Ngjarja e djeshme në Balldre të Lezhës, ku një 69-vjeçar qëlloi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij, mund të ishte kthyer në një tragjedi, nëse bashkëshortja e Hilë Gjinit nuk do t’i kishte paraprirë ngjarjes.
ABC raporton se ka qenë bashkëshortja e 42-vjeçarit Hilë Gjinit ajo që ka parandaluar ngjarjen e rëndë. Gruaja e të plagosurit, ka ndërhyrë menjëherë duke i kapur dorën autorit, Gjergj Gjini, i cili po qëllonte drejt burrit të saj.
Gjithashtu, ajo është kujdesur që i moshuari të mos qëllonte drejt fëmijëve që ndodheshin në makinë në ato momente. Sipas burimeve, gruaja ka në duar shenjat e përleshjes me 69-vjeçarin Gjergj Gjini.
Në deklarimet e tij para grupit hetimor, 69-vjeçari ka pranuar autorësinë e plagosjes, duke thënë se konfliktet me Hilë Gjinin kishin nisur që në vitin 2004, pasi ky i fundit i kishte helmuar delet.
Sipas tij, që prej asaj kohe debatet kanë qenë të vazhdueshme, për çështje pronësie, pasi tokën e kishin ngjitur me njëri-tjetrin.
Ndërkohë pritet edhe dëshmia e të plagosurit për të hedhur më shumë dritë mbi konfliktin e pretenduar nga autori.
Ky i fundit, u arrestua nga policia në rrethinat e fshatit Balldre dy orë pasi kishte plagosur në këmbë me një pushkë fqinjin e tij./a.p