Nga Ben Andoni
Nëse ka ndonjë mëdyshje për qëllimet e zjarreve, ndodhur verën e 2017, faktet e fundit i hedhin poshtë argumentet. Ato kanë pasur objekt vendet turistike dhe ato të kultit. Drejtuesi i Emergjencave Civile Premçi ka qenë i prerë dhe i drejtpërdrejtë për zonat e prekura. Gjeografia e zjarreve masive gjatë kësaj periudhe ka përfshirë kryesisht zona turistike, objekte kulti, objekte të rëndësisë së veçantë, banesa, fshatra e biznese, referuar nga MPB për Javanews. Edhe kur janë shuar ato janë riaktivizuar sërish aty! Në të gjithë Shqipërinë, referuar 67 ditëve të fundit janë regjistruar rreth 950 vatra zjarri, ka cilësuar për Javanews, burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Flakët kanë përshkuar mbi 1 mijë e 100 hektarë pyje dhe kullota, nga të cilat 236 hektarë janë djegur plotësisht, referuar lajmeve të Ministrisë së Mjedisit pak ditë më parë. Ende nuk ka një shifër përfundimtare të dëmeve, por Ministria e Mjedisit raporton se pa llogaritur vatrat e ditëve të fundit, dëmi i shkaktuar është rreth 66 milionë lekë.
Nëse do t’i referoheshim të gjithë periudhës së sezonit atëherë, shifra duhet të jetë afër 1000 vatrave. Por, lajmi ende s’është ky. Sipas shefit të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, që ka folur për publikun pak ditë më parë në një ceremoni ku institucionit të zjarrfikësve iu dhuruan 600 pompa dhe 100 uniforma nga TAP: “Gjeografia e zjarreve masive gjatë kësaj periudhe ka përfshirë kryesisht zona turistike, objekte kulti, objekte të rëndësisë shtetërore, banesa, fshatra e biznese, pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Vlen për t’u përmendur fakti se zjarret janë përsëritur disa herë në të njëjtën zonë, kryesisht në zona turistike, duke marrë përmasa të mëdha, për shkak kjo edhe të kushteve të terrenit të thyer e pyje masive, të cilat kanë diktuar angazhimin e shumë strukturave, përfshi dhe operacione ajrore”. Paçka thënieve të pakta dhe drejtimit të gishtit të fajtorit zjarret duket se janë plotësisht të qëllimshme. Deri më tani janë plot 20 veta që janë në ndjekje penale për zjarrvënie të qëllimshme dhe pak të tjerë të paqëllimshme, kanë referuar për Javanews burime të Ministrisë së Brendshme.
Zjarret kanë përfshirë pyje të tëra, zona të mbrojtura dhe kullota në të gjithë vendin. Referuar Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe pyjeve, bimësia më e prekur janë shkurret, pishat, ullinjtë etj.
Për fat nuk ka pasur viktima në njerëz, por ka pasur shumë dëme në bazën materiale etj. Zjarret kanë qenë nga ato më të voglat deri në zjarre masive e me rrezikshmëri të lartë.
Ndërsa zv/ministri Stefan Çipa, pohoi se: “Ndërhyrja e strukturave operacionale të emergjencave civile, strukturat e shërbimit zjarrfikës, të mbështetura nga strukturat operacionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe operacionet speciale nga ajri, kanë bërë të mundur të shpëtohen territore të tëra pasuri shtetërore, private etj., vlera e të cilave e kalon shumën e disa dhjetëra milionë eurove”.
Por, këto të dhëna, të siguruara së fundmi nuk mund të quhen përfundimtare, ndërsa priten raportet e detajuara të vlerësimit të dëmeve në kultura bujqësore, pyje dhe zona të mbrojtura nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit dhe nga njësitë vendore, të cilat kanë inventarin e këtyre pronave për të nxjerrë raportin e plotë të dëmeve, thotë për Javanews Bida, drejtori i Komunikimit të MPB. Për hir të së vërtetës, MPB, që në fillim të sezonit u ka dërguar institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore për menaxhimin e emergjencave civile, disa shkresa dhe qarkore në muajin Prill dhe Maj, duke u tërhequr vëmendjen në lidhje me përmbushjen e detyrimeve ligjore për marrjen e masave parandaluese për problemin e zjarreve.
Ku kanë rënë zjarret më shumë
Gjeografia e zjarreve masive gjatë kësaj periudhe ka përfshirë kryesisht zona turistike, objekte kulti, objekte të rëndësisë së veçantë, banesa, fshatra e biznese, pothuajse në të gjithë Shqipërinë, ku mund të përmendim:
Qarku Shkodër: Zona turistike Theth; Velipojë; Bogë; Reç; Gur i Zi-Ragam e Koman (trashëgimi kulturore); Qafë Mali, Fushë Arrëz; Karmë, Pukë; pylli me gështenja Reç, Malësi e Madhe; Zogaj-Tarabosh, Shkodër;
Qarku Lezhë: Zona turistike Shëngjin, Skuraj-Shkopet; Bërzanë, Tale, si dhe masivi pyjor Manati e Orosh, Perlat, Kurora e gjelbër mbi tunelin e Thirrës; Kisha e Shan Ndout dhe kurora e Gjelbër e qytetit Laç.
