Spitali i Traumës është vendosur nën masa tejet të rrepta sigurie pas mbërritjes së 55-vjeçarit Ardian Çapja, i cili ngeli i plagosur në një atentat që ka ndodhur mëngjesin e sotëm.
Gjendja e Çapjas është jashtë rrezikut për jetën, por tanimë ai i është nënshtruar një operacioni për nxjerrjen e plumbit që ka marrë në shpatull.
Me fraktura në kokë është parë teksa hyn në spitalin e Traumës në Tiranë, 55-vjeçari, pasi dyshohet se është lënduar teksa është rrëzuar në tokë pasi është qëlluar me snajper. Ndërkohë që të tjera informacione vijnë nga vendi ku ka ndodhur ngjarja.

Arma e gjetur në makinën e djegur të autorëve është një snajper i modifikuar, me numra të fshirë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Krastës në Elbasan. Ardian Çapja, koka e familjes dhe pronari i një sërë bizneseve në Elbasan ka rënë pre për herë të tretë e një atentati, ku është qëlluar me snajper, por nuk është arritur që të eliminohet. I plagosur ka ngelur edhe një zjarrfikës i cili ka tentuar të shuajë flakët tek makina e djegur e autorëve, por aty është përballur me shpërthimin e disa fishekëve.
g.kosovari











