Gent Hazizi, aktori i njohur i humorit realizoi pak ditë më parë shfaqjen e tij të rradhës, një Stand Up komedi, me titull “Plako, t’majt e jotja”! Njëlloj si batuta e djeshme, aq popullore në Tiranë, nëpërmjet të së cilës, pra, rikthimit sot me humor të së shkuarës për t’i folur dhe të ardhmes, Hazizi sjell verë të vjetër në shishe të re. në këtë intervistë për javanews.al, ai sërish bën humor kur flet seriozisht dhe e nxjerr seriozisht humorin e tij edhe në “sprovën e tij” për të folur pak për veten, pak për punën, pak për politikën, pak për pasionet dhe aspak për ato që ai vetë do të donte të mos fliste.
Sapo keni interpretuar në teatër pjesën “Plako, t’majt e jotja”, për gjithë ata që nuk ju panë dot në skenë dhe nuk kanë ndjekur as pjesëza në internet, çfarë ishte kjo sipërmarrje artistike? Si mund ta shpjegoni ju vetë atë?
Faleminderit për pyetjen. Ta shpërblefsha në përgjigje të mira, i thonë një fjale. E kam me qejf të madh të jap mësim dhe ja ku falë teje, më erdhi mundësia t’i jap një leksion teorie teatri gjithkujt. Dhe si rregull, sa më pak të dijë njeriu, aq më gjatë përgjigjet. Kështu që besoj se je shumë i sigurt se unë si përjashtim e jo si rregull, do të të flas shumë shkurt për të t’u përgjigjur. “Plako t’majt e jotja” është një Stand Up komedi, një lloj pak i njohur i teatrit në Shqipëri. Ajo është një formë shfaqjeje e të bërit humor ku aktori shfaqet si vetja dhe jo si një personazh i caktuar. Temat që trajtohet në këtë formë teatri i referohen kryesisht aktualitetit dhe aktori zakonisht komunikon drejtpërdrejtë me publikun. Ndodh kështu që problemet që janë të mëdha kur i mendon dhe i përjeton personalisht, duke i trajtuar me humor, bëhen më pak të dhembshme. Eshtë një formë kurimi, më pëlqen ta them, ndonëse kjo nuk para thuhet në manuale shkencorë për një art sublim si teatri. Eshtë si puna e të fërkuarës me alkool në vendin ku infermierja do të ngulë gjilpërën e injeksionit. Nuk dua të them me këtë që unë vetë i kam dashur infermieret që kur kam qenë fëmijë, por tani që jam i rritur, me “Plako t’majt e jotja”, kam dashur të flas me të rinj që kanë shumë kohë për t’u bërë pleq dhe me pleq që e kanë rininë si sport pas pune.
Çfarë ndodh, pra në të kundërt, nëse të mban e tjetrit, merr gjënë e tjetrit apo tjetërson edhe vetë veten në një tjetër gjë nga sa je në të vërtetë? A nuk janë ndodhi të përditshme në realitetin shqiptar?
Në fakt janë pjesë e realitetit të përditshëm shqiptar, ndoshta edhe më shumë sesa duhet. Ndaj edhe shfaqja ka një titull si ky. Tek ne shumëçka funksionon bazuar në rrethin shoqëror, bazuar në klientelizëm apo dhe diçka tjetër mes njërës dhe tjetrës, ndaj ndodh që shpesh presim shumë dhe zhgënjehemi po aq shumë. Zhgënjehemi nga pritja dhe zhgënjehemi për mënyrën sesi na shpërblehet pritja dhe me çfarë na sjell pritja. Megjithatë, sado larg të shkosh mbajtur mbi shpatullat e të tjerëve, në fund të fundit, gomarin e ngecur në baltë vetëm i zoti do ta nxjerrë. Po shpresove vetëm tek shpatullat e të tjerëve, nuk dihet se në çfarë pellgu përfundon sërish. Prit një minutë…, ndoshta e kam gabim. Ka pasur burra në këtë vend që janë mbajtur në shpatullat e dhjetra dhe qindra mijëra votuesve… Nuk është se atyre u ka dalë keq. Sesi u ka dalë vetë shpatullave më pas, kjo është çështje tjetër. Siç është çështje tjetër edhe emri i gomarit dhe mbiemri i të zotit.
Thelbi i monologjeve të tua të dikurshme në skenën e Portokallisë ishte rikthimi i të shkuarës në atmosferë, ndodhi, personazhe. Një lloj humori që ndoshta nuk kuptohet nga një gjimnazist i sotëm, por që kishte bërë për vete shumëkënd që të shkuarën e kishte jetuar si mundim dhe falë teje, e rishihte me sytë e humorit. Ti vetë, çfarë raporti ke me të shkuarën?
