Nga Jakin Marena
Partia Demokratike është në momentin më të vështirë të jetës së saj politike, që nga dita e themelimit në dhjetor të vitit 1990. Nuk ka pasur ngjashmëri asnjë situatë, me këtë të sotmen.
Kanë ndodhur ndarje, duke filluar nga viti 1992, e vijuar me vitet e mëpastajme, deri në shtator të këtij viti, por asnjëherë themelet e PD nuk janë shkundur si kësaj radhe.
As në vitin 1997, kur shteti iu shpërbë në dorë PD-së në pushtet, ndodhi me kontributin personal të Sali Berishës ky rrënim tërësor, partia më e madhe opozitare s’ka qënë në gjendjen në të cilën është sot.
E thënë me fjalë më të thjeshta, duke filluar nga shtatori i vitit të kaluar e vijuar me dy kuvendet respektive të Berishës dhe të Bashës më 11 dhe 18 dhjetor ku palët kanë përjashtuar njëra tjetrën, dhe kulmuar në përballjen fizike të 8 janarit për “pushtimin” e selisë së PD, demokratët janë vënë rëndshëm përballë njëri tjetrit.
Armiqësia politike ndaj Edi Ramës përdoret thjeshtë për të anatemuar kundërshtarin brenda PD si shërbëtor të tijin, ndërkohë që gjithë “tehu” i armiqësisë e mllefit njerëzor tashmë është kthyer brenda partisë më të madhe të opozitës, ku të gjithë janë vënë kundër të gjithëve.
Berisha dhe Basha udhëheqin respektivisht “skalionet” e tyre, njëri jashtë selisë për ta marrë atë, tjetri brenda selisë, duke e blinduar me “betonarme” e hekurishte dhe për ta mbajtur nën kontroll.
Anipse detyrimi opozitar është për të goditur kundërshtarin politik në mandatin e tretë radhazi në pushtet, palët në PD nuk po kursejnë njëri tjetrin, duke mos lënë madje as radhë nëpër ekranet televizive dhe as në panelet po televizive për asnjë emision apo politikan tjetër, teksa përballen deri dhe me dhunë verbale e fizike me njëri tjetrin. Pra janë vënë vetë demokratët kundër demokratëve.
Në radhët e partisë më të madhe opozitare reflektohet një dhunë e paparë deri më sot, ndaj njëri tjetrit, duke treguar qartë se rrënjët e kësaj armiqësie janë shumë të thella dhe ka një akumulim të fortë inatesh mes lidershipit, e përzierë kjo dhe me “ADN”-në e dhunës që PD ka manifestuar në 30 vitet e jetës së saj si forcë politike.
Dhunë sa ishte në opozitë, teksa dogji gjithçka ishte investuar në periudhën e rëndë komuniste, nën “dritën” e “terapisë së shokut” dhe “çekut të bardhë”, duke e kthyer vendin në gërmadhë.
Vijoi me djegien e shtetit nga themelet në mars 1997, pasi kishte vjedhur me dhunë shtetërore votat më 26 maj 1996, por dhe paratë e shqiptarëve përmes piramidave mashtruese.
Nuk mund të lëmë “pas dore” këtu grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998, pas vrasjes së liderit të Dhjetorit Azem Hajdari para derës së selisë së PD, misteri i të cilës ende dhe sot e kësaj dite nuk është zbardhur dhe reflekton në tërësinë e vet situatën që ka plasur sot në të gjitha nivelet e PD, të ndarë në dy kampe armiqësore. Dhe në përqasje të 12 shtatorit të atij viti, ish deputeti Spartak Braho paralajmëroi publikisht se më 8 janar mund të vritet deputeti E.A i PD, por dhe dy deputetë të tjerë. Deri këtu ka arritur puna…!
Nuk po lëmë jashtë “radarit” shpërthimin e “Gërdecit”, ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, në “biznesin e vdekjes” të ngritur nga djali i ish kryeministrit Sali Berisha, sipas akuzave të politikës, mediave dhe të vetë njerëzve të përfshirë në këtë skandal. Dhe, për të mbrojtur Familjen, jo vetëm që u shkatërrua drejtësia, por u shkatërrua dhe dinjiteti i ministrave të atëhershëm, apo të ngjitur më vonë në poste, të cilët e mbështetën këtë biznes por dhe e mbyllën këtë dosje të rëndë e që sot në të dy kampet kundërshtare “bilbilojnë” për rithemelim të PD, ndarje të saj nga e shkuara apo demokratizimin e kësaj partie.
