Nga Nikoll Lesi
Mbrëmë demonstrata e PD mbaroi pas afro 4 orësh djegie dhe shkatërrime nëpër kryeqytet. Pothuaj i njëjti skenar si dikur kur kishin Lulzim Bashën në krye. Edhe ai i sorollaste nëpër Tiranë derisa protestuesit nuk kishin më frymë dhe iknin.
Edhe atëherë bërtisnin sa herë hidhnin molotov se “Rama u rrëzua”!
Gaz Bardhi dhe Flamur Noka ecën mbrëmë nëpër Tiranë, edhe mes makinave, duke zbatuar një skenar të thurur keq nga Berisha.
Në të vertetë Berishën kot e mbajnë në arrest shtëpie, ai është më i begatë për Ramën, i lirë dhe jo të rrijë majë dritares për natë.
Edhe Salianji nuk ishte për burg. Ai ka thënë diçka që nuk vërtetohet, por deputeti atë detyrë ka, të denoncojë, ndonëse e mira e do që të kesh fakte të pakontestueshme. Por jetojmë në një Shqipëri që do akoma vite për demokratizim.
Për Berishën e kam bindjen se nuk është Rama që e mban aty, janë amerikanët.
Opozita fjalën dhe protestën ka, ndaj këto nuk duhet t’ia kufizojë asnjeri. Ndaj reagimi i mbrëmshëm mbetet disi i ligjshëm, por aspak efektiv për opozitën. Edi Rama ka shumicën e qytetarëve, ndaj prapë do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2025.
E pse?
Sepse Berisha nuk heq dorë nga lidershipi në PD. Ai në vend që të hapë partinë e ka mbyllur deri te Gaz Bardhi, të cilin aty e ka patur. Pra nuk kanë shtuar numra.
PD-ja duhej të dilte me një emër nga radhët e saj për kryeministër. Nuk kishte pse Berisha deklaronte se “unë jam kandidati për kryeministër”. Që këtu filmi mbaroi!
Edhe akuza se Rama kërkon mandatin e katërt, bie. Pse Berisha nuk po kërkon mandat të katërt?! Ai ka qenë president, bile fuqiplotë dhe djegëshpues. Ka qenë dy herë kryeministër dhe kërkon mandat të katërt.
Pra të dy, Rama dhe Berisha, duan mandat të katërt ku duket hapur se Rama prapë do të jetë kryeminisëtr në vitin 2025 e pas.
Pse?
Sepse Berisha gabon. Ai duhej të gjente një kandidat të besueshëm për kryeministër. Bile pak a shumë të thoshte se kjo do të jetë qeveria ime, por jo unë më!
Të thoshte se Luçiano Boçi, Gaz Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Edi Paloka, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Oerd Bylykbashi, etj. do të jenë qeveria e re demokrate e Shqipërisë.
Dhe në këtë rast mund të zgjonte pjesën gri të votuesve, që ta votoni këtë qeveri të re.
Por Berisha tha “do jem unë”!
Atëherë shumica thotë; më mirë Edi Ramën!
Edhe një pyetje: Pse dogjët vendqëndrimet në stacionet e autobusëve? Po me reklamat ç’patët? Ato janë pronë private.
E fundit, por jo pak kryesore: Pse sulmuat selinë qendrore të PS?! Nëse justifikimi juaj mund të jetë se “aty gatuhen krimet e Edi Ramës”, nuk ngjet aspak pasi ju preket “Mekën” apo “Selinë e Shenjtë” të socialistëve, selinë e tyre. Pas kësaj edhe socialistët që nuk do të votonin PS, për një mijë arsye, tani janë zgjuar, janë acaruar, janë gati për betejë me PD e tkurrur.
Gabim i madh ata që e ideuan djegien e selisë qendrore të PS. As në vitin e mbrapshtë, 1997 apo në shtator 1998, askush nga demokratët nuk shkoi të digjte Selinë Qendrore të PS. Keni thyer një KOD që ishte i pashkruar mes partive, keni sulmuar një parti politike.
Keni zgjuar “luanin” socialist! Ata janë “ushtri e kuqe” si dikur kur Hitleri iu sulmoi Moskën. Edhe Hitleri iu preku Moskën, ndaj e pësoi.
Nëse doni të rrëzoni Ramën dhe të keni qeverinë teknike ngrini në protestë paqësore 100 mijë veta dhe ditë-natë para kryeministrisë. Por nëse iu vinë 100 mijë veta! E mbani mend vitin 2004 dhe 2005? Asokohe kishte besim, frymëzim popullor kundër qeverisë socialiste; kishte njerëz të rinjë Saliu.
Ndaj e rrëzuam kryeministrin e PS, isha dhe unë mes jush, demokratë, sepse mu ngjall besimi për një qeverisje më të mirë, atëkohë. Nuk kemi djegur asgjë në atë vit, e mundëm me besim, shpresë dhe vota PS-në e Fatos Nanos.
Kjo është zgjidhja e jo duke djegur e shkatërruar sepse vetëm sa acaroni qytetarët.