Pasiguria me furnizim me energji elektrike vlerësohet të jetë një nga problemet që po përcjell Kosovën që nga paslufta.
Ndonëse, gjatë viteve të fundit kishte pasur përmirësim të furnizimit me energji elektrike, megjithatë asnjëherë përgjatë 17 viteve të pasluftës, Kosova nuk ka arritur të shkarkohet nga ky problem.
Gjatë kësaj jave është paralajmëruar nga Korporata Energjetike e Kosovës se brenda dy javësh, Kosova mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.
Mungesën e energjisë elektrike e ka paralajmëruar edhe zëvendësministri në largim i Financave, Agim Krasniqi. Ai në një postim në Facebook ka shprehur shqetësimin e tij për këtë çështje.
“Shpejt mjerisht Kosova jonë do të mund të mbetet në terr, prapë do te ankohemi pse do të rriten çmimet e rrymës, pse prapë do të varemi nga importet nga Serbia”, ka shkruar Krasniqi, citohet Koha. (b.an)