Për ta shmangur bllokimin e foltores së Kuvendit të enjten, Kadri Veseli po planifikon që deputetëve të opozitës t’i jepet fjala nga ulëset e tyre. Nëse as ky plan nuk funksionon, parashihet involvimi i ndërkombëtarëve apo mbajtja e seancave të mbyllura
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, e ka planin “B” nëse opozita do ta bllokojë edhe të enjten foltoren e Kuvendit në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjeve të fundit të arritura me Serbinë dhe Malin e Zi. Burime të gazetës “Zëri”, në Kuvendin e Kosovës, bëjnë të ditur se Veseli fillimisht do të mundohet t’ia japë fjalën deputetëve të opozitës nga ulëset e tyre e jo nga foltorja, në mënyrë që të shmanget bllokimi i kësaj të fundit. Nëse nuk do të funksionojë as ky plan, atëherë kryeparlamentari do t’i drejtohet për ndihmë shteteve të Quint-it si partnerë strategjikë të vendit, duke u munduar që bashkërisht ta gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për funksionalizimin e Kuvendit.









