Aktori i madh Sandër Prosi vdiq në mënyrë aksidentale dhe disi të mistershme më 25 mars, 33 vite më parë, gjatë xhirimeve të një filmi të ri (Pranverë e hidhur).
Titulli i filmit duket sikur “shkroi” fatin e jetës së tij.
Pak u kujtuan se dje, 33 vjet më parë, është ndarë nga jeta aktori i madh.
(Aleksandër) Sandër Prosi (1920-1985), lindi në Shkodër më 6 janar 1920.
Kreu shkollën e mesme në Tirane dhe studioi për stomatologji ne Austri (1944-1946), por pas dy viteve i ndërpreu studimet dhe filloi punë fillimisht në klinikën stomatologjike të xhaxhait të vet në Tiranë.
Ishte i pasionuar pas muzikës dhe artit dhe luajti rolet e para në periudhën e luftës.
Talenti i tij ra shpejt në sy dhe Sandër Prosi filloi pune si aktor në Teatrin Popullor, në vitin 1948.
Sandër Prosi luajti role të shumta që mbeten sot ende të gjalla në memorien e popullit.
Roli i tij, i Ismail Qemalit te “Nëntori i Dytë” njihet nga çdo shqiptar që mjafton të ketë parë në jetën e tij një film shqiptar.
Një artist ndoshta i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm më të tjerë.
Në vitin 1976 luajti rolin e Dhaskal Todrit, te filmi “Udha e shkronjave”, në një nga krijimet më të përkryera të tij, më të dashura për publikun dhe në një nga kryeveprat e historisë së kinemasë e aktrimit shqiptar.
Bota e shpirti i pasur prej rilindësi ndoshta e karakterizuan Sandër Prosin gjatë gjithë jetës së tij.
Regjisori Muharrem Fejzo ka publikuar kohë më parë një libër me titullin “Ta pathënat”.
Ai aty rrëfen edhe vdekjen e aktorit të njohur Sandër Prosi, vdekje që sipas tij, tronditi edhe vetë Enver Hoxhën.
Pjesë nga Libri:
…Fundi i janarit do të na mblidhte për analizën vjetore dhe detyrat e 3 mujorit të parë të 1985. Asistonin shoku Manush, Anastas Kondo dhe Sefedin Çela. Fjala e parë e Gjikës ishte: “Brenda muajit prill të përfundojë filmi Pranverë e Hidhur. Nga drejtoria për ndjekjen e problemeve caktohet shefi i degës së prodhimit, Viktor Hykollari. Në fund e mori fjalën Manush Myftiu, Ai i dha si gjithmonë, orientimet e Partisë për ardhmërinë e krijimtarisë filmike… Shkrimi i vendeve, fotoprovat dhe kinoprovat u bënë shkel e shko. Këmbëngul për Vangjush Furxhiun. Lexoi skenarin, nuk pranoi. Timo Flloko është i zënë. Sandër Prosi… Lëndimthi kaloj fletët e bllokut kafe me duart që më dridhen, për të arritur tek ajo ngjarje e trishto që tronditi mbarë opinionin kombëtar. Drejtori sugjeron të merret Sandri. Pse: “ Ai ka shkuar deri në Komitetin Qendror për t’u ankuar përse nuk i japin role. Ndaj dhe ne duhet ta aktivizojmë këtë aktor me vlera të padiskutueshme”. I nënvizoj problemin shëndetësor të tij. -Të garantoj unë, -përfundoi drejtori, -është në ditët e tij më të mira.
Mos ki merak, sa e njoh unë Sandrin nuk e njeh njeri. Brenda vitit ë, mos harro… Grupi u vendos te “Hotel Vollga” në Durrës, pranë Portit Detar, atje ku dhe ishin zhvilluar ngjarjet e 7 Prillit të vitit 1939. Bisedat me Sandrin, vërejtjet dhe sugjerimet e tij për trajtimin e rolit, ishin të mirëpritura. Pedagogu im në Akademi, m’i njihte mirë xanxat e mia, si dhe unë të tijat. E lashë të lirë në krijimin e rolit të fotografit… Ditët e para të marsit po shkonin rrokopujë… Zënkat në grup për t’ia hedhur fajin njërit apo tjetrit, mangësitë dhe gjendja e përgjithshme e klimës politike tejet e tkurrur, varfëria që shihej anë e kënd e ndrydhnin Sandrin në një vetmi trishtuese.
