Qeveria në detyrë e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se spiunia nga Serbia A.M. nga Mitrovica, e cila është arrestuar më 27 gusht nga Kroacia së bashku me të dashurin e saj nën dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë.
“Duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit. Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.”
Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë’, tha ai.
Kryeziu ka thënë se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit, pasi që veprimtaria e A.M. dhe kroatit J.I., të dy të arrestuar më 25 korrik në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë./Kosovapress