Qarku Dibër: Parku Kombëtar i Korabit, Parku i Lurës e i Shkopetit, Kurora e liqenit të Madh dhe të Zi, Maqellarë, Fushë Bulqizë, Martanesh, Patinë-Klos, Parku i Shkopetit, etj;
Qarku Tiranë: Parku i Dajtit, Antenat e TV dhe kompanive të telefonave Mobile; Brahër, mali i Derjes, Mushqeta, Baldushk, Pezë, Farkë, Kashar, xhamia Hekal, kompleksi turistik “Kame”, Ibë, si dhe fabrika e fishekzjarrëve në Kuç, Vorë; Helmës, Kavajë.
Qarku Durrës: zona turistike Ishëm, kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, Qaf Shtamë, Krujë.
Qarku Fier: kompleksi turistik dhe trashëgimi Kulturore “Manastiri i Ardenicës” dhe Zona e trashëgimisë Kulturore Apollonia në Cakran, Fier; zona naftëmbajtëse Ballsh, kurora e qytetit Lushnjë, Qafë Koshovicë në Levan.
Qarku Gjirokastër: vatra zjarri në fshatrat Sofratikë, Terihat, Jorucat, Zervat, Grapsh, Goricë, Dropullit të poshtëm dhe Dropull i Sipërm, Kurora e gjelbër e qytetit të Tepelenës në afërsi të spitalit, fshatin “Asim Zeneli”, në masivin e Zagorisë, kurora e në Gjirokastër, etj.
Qarku Vlorë: fshatrat Navaricë, Leshnicë e Sipërme dhe e Poshtme, Janicat, Cergovicë, Pecë, Zvirinë, bashkia Finiq; Manastiri i Mesopotamit, Parku i Llogarasë deri në Dukat, Zona turistike Radhimë, pylli dhe Manastiri i Zvërnecit, Selenicë; zona e Syrit të Kaltër, Sarandë; kodrat e Himarës, Konispolit, Delvinës dhe Manastiri i Dyzet Shenjtorëve në Sarandë, etj.
Qarku Korçë: fshatrat Udenisht, Pogradec dhe Parku Voskopojë – Lekas, fshati Vithkuq, Korçë; Parku “Bredhi i Drenovës” Drenovë, Korçë, etj.
Qarku Berat: kurora e qytetit mbi Lagjen Goricë, Berat; Bogovë, Kurora e Gjelbër Poliçan, Skrapar.
Qarku Elbasan: pyjet e Krastës, Zona turistike Gjinar, Elbasan; pyjet e Xibrakës, Librazhd; pyjet e Poroçanit, Gramsh etj.
Qarku Kukës: Zona e mbrojtur Lugina e Gashit dhe Bardhoc, referon për Javanews Ardian Bita, Drejtor i Komunikimit të MPB.
Si është menaxhuar gjendja?
-rreth 550 raste të zjarreve janë menaxhuar nga strukturat vendore të shërbimit zjarrfikës dhe Emergjencave Civile në bashkëpunim me strukturat e zonave të mbrojtura.
-rreth 120 raste të zjarreve kanë kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje në nivel qarku.
-mbi 280 raste të zjarreve masive me rrezikshmëri për jetë njerëzore, pasuri e mjedis është kërkuar domosdoshmërisht mbështetje me struktura operacionale në nivel qendror nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, të shoqëruara me operacione speciale ajrore.
-në 3 raste u mbështetën nga Qendra e Koordinimit të Përgjigjes Emergjente e Komisionit Europian (EC-ERCC) Bruksel, me 2 avionë nga Struktura e Emergjencave Civile të Greqisë, kjo e diktuar nga terreni, përmasat e zjarrit, kërcënimi dhe risku i lartë, referon për Javanews, burime të MPB.
…
Ajo që provoi ky vit ishte e qartë sa i përket zjarreve. Me gojën e shefit të saj Prenci situata është vlerësuar “tejet e vështirë dhe e gjatë” dhe ndërkohë ka nxjerrë faktin se nuk është menduar asfare për ngritjen e sistemit të mbrojtjes nga zjarri.
Ideja është që duhet një rikonceptim për të ardhmen, ku tashmë shërbimi Zjarrfikës të paguhet nga shërbim marrësi, jo si deri tani që Shërbimi Zjarrfikës, shërbimin për fikjen e zjarreve e ofron falas edhe madje edhe ndaj atyre që shkelin rregullat në mos garantimin e sistemit mbrojtës ndaj zjarrit. Ndërkohë që specialistët nuk e mbarojnë këtu ankimin sepse tashmë kanë apeluar që duhet bërë hartimi i planeve të emergjencës në nivel bashkie, përcaktimi i hot spoteve të riskut nga fatkeqësitë dhe krijimi i kushteve dhe përmirësimit të kapaciteteve operacionale, një element, që tregoi se në këtë vit nuk u bë ashtu si duhej. (Javanews)