Uleshim në një qoshe të errët të “Vollgës” për të pirë kafe. Megjithëse kishte studiuar për stomatologji në Austri, dhëmbët e tij ishin zverdhur… Trishtimi lundronte në mikrofizionominë e tij. Vetullat herë ngërtheheshin e herë çliroheshin nga një buzëqeshje çlodhëse. Shkundi me nervozizëm hirin e duhanit e pastaj me gishtin tregues e dërrmoi në take-tuke, a thua se shkarkoi aty gjithë mllefin ndaj vetvetes; pazotësinë për të treguar ndaj asaj që mbante në atë trup të drobitur nga e “pathëna”. Kishte një fobi për çdo gjë: nga vështrimet e njerëzve, nga ajo që thoshte, nga ajo që dëgjonte, nga mendimet e tij që i vërtiteshin si një shtjellë e zjarrtë që digjte gjithë kënaqësitë e të shprehurit lirshëm të ideve dhe shqetësimeve. Ndaj fliste ngadalë, shtruar, duke gërmuar çdo fjalë, çdo mendim.
E hamendësoja gjithë vëllimin e asaj që nuk e thoshte si një lëmsh i hidhur brenda trupit dhe trurit që gllabëronte çdo ditë troje të qenies së tij deri aty sa gëlltiste çdo mendim që mund ta dëmtonte politikisht… Më 23 mars ne përgatitëm shkollën “29 Nëntori” sipër bibliotekës së qytetit. Xhiruam ç’ishte mundur të xhirohej… Mëngjesi i 24 marsit ishte i ftohtë dhe i lagshtë… Sandri ishte i veshur me një pardesy të bardhë, shalli i madh rreth qafës, syze, mustaqe të shkurtra dhe me atë kapelen me strehë të gjerë të krijonte përfytyrimin e Marubit… I thashë Gavroshit të xhirojë. Kur e pa figurën e Sandrit të përlarë nga era, ai buzëqeshi i kënaqur dhe shtoi: -kamera!- Ka!… Sandri, ky aktor mahnitës, e nuhati që po xhirohej. Kishte një intuitë krijuese për ta pasur zili.
U afrua në plan amerikan (deri te gjunjët), vendosi dorën strehë mbi sy dhe vështroi qiellin e murrmë me retë që arratiseshin drejt veriut…- Stop!… Shkëlqyeshëm Sandër,- i thashë dhe i futa krahun, duke e shtrënguar në gjoks. Trupi iu drodh në çast, fytyra iu ngjeth dhe mori frymë ngadalë. Pasoi një kollë e thashë që ia përzhiti fytyrën. E lashë të qetësohet dhe i thashë Vangjelit, nëndrejtorit të grupit, të merrte një çaj. Ai më ndaloi me dorën në sup. –kalon, kalon… nuk ka nevojë. U nis të ikte nga sheshi i xhirimit. – Sandër,- i thashë i shqetësuar por me takt,- duhet të bëjmë dhe një dubël, ti e di që mund të na e djegë laboratori dhe pastaj duhet të vijmë prapë për rixhirim, ai tundi kokën në shenjë mospranimi. Shkuam për një çaj në hotel. U ulëm tek vendi i preferuar për të. Duke surbur lëngun e nxehtë, për ta sjellë në humor i them: -Sandër i dashur.
Profesori im i mirë. Do të të tregoj një anektodë… ai filloi të përplasë këmbët për t’u ngrohur. –Në shtëpi fshati, mbi trarët e çatisë po luanin dy minj, një lëvizje e gabuar dhe të dy miushët ranë në një tundje dhallë. O bo bo, ç’na gjeti, do mbytemi, do mbytemi. Thoshte njeri, dhe tjetri: Rrihi këmbët fort, fort, sa të bëhet popël gjalpë dhe pastaj i hipim sipër dhe shpëtojmë… ashtu bën dhe miushët shpëtuan. Sandri po më dëgjonte me një buzëqeshje të ëmbël. E binda, thashë ndryshas. Ai u mbështet me një bërryl mbi gju dhe mbas një pauze të ndërprerë nga kolla më tha: -Po. Unë buzëqesha hareshëm dhe ndala frymën për të dëgjuar përgjigjen. – Po.. Po ata kishin këmbë Remo… unë nuk kam! Nuk kam më fuqi.
Mbështeti fytyrën tek pëllëmbët e tija dhe ndenji për një kohë, që mua m’u duk e pafund. Ishte një buzëmbrëmje marsi e po asaj dite, 24 mars… Bëra misansenën që do të kryente Sandri. Po e prisnim me drita ndezur për t’u ngrohur sadopak mjedisi. Orët po kalonin dhe aktori nuk po dukej gjëkundi… Dritat u ndezën, cëritën gjatë dhe pashë të dalë nga terri Josifin. Ishte i bardhë si mriz… -Merr ilaçet e zemrës, foli ai me një zë të shpërfytyruar. U akullova krejt, nxora trinitrinën nga kutiza dhe e futa nën gjuhë pa e ditur pse!- Josif çfarë ka ndodhur,. Folë, se po na luan menç. Ai nuk foli. Mori rrugicën tatëpjetë duke u mbajtur mureve.
