Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin ‘arrest me burg’ për katër të akuzuarit e atentatit tek “Komuna e Parisit” ku mbeti i plagosur 25-vjeçari Lorenc Hoxha.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg 4 të dyshuarit Dejvis Rrustemaj, Klajdi Kodra, Igler Qose dhe Ardit Xheferri. Ata u arrestuan një ditë më parë në qytetin e Vlorës, ku kishin shkuar pas atentatit të 4 ditëve më parë për t’u fshehur.
Ata akuzohen për “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Në zanafillë të konfliktit mes 4 të rinjve dhe të plagosurit Hoxha është vrasja e djalit të dajës së këtij të fundit. Mësohet se 5 djemtë njiheshin me njeri-tjetrin dhe Rrustemaj, Kodra e Qose i kishin kërkuar Hoxhës të merrte hak për kushëririn e vrarë.
Sherri mes dy grupeve, Rustemaj dhunoi Hoxhën dhe vëllanë e tij
Shkak i konfliktit sipas hetimeve mes dy grupeve rivale ka qenë një përplasje fizike që ata kanë pasur 2 ditë para atentatit tek sheshi “Nënë Tereza” pranë universitetit pas xhirimit të gomave, ku Dejvis Rustemaj ka dhunuar fizikisht Lorenc Hoxhën dhe vëllain e tij.
Lorenc Hoxha mori dy plumba në shpatull, ndërsa është tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe në deklarimet e tij ai ka shpjeguar për hetuesit edhe konfliktin që kishte me Rustemaj.
Autori i atentatit me precedent, i shpëtoi vrasjes para 3 muajve
Autori i atentatit ndaj Lorenc Hoxhës, Dejvis Rrustemaj është një emër i njohur për Policinë e Tiranës, pasi para 3 muajve i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në kryeqytet pranë një xhamie, në rrugën “Xhanfize Koko”, pranë Kinostudios.
a.ç










