Nga Ermal Peçi
Politika ka një kujtesë të pamëshirshme. Ajo nuk harron thirrjet, pankartat apo sheshet e mbushura, harron vetëm ata që përsërisin veten pa kuptuar se koha ka ndryshuar. Çdo protestë mbart mbi shpinë historinë e atyre që kanë ardhur më parë. Sot, përballë protestave të Berishës, pyetja nuk është nëse ato janë të zhurmshme, por nëse kanë ndonjë kuptim të ri. Sepse, siç do të thoshte Hegel, historia përsëritet jo për t’u korrigjuar, por për të treguar se një ide është konsumuar.
Në fakt lind natyrshëm një pyetje, po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës? Ato protesta që, pavarësisht kritikave, ishin shumë më masive, më gjithëpërfshirëse dhe dukshëm më të fuqishme në trysnin që ushtruan mbi qeverinë. Ishin protesta që prodhuan politikë reale: tension institucional, reagim të qeverisë dhe vëmendje të faktorëve ndërkombëtarë. Në fakt as ato nuk sollën pushtetin, por ato e mbajtën opozitën në qendër të lojës politike.
Lulzim Basha, me të gjitha kufizimet dhe kundërshtitë që ka pasur, përfaqësoi një opozitë që kërkonte të ishte e lexueshme për shoqërinë dhe e pranueshme për aleatët strategjikë. Ai e kuptoi se pushteti në një demokraci të brishtë nuk fitohet vetëm me turmë, por me besueshmëri. Max Weber do ta quante këtë një përpjekje për ta shndërruar karizmën në autoritet racional, në rregull dhe institucion dhe jo në kult personal.
Sot, protestat e Berishës janë një përsëritje e zbehtë e atij skenari. Mungon masiviteti, mungon energjia shoqërore dhe, mbi të gjitha, mungon produkti politik. Protesta është kthyer në rit, jo në strategji. Zhurmë pa projekt, thirrje pa adresë dhe grumbullime që nuk shndërrohen në alternativë qeverisëse.
Nëse Basha, me gjithë rezervat ndaj tij, arriti të krijojë presion real dhe të mbajë të hapur raportin me SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë, pse Berisha sot nuk arrin të bëjë dot asgjë më shumë? Pse rikthimi i tij nuk solli as aleanca të reja, as besim të ri, as perspektivë pushteti?
Në politikë, izolimi nuk është akt force, por shenjë dobësie. Hannah Arendt e thotë qartë: “Autoriteti që nuk ripërtërihet, shndërrohet në pengesë.” Sot Berisha është në këtë pozicion ku në vend që të hapë rrugë, po mbyll horizonte. Këto protesta nuk janë kilometri i fundit drejt pushtetit, siç u shitet demokratëve. Janë pengesa e fundit për demokratët për të ardhur në pushtet sepse opozita nuk humbet kur proteston, ajo humbet kur nuk prodhon më politikë.
Siç paralajmëronte Nietzsche, kur njeriu kapet pas së shkuarës si shpëtim, ajo shndërrohet në barrë. Koha ka treguar se politika e ndërtuar mbi barrë nuk ecën përpara, ajo thjesht e mban peng të ardhmen.











