• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 22, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA, “sinjal i distancimit” nga Kurti

by A R
12/09/2025 21:19
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Distancim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe paralajmërim për Qeverinë e tij se mbështetja ndërkombëtare po zbehet.

Kështu e shohin pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, dhe Gëzim Visoka, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Dublinit, në departamentin për studime të paqes dhe konfliktit.

Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.

Ajo e ka arsyetuar këtë vendim me shqetësimin për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat, siç thuhet, “rrisin tensionet dhe destabilitetin”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha Ambasada, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kosova dhe SHBA-ja kishin planifikuar që këtë vit ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur liderët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) po i kritikojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur gjykatën më të lartë të vendit “hije politike e opozitës ndaj LVV-së”.

Çfarë është dialogu strategjik?

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 6 gusht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të nisin dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizjademokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës në detyrë i ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së, duke vlerësuar se veprimet e saj kanë qenë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, “në funksion të eliminimit të burimeve të paqëndrueshmërisë me qëllim të garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm afatgjatë”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e SHBA-së që ta pezullojë përkohësisht dialogun strategjik.

Vogel: Ndërprerja e dialogut strategjik, shenjë se SHBA-ja do të distancohet nga Kurti

Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se me mënyrën se si e ndërprenë dialogun për çështje strategjike, Shtetet e Bashkuara dërgojnë sinjal se “duan të krijojnë një distancë me Kurtin”.

Ai shton se vendimi erdhi gjithashtu në një moment të ndjeshëm, kur Albin Kurti po përpiqet të formojë një qeveri të re të Kosovës, dhe se kjo nuk është rastësi.

“Shtetet e Bashkuara, e sidomos administrata e parë e [presidentit Donald] Trump, kanë një histori me Albin Kurtin dhe një histori të përfshirjes në politikën kosovare. Dikur mjaftonte që presidenti amerikan ose kancelarja gjermane, kur ajo ishte Angela Merkel, të ngrinin receptorin, të telefononin dikë si Hashim Thaçi dhe t’i thoshin çfarë të bënte — dhe ai e bënte. Kjo nuk funksionon me Albin Kurtin. Nëse mendoni se kjo është mirë apo keq, është e parëndësishme; fakti është se Kurti nuk është i tillë. Dhe, pikërisht për këtë arsye nuk e duan as në Uashington e as në Bruksel”, thekson Vogel.

Sipas tij, për përkeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në ose BE-në, përgjegjës është vetë Kurti, sepse “nuk i ka kultivuar me kujdes këto marrëdhënie”.

Por, njëkohësisht, kjo ndodh edhe për shkak të pakënaqësisë së qendrave të vendimmarrjes, pasi “nuk mund ta urdhërojnë më kryeministrin ose presidentin në Prishtinë se çfarë të bëjnë”.

“Besoj se gjithçka duhet parë në këtë kontekst, a do të ketë kjo efektin e dëshiruar, pra a do të arrijë të bashkojë opozitën për të krijuar një qeveri alternative. Sinqerisht, mendoj se ata nuk i kanë numrat. Kështu që nuk jam i sigurt se çfarë synohet me këtë”, thotë Vogel, duke shprehur dyshime se Uashingtoni shpreson për zgjedhje të parakohshme.

“Sinqerisht, kjo do të më dukej si një nga zgjidhjet më ‘të pastra’, sepse është e qartë se kushdo që arrin të formojë qeverinë tani nuk do të ketë një mandat të fortë. Është mirë të jesh partia më e madhe, por kjo nuk mjafton. Nevojiten aleatë, nevojiten partnerë koalicioni. Prandaj, mendoj se gjithçka duhet parë në këtë kuadër”, përfundon ai.

Visoka: Ndërprerjen e dialogut strategjik duhet ta marrim seriozisht

Gëzim Visoka, profesor i studimeve për paqe dhe konflikte në Fakultetin Juridik të Universitetit të Dublinit, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën është “edhe një shenjë paralajmëruese për Qeverinë e Kosovës se mbështetja ndërkombëtare për vendin po zbehet”.

“Kjo duhet të merret seriozisht, por nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve bilaterale. Po ashtu, është me rëndësi thelbësore të theksohet se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një dialog strategjik të formalizuar me Shtetet e Bashkuara, ndonëse e ka kërkuar këtë për vite me radhë. Edhe kur marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, SHBA-ja ka shmangur formalizimin e një partneriteti strategjik me Kosovën, duke synuar të mos antagonizojë Serbinë dhe të mbajë një ekuilibër në rajon”, thekson Visoka.

Ai shton se në të kaluarën ka pasur elementë të dialogut strategjik rreth sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare, por se “dinamika e dialogut nën drejtimin e BE-së dhe përpjekjet e Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri të vendit e kanë diktuar këtë proces, i cili tani duket se funksionon vetëm në fushën e sigurisë”.

Kritikat e mëhershme ndaj Qeverisë së Kurtit

Qeveria e Albin Kurtit, gjatë katër vjetëve të fundit, shpesh ka qenë në shënjestër të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht për veprimet në veri të Kosovës, ku jeton shumica serbe, në përpjekje për të vendosur kontroll të plotë institucional.

Një nga veprimet e fundit në këtë drejtim ndodhi më 12 shtator, kur autoritetet e Kosovës pezulluan punën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, të cilët funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Shtetet e Bashkuara, në një reagim për Radion Evropa e Lirë në fillim të këtij viti, kur në një aksion të gjerë u mbyllën një sërë institucionesh serbe në jug të Ibrit, theksuan se veprimet e Qeverisë së Kosovës “ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht mbi qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe se mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

Vendimi i SHBA-së për të ndërprerë dialogun strategjik vjen gjithashtu në kohën e një krize institucionale dhe politike në Kosovë.

Aktualisht pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse Kuvendi i Kosovës është konstituuar, pasi partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar këtij institucioni me kërkesën që të vlerësojë nëse kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka shkelur Kushtetutën duke ndarë procesin e votimit për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë dhe nga komuniteti serb.

Basha, ndërkaq, e shpalli njëanshëm përfundimin e konstituimit të Kuvendit, edhe pse nuk ishte zgjedhur nënkryetari i pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më 10 shtator, Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që kërkesa e Listës Serbe të shpallej e papranueshme.

Edhe presidentja Osmani ka vlerësuar se Kuvendi nuk duhet të bllokohet për këtë çështje dhe ka shprehur pritjen që Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendim në favor të Listës Serbe, pra të konfirmojë se Kuvendi është konstituuar edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë nga komuniteti serb.

Ndërkohë, më 7 shtator Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar liderin e saj, Albin Kurtin, për mandatar të përbërjes së Qeverisë së re. Me atë rast, Kurti ka shprehur kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar për anshmëri, përkatësisht për veprim në favor të partive shqiptare që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar këtë qëndrim të Kurtit.

Next Post
Meta mbetet brenda, avokati Petraj: Akuzat ndaj ish presidentit, të rënda

“McGonigal, çështje e vdekur”, avokati