Nga Ylli Pata
Pasi e shpalli dje me gojën e juristit të PD-së, Ivi Kaso, Lulzim Basha e përmendi sërish të ashtuquajturën “Platformë për t’u kthyer në sistem” gjatë takimit me gazetarët.
Por ky dokument, nëse mund të quhet i tillë, nuk ka asnjë rresht mbi përmbajtjen apo idetë për një reformë strukturore zgjedhore për të siguruar votime sa më të ndershme e të qarta në vend, por është më shumë një “tentativë ikjeje”, siç bëri nëndetësja 105 në filmin “Ballë për Ballë”, për të paraqitur politikën e faktit të kryer.
Çfarë propozon Basha? Një komision i përbërë nga ndërkombëtarë: pra SHBA, BE dhe OSBE, me një anëtar nga Parlamenti që e quan monist, pra mazhoranca dhe një anëtar nga opozita e tij jashtëparlamentare, që do të miratojë një reformë zgjedhore, e cila me detyrim përcaktim do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Një ide që padyshim do të diskutohet në ditët në vazhdim, por nëse e shikon sot, mund të thuhet hapur se PD-ja e Lulzim Bashës më shumë sesa përmbajtja e reformës zgjedhore, i intereson forma e hartimit dhe miratimit të saj.
Që sipas tij, PD, ashtu si PS, të ketë të drejtën e vetos dhe ndërkombëtarët do të shoshisin në nivel ekspertësh draftin i cili do të çohet në Kuvend, e më pas deputetët thjesht të ngrenë duart pas thirrjes që Basha i bëri SHBA e BE-së që të ndikojnë direkt të deputetët, siç bënë me reformën në drejtësi.
Një lëvizje që qartazi bën fjalë për preokupimin e Bashës për të ikur nga një realitet që më 16 shkurt e projektoi dhe e zbatoi vetë: ikjen nga Kuvendi dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Realitet që nuk u pranua, madje u kundërshtua nga SHBA dhe BE, të cilët edhe u investuan dhe mbështetën rikthimin e legjitimitetit të Kuvendit me anë të “opozitës së re”, pra deputetët e PD-së dhe LSI-së në listat rezervë.
Nëse Basha ka vendosur kthimin në sistem, duke marrë edhe mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve, të cilët me anë të Ambasadës amerikane e quajtën një vendim “udhëheqësie” dje në mëngjes, atëherë ai duhet të merrej me thelbin e kësaj lëvizjeje: e cila përfshin idenë e tij por jo vetëm të tij por edhe të opozitës jashtëparlamentare për reformën zgjedhore.
Që do të thotë, cila është ideja e Lulzim Bashës për sistemin zgjedhor, votën e emigrantëve, por edhe rolin e KQZ-së apo administratorëve të votës.
Asnjë, deri tani, por vetëm 10 rreshta për mënyrën sesi Basha mund ta miratojë reformën duke shmangur të gjithë. Lëvizje që në një farë mënyre përligj djegien e mandateve dhe bojkotin, duke ofruar një institucion jashtëparlamentar, që mund të imponojë një draft që do të dalë nga i ashtuquajturi komision që propozon Basha.
Por duket qartë se kreu i PD-së nuk e ka konsultuar me ndërkombëtarët këtë platformë, por i kërkon apriori atyre, që siç bënë me reformën në drejtësi, SHBA e BE të orientojë Kuvendin me një draft që do të nxjerrë komisioni që Basha do të ketë të drejtën e vetos.
Le ta elaborojmë: Edhe sot në komisionin e reformës zgjedhore, opozita jashtëparlamentare e Bashës ka të drejtë vetoje, por këtë të fundit ka edhe opozita parlamentare e Rudina Hajdarit.
E pikërisht këtu mund të gjejmë edhe arsyen e sulmit të egër dhe pa arsye ndaj Rudina Hajdarit, nga një ushtar i Bashës në Shkodër.