Ndërkohë që 21 janari i vitit 2011 do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si momenti kur shteti përmes institucioneve të tij vrau 4 demonstrues të opozitës me duar në xhepa në protestën e atëhershme përballë kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Garda e Republikës qëlloi mbi turmën! Kryeministër i vendit në atë kohë ka qënë Sali Berisha, ndërsa Ministër i Brendshëm Lulzim Basha. Pikërisht dy liderët e grupeve në konflikt në PD, të cilët po luftojnë fort për marrjen e kreut të PD e bashkë me të dhe të “aseteve” të kësaj partie, që janë selia buzë Lanës, si dhe vula e elementët e tjerë të domosdoshëm për një parti politike.
Berisha pretendon se me Kuvendin e 11 dhjetorit e referendumin e 18 dhjetorit ku votuan mbi 40 mijë anëtarë të PD, Lulzim Basha është shkarkuar si kryetar i PD dhe si një deputet i thjeshtë nuk ka vend në selinë qëndrore me zyrë më vete dhe të drejtën e firmës mbi këtë pronë. Ndonëse më 8 janar, në tentativën “xhenierike” për të pushtuar selinë e PD, mbështetësit i kishin “firuar” Berishës dhe nuk bëheshin më shumë se 1 mijë vetë.
Nga ana e tij Lulzim Basha pretendon se është kryetar legjitim i PD, se ka përjashtuar Berishën jo vetëm nga forumet drejtuese të partisë por dhe përgjithmonë nga PD, bashkë me mbështetësit e tij, dhe se tashmë do të ndahet nga e shkuara e Sali Berishës, të shpallur “non grata” nga SHBA vitin e kaluar. Pavarësisht se dhe mbështetja e Bashës në bazën e PD është për t’u mëshiruar!
Por Basha shkon dhe më tej teksa deklaron se do të nxjerrë jashtë politikës “Trekëndëshin e Bermudës”, që sipas tij përbëhet nga Berisha, Rama dhe Meta, do t’i dërgojë ata para drejtësisë për të dhënë llogari për abuzimet e këtyre 30 viteve me paratë e shqiptarëve, për krimet që kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve dhe për bllokimin e të ardhmes së vendit.
Ndonëse vetë ka qënë 8 vite në qeverisje me Berishën, në fillim ministër i Transporteve ku “prodhoi” aferën 230 milionë euroshe të “Rrugës së Kombit”. Kuptohet me urdhër dhe bashkëpunim të Sali Berishës kryeministër në atë kohë. U shpëtoi prangave me procedurë dhe raporte mjekësore.
Basha ishte ministër i Jashtëm dhe po me urdhër dhe mbështetje të Berishës nënshkroi me homologen e tij greke Dora Bakojanis faljen e “detit”, marrëveshje të cilën Gjykata Kushtetuese me vendim unanim e rrëzoi pasi cënonte terësinë territoriale të vendit. Dhe në një vend normal me drejtësi normale, autorët e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje duhej të kishin shkuar në burg. Por sërish ia dolën që bashkë me Berishën të shpëtojnë. “Babë” e “bir” politik asokohe!
Basha ishte ministër i Brendshëm kur siç cituam më lart u vranë 4 demonstrues të opozitës së atëhershme në mes të bulevardit qëndror të kryeqytetit dhe deri më tani ende nuk është dhënë drejtësi. Ka qënë dhe kryetar bashkie Lulzim Basha në Tiranë për 4 vite dhe punoi vetëm për vete, ndërsa në 8 vite opozitë, Basha humbi të gjitha përballjet me kundërshtarin politik Edi Rama, por për hir të së vërtetës, sikurse thonë kundërshtarët e tij brenda PD, tetë-fishoi pasurinë, pavarësisht se vendi ishte në kohë krize pandemie dhe pasojash tërmeti.