Kam një raport normal me të shkuarën. Sepse e di që ajo të vetmin rikthim kur ka qenë e keqe do ta bëjë si kujtim të keq dhe anasjelltas. Qëllimi i rikujtimit të tyre nëpërmjet monologjeve të mi të dikurshëm ka lindur pikërisht nga dëshira për të zhdramatizuar ato situata dhe për të rikujtuar se edhe brenda mbretërisë së absurdit, njeriu ka gjithmonë hapësirë, mundësi dhe nevojë për të qeshur. Të qeshë që të shërojë dhembjet. T’i ikë në arrati dhembjes. Të qeshë që të korrigjojë të ardhmen. Kam vënë re se edhe të rinjtë e sotëm që nuk e kanë idenë se çdo të thotë të bëje një fletëthirrje për telefon të hënën që të kishe mundësi të flisje me robt’ e shpisë të premten në telefon për vetëm tre minuta, krijojnë një ide për atë realitet të vrazhdë të dikurshëm.
Nëse do të duhej të bëje një dialog po për të shkuarën me personazhin tënd, çfarë do t’i thoshe tani, për shembull?
Plako, boj si tbosh, në çdo kohë t’majt e jotja! T’u përgjigja dy herë në dialekt se më duket edhe më bindëse çfarë them përpara vetes. Sa për ty, nuk e di.
Vazhdo të mos e dish se dhe unë do të vijoj të mos ta them nëse më duket apo bindëse. Një pyetje tjetër: Ke realizuar dhe një spot publicitar në të cilin je edhe personazh, edhe skenarist, edhe pothuaj regjizor. Çfarë është kjo sipërmarrje e re sepse meqë reklamon produktet e një banke, ndoshta je bërë dhe i pasur me produktin e saj?
Në të vërtetë jam vetëm personazh i këtij spoti, por meqë të jam dukur edhe skenarist, edhe regjizor, kjo do të thotë se spoti ja ka arritur qëllimit të tij. Unë kam vetëm produktin, por nuk kam tokën që ta mbjell. Nuk jam i pasur, por kam vënë re se as nuk kam dhe as nuk më mbarojnë!
Dhe një pyetje që natyrisht nuk është e fundit, një pyetje nga specialiteti dhe sporti ynë kombëtar, politika: e ndjek, të ndjek, e pëlqen, e refuzon, voton, proteston, e fyen apo të fyen? Cili është raporti yt me këtë zeje të ndërlikuar të njerëzimit?
E pra, se thashë pse po ma vonon karamelen e hidhur. Por siç nuk e kanë thënë as latinët, e hidhura vjen në fund dhe jka ku na u shfaq politika. Unë politikën e ndjek për aq sa më duhet të jem i informuar, ajo vetë nuk më ndjek sepse edhe ata politikanë që njoh i kam vetëm miq dhe me ta nuk më lidh asnjë interes konkret përveç miqësisë. Personalisht më pëlqejnë purot, ushqimi i mirë, biçikleta, motori. Dhe kam vënë re se politika nuk është as puro, as ushqimi që preferoj, as biçikleta dhe as motori që më pëlqen. Natyrisht nuk e refuzoj politikën, votoj gjithmonë sepse është e drejta ime që të votoj. Protestoj aty ku mundem, as fyej njeri dhe as le kënd të më fyejë.
Me nga një fjali të vetme nëse mundesh ose dhe me shumë më shumë fjali nëse do, si do t’i shihje ti Ramën, Metën, Berishën, Bashën në një udhëtim të përbashkët të tyre në shtëpinë e çdo shqiptari, kuptohet nëpërmjet televizionit?
Do t’i shihja duke u zënë se cili nga ta do t’i japë makinës, por pa e nisur asnjëherë udhëtimin.
Dhe meqë ra fjala tek televizioni, bashkë me politikanët, artistët e humorit, janë dhe gazetarët që shpesh janë pjesë e ekranit, si pjesë e menunë së gjithë shqiptarëve. E ndjek botën e informacionit dhe të debatit?
Përpiqem ta ndjek kur kam kohë, por njëhkoësisht përpiqem të kem sa më pak kohë të tillë. Jo! Bëra shaka! I ndjek kur mundem sepse më pëlqen diversiteti i mendimit. Nëse nuk ka futboll, basketboll, çiklizëm, tenis, shah apo ndonjë kampionat tavlle, ulem dhe shoh e dëgjoj sesi bëhen debate me gazetarësh që duket se do të therren me njëri-tjetrin, por që janë secili në Stand Up komedinë e tij.
Intervistoi Lorenc Vangjeli
/Javanews.al