Kosova është një nga vendet themeluese të Bordit te Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump. Mirëpo për shkak të pezullimit të punës së Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese, marrëveshja ka mbetur në sirtarët e Parlamentit.
Mungesa e ratifikimit të marrëveshjes po pengon që edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të zbarkojnë në Gazë si pjesë e misionit shumëkombësh. Njohësit thonë se Kosova nuk rrezikon përjashtimin, por nuk jep imazh të mirë ndaj obligimeve në Bordin e Paqes.
“Ne nuk rrezikojmë por nuk tregohemi serioz karshi obligimeve të cilat i kemi marrë, veçanërisht nga obligimet që i ka marr Presidentja me nënshkrimin dhe takimet e saj në këtë organ të rëndësishëm, rrezikojmë edhe duke mos u treguar serioz si shtet”, thotë Naim Jakaj, hulumtues nga IKD.
Mungesa e Kuvendit ka lënë pezull ratifikimin edhe të disa marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë rreth 121 milionë euro, përfshirë 50 milionë dhe 25 milionë euro me BERZH-in, 33 milionë euro me Bankën Evropiane për Investime dhe 13 milionë euro me Fondin Saudit për Zhvillim, të destinuara për projekte në energji, ujëra të zeza dhe infrastrukturë rrugore.
Në Kuvend gjithashtu po presin edhe dhjetëra projektligje të cilat duhet të marrin miratimin e deputetëve. “Një pjesë e madhe e projektligjeve në mesin e tyre edhe Kodi Civil në mesin e këtyre projektligjeve edhe 6 projektligje të tjera që dalin nga deklarata e zotimeve që lidhen me reformën në drejtësi”, thotë Jakaj.
Kuvendi duhet të plotësojë edhe mbi 30 institucione apo agjenci të pavarura, punën e së cilës i mbikëqyr, e të cilat kanë mbetur jofunskionale ose nuk janë me kapacitete të plota në mungesë te emërimeve.
“Në mesin e tyre çështjeve që Kuvendi ka përballë janë dy anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, tre anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe një anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovë, Kuvendi këto procese tashmë vetëm i ka nisur në ndërkohë duhet me u nis edhe për 33 institucione të tjera që Kuvendi t’i emërojë sa më parë”, thotë Jakaj.
Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë punën e Parlamentit deri më 31 mars pasi dështoi të zgjidhte presidentin e ri, 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentes në largim Vjosa Osmani.