Ndërkombëtarët nuk e pranojnë këtë rrugë dhe Basha kërkon ta imponojë si një “rrugë të vetme” që opozita mund të kthehet në sistem.
Realisht edhe kjo është një mënyrë e të bërit politikë, por nëse Basha do të ishte serioz, do të duhet ta shoqëronte dokumentin e formës me një material përmbajtjeje, pra cilat janë idetë e opozitës për reformën zgjedhore, të paktën në vija të trasha në tre komponentët e saj.
Duhet thënë se deri tani më të qartë janë aleatët e vegjël të Bashës si Duka, Ndoka e Shehi, të cilët janë shprehur për një proprocional kombëtar, apo ndryshim të sistemit.
Basha duke pasur parasysh se ka ekspertë pa fund, një draft do të duhej ta kishte hartuar, por nuk e ka bërë deri tani. Arsyet mund të jenë të shumta, por sipas gjasave ai nuk kërkon të bëjë betejë me ide, por me imponime.
Kjo lëvizje ngjan si dy pika uji me atë që PD ka vepruar me reformën në drejtësi: kur bëri presion që opozita të ketë barazi në komisione e më pas kundërshtoi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me të famshmen tezë sovraniste.
Më pas, kur ambasadori Donald Lu e quajti Bashën besëprerë, e ju kërkoi deputetëve votën një për një, opozita votoi ndryshimet kushtetuese.
Basha më pas kërkoi një veto në komisionet parlamentare që do të zgjidhnin anëtarët e Komisioneve të Vetingut.
Edhe kjo ju plotësua. Por më pas iku në çadër duke e lënë procesin në ajër.
Kanë rrjedhur shumë ujra deri atëherë dhe ndërkombëtarët më shumë kanë parë tentativa ikjeje nga Basha prej procesit dhe jo një qëndrim politik normal për të imponuar, propozuar dhe argumentuar një draft, proces apo një grup objektivash.
A nuk ndodhi kështu edhe kur Adriatik Llallës i mbaroi mandati dhe ndërkombëtarët i kërkuan Bashës të futet në process për kryeprokurorin e Përkohshëm dhe ky i fundit preferoi të mbajë Llallën?
Ndaj lëvizja e fundit duket se nuk i ka gjetur të papërgatitur ndërkombëtarët, të cilët jo vetëm nuk bënë indiferentin pas gjestit të djeshëm në tryezën e OSBE-së, por me gojën e ambasadorit Borschard u shprehën të zhgënjyer me vendimin e Bashës.
Duket qartë se SHBA dhe BE e quajnë opozitën parlamentare të Rudina Hajdarit një realitet institucional, nga ku kryetari i PD-së duhet ta nisë rihyrjen në sistem.
Një tentativë ikjeje siç ndodhi dje, vetëm do të zgjasë agoninë. Këtë Basha duket e ka kuptuar, ndaj inskenoi përplasjen në Shkodër, ku një ushtar i tij agresoi Rudina Hajdarin, për ta dobësuar politikisht në një bastion të së djathtës, ku siç duket po gatuhet diçka e madhe.
Jo rastësisht një ditë më parë atje ishte Jozefina Topalli, një e përjashtuar e Bashës, që e gjuajti me shuplakë të fortë.
Zhvillime të reja po ndodhin në politikën shqiptare dhe pas hapjes së negociatave e ngritjes së SPAK, pra fillimit të hetimeve ndaj politikanëve të lartë, tërmeti do të jetë 9 ballë.
Këtyre zhvillimeve i dilet përpara me politikë, pra me përmbajtje: ide, platformë objective, e jo me formë dhe shmangie që ngjajnë si me skenën në “Ballë për Ballë”, ku rusët tentuan të ikin me nëndetësen 105 për të marrë flotën nga Vlora. Rusët ja dolën sërish, e prapë me Bashën….
TemA