mbajtur në Vjenë, ku përfaqësuesja ruse Iulia Zhdanova deklaroi se aktiviteti ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të shkaktojë shqetësim të thellë. Tendenca e militarizimit, sipas Rusisë, ka përfshirë jo vetëm vendet e rajonit që janë anëtare të aleancës, por gjithashtu aftësitë luftarake të Kosovës po rriten në mënyrë aktive.
“Aleanca nuk e fsheh faktin se Ballkani në tërësi, e sidomos pjesa e tij perëndimore, është i destinuar të bëhet një trampolinë e rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të NATO-s për një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me vendin tonë brenda tre deri në pesë vjetëve, për çka Brukseli po përgatitet intensivisht”.
Megjithatë, NATO theksoi se partneritetet afatgjata me vendet e rajonit, para së gjithash me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, bazohen në dialog politik dhe bashkëpunim praktik.
Aleanca e bën të qartë se Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendë dhe ka rëndësi strategjike për aleancën.
“Përkushtimi ynë ndaj stabilitetit të rajonit është i fortë dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie”, tha zyrtari për Radion Evropa e Lirë.











