Buxheti për strehimin do të mbetet i njëjtë në vitet në vijim. Kështu deri në 2020 shteti shqiptar do të shpenzojë rreth 550 milionë lekë çdo vit për të siguruar strehim për familjet në nevojë. Një rritje shumë të vogël ky buxhet do ta pësojë në vitin 2021 kur do të shkojë në vlerën e 560 milionë lekë.
Por pavarësisht shifrave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë pretendon se do të mundësojë strehim për rreth 42% të familjeve të pastreha të regjistruara deri në vitin 2021, krahasuar me 9% që parashikohet të strehohen deri në fund të vitit 2018.
Ndër të tjera programi “Strehimi”, për periudhën 2019–2021, synon që të mbështesë për herë të parë rreth 3280 familje të pastreha nëpërmjet skemës së kredive të subvencionuara nga shteti përgjatë kësaj periudhe. Edhe numri i familjeve që përfitojnë bonus qiraje do të rritet nga 381 përfitues të parashikuar në vitin 2018 në 1009 përfitues në vitin 2021.
Referuar familjeve që do të përfitojnë banesa sociale me qira në objekte të adaptuara do të rritet duke shkuar në 260 familje përgjatë tre viteve në vijim. /b.d