E ndoqa pas deri tek “Gazi” që ishte ndezur. Të heshtur si dy mumje u zhytëm në errësirën e makinës… Mori kthesën te Torra dhe frenoi përpara hotel “Vollgës”. Një trumë e hallakatur buburonte e heshtur. Policia kishte rrethuar vendin. Dritat e katit të parë ishin të ndezura. Nga dera e qelqtë rrotulluese hynin e dilnin njerëz me bluza të bardha. Në trumë dallova disa persona të sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më shkundi fort.– Mblidhe veten, pi një grykë raki. Sandri… zëri iu drodh e sytë iu skuqën,- Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit. Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh! Gjithçka që shihja përreth ishte akulluar krejt, mos ishte ndonjë Shajni, vagulli a çka tjetër…, por jo. Vdekja e Sandit? Jo. Një pezim i pandierë kurrë më pushtoi të gjithin, me vështirësi çava korridorin e policëve që donin të më ndalonin. -Është regjisori i filmit, -foli në ecje Josifi, duke çarë përpara meje. Kisha ngrirë përpara derës së qelqtë dhe… Përpara syve më verboi çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur.
Nga grupi i mjekëveligjorë u shkëput një grua e re. Erdhi drejt meje me pyetjen: Ju jeni regjisori? Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima. –Aktori Sandër Prosi ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. Mundet një marramendje ose një aksident pa paramendim. Më tërhoqi mënjanë dhe më pëshpëriti dhimbshëm. –Nga vizita që i bëra trupit të kufomës, konstatova se mjerisht të gjitha organet e brendshme ishin të rrënuara krejt. Përfytyro guaskën bosh të një gjinkalle të mbetur në trung. Po dëgjoja me kokën lëmsh pa kuptuar thuajse asgjë. Ndjeva pickimin e zemrës dhe të trupit… Por, tani… ajo pëlhurë e bardhë në sytë e mendjes, m’u shndërruan në një ekran të madh ku i lanë vend njëra-tjetrës krijimet e tij të panumërta, të cilat do të jetojnë falë celuloidit në kufijtë e përjetësisë.
Sandrin tonë, krenarinë e skenës dhe ekranit e vrau “E pathëna”. Sindroma e manisë së persekutimit, si rrjedhojë e trandjes psikike shkaktuar nga shtimi i trysnisë politike dhe e rrethanave ngulfateshe të kohës. Varfëria, frika dhe pasiguria e vazhdimit të jetës në shurdhërinë e ndjenjave dhe emocioneve e çuan aktorin e madh në braktisjen e jetës. Ai nuk ishte rebeli që e shprehte zemërimin e tij në mënyrë spazmodike, i cili mund të përmblidhej mbas pak, as heretiku i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij i cili ka një vijë veprimi dhe një strategji të sjelljes që buron nga parimet… Ngjarja që mori dhenë sakaq kishte mbërritur deri në veshët e Nexhmie Hoxhës. Gjatë një shëtitje pranë Liqenit, ajo i kish thënë të shoqit: “Enver. Do të të jap një lajmë të keq, por ti mos u trondit. Aktori Sandër Prosi na la!”.
Ai kishte kthyer kokën më një vështrim pyetës: “Si, qysh”. Ajo i kishte futur krahun dhe i ishte përgjigjur: “Po. Gjatë xhirimit të një filmi në Durrës”. –“Në cilin film?”- Pranverë e hidhur”… Ai kishte ndalur duke gërvishtur dheun me bastunin e tij dhe më pas me vështrimin drejt askundit kish thënë: “Kjo pranverë, megjithë mend do të jetë e hidhur”… mos mendoi vallë se humbja e Sandrit ishte paradigma e fundit e tij? Ditët e zisë duhet t’i shfrytëzonim për ripërpunimin e mëtejshëm të skenarit, por ishte e pamundur. Mendjet tona ishin tharë. Skenari na dukej një gjë koti.
Autori i skenarit Luan Rama…, tashmë ishte plagosur nga ajo humbje e madhe e Sandrit… lëndimthi duhet që të sheshosja zgjedhjen e asaj situate të ndërlikuar…. me shumë përpjekje deri me lutje kishte kandisur aktorin e suksesshëm Rikard Ljarja të merrte përsipër misionin e rëndë të zëvendësimit. Kurajoja e tij, dashuria dhe respekti për mjeshtrin e skenës dhe ekranit bëri që Riku lëndimthi të ruajë zgjedhjen e figurave të atij personazhi që i kujtonte Marubin, fotografin e tij të dashur shkodran. Ishte shënim i fundit për filmin “Pranverë e hidhur”.