Pra në 16 vite Basha dhe Berisha kanë bërë aq shumë zullume sëbashku, sa përgjegjësia e tyre sërish duhet ndarë sëbashku, sipas peshës dhe rëndësisë dhe jo në mënyrë të barabartë kuptohet.
Dhe meqë Lulzim Basha deklaron se do të ndahet nga e shkuara, përfshin Sali Berishën në krye të herës tek kjo e shkuar dhe jo pa të drejtë, ia vlen të ndajë dhe “asetet” e kësaj të shkuare?!
E themi këtë sepse Basha shpesh artikulon deklarata të tilla, sipas të cilave ai është njeriu që futi vendin në NATO, hoqi vizat për shqiptarët dhe bëri punë të tjera të mira. E s’është pa kontribut, i cili gjithsesi ia vlen të ndahet me kryeministrin e tij në atë kohë, dhe me bashkëpunëtorët e tij.
Po ngjarja e 21 janarit, si do të ndahet mes Berishës dhe Bashës, pasi njëri ishte kryeministër dhe tjetri ishte ministër i Brendshëm, nga e cila varej dhe Garda e Republikës, që vrau 4 protestues të pafajshëm?! E përmendim fort 21 janarin, pasi dhe pak ditë na ndajnë nga kjo datë ku 11 vite më parë, shteti vrau 4 njerëz të pafajshëm ndërkohë që drejtësia e kapur nuk bëri drejtësi.
S’është sekret mënyra se si funksiononte zinxhiri komandues në atë kohë, kush mund të japë urdhër të qëllohet mbi turmën, kush ka dorë në fshirjen e serverave të kryeministrisë, në cilin krah të kampeve brenda PD-së gjendet sot eksperti që i fshiu pamjet që tregonin dhe se kush ishte urdhërdhënësi apo kush ishte urdhërpërcjellësi, përse u dhunua ish komandanti i Gardës që refuzoi zbatimin e urdhërit vrasës.
I bëjmë këto pyetje për arsyen e thjeshtë se ka artikulime nëpër dhëmbë, përmes të cilave Berisha dhe Basha akuzojnë njëri tjetrin për “21 janarin” por dhe për ngjarje të tjera. Njëherësh vetë përballja fizike mes Berishës e Bashës për selinë qëndrore të PD, tregon se dhunën e kanë të dy në “ADN”-në e tyre. Madje ata kanë ngritur dhe grupet respektive me njerëz të skeduar si kriminelë, emrat po ia nxjerrin vetë ata njëri tjetrit, dhe mbi të gjitha tregon se kur nuk kursejnë demokratët që kanë 30 vite bashkë në pushtet apo opozitë, apo njëri tjetrin që kanë qënë për 16 vite “mish e thua” bashkë, i bie që për kundërshtarët politikë as që mendojnë fare. Le më për popullin.
Ndërkohë që PD është në prag të ndarjes në dy parti, por dhe drejt shuarjes, ia vlen të dimë se përpos godinës që kërkojnë ta ndajnë mes tyre, akuzojnë njëri tjetrin madje se në truallin e saj do të ndërtohen dhe kulla shumëkatëshe, po “21 janarin” dhe bëmat e tjera gjatë qeverisjes 8 vjeçare apo bashkë-drejtimin 8 vjeçar të opozitës, si do t’i ndajnë mes tyre.
Fundja kur një shtëpi ndahet mes familjeve të reja, gjithçka llogaritet e ndahet deri në detajet më të vogla, që nga orenditë e deri tek depozitat bankare nëse kanë, apo borxhet që kanë akumuluar sa kanë qënë bashkë nën të njejtën çati.
Jemi kuriozë të dimë se si do ta ndajnë mes tyre Berisha e Basha “21 janarin”, katër të vrarët në këtë ditë nga Garda e Republikës që urdhërohej prej tyre. Kjo do të qetësonte sadopak jo vetëm shpirtrat e vrarë të familjarëve të viktimave, por dhe do qartësonte shqiptarët se kush janë dhe përse po luftojnë fort me njëri tjetrin Sali Berisha e Lulzim Basha. Çështje dinjiteti me një fjalë!