Policia e Tiranës ka arrestuar sot Saimir Gjutën dhe Elvir Gjutën, të cilit ishin shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në hotel “Gjuta”, ku u vetëplagos me armë zjarri një 18-vjeçare.
Dy personat në fjalë janë babai dhe kushëriri i Erisjaldo Gjutës, i cili posedonte pistoletën që e dashura e tij u vetëplagos.
Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës kapën shtetasit S. Gj. dhe E. Gj., të cilët ishin shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, për ngjarjen e ndodhur më datë 14.02.2026, në Sauk, ku u vetëplagos një 18-vjeçare. Pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që këta shtetas të hetohen në gjendje të lirë”, thuhet në njoftim.
Disa anëtarë të familjes Gjuta u arrestuan në orët e para të 14 shkurtit, pasi një 18-vjeçare u dërgua nga anëtarë të familjes Gjuta në QSUT e vetëplagosur me armë zjarri në kraharor.
E reja pranoi se ngjarja kishte ndodhur në një nga dhomat e hotelit. E mbërritur në vendin e ngjarjes policia nuk gjeti as armën e zjarrit dhe asnjë shenjë në vendin e ngjarjes e për këtë shkak, ndaj 5 anëtarëve të familjes Gjuta u ngritën dyshime për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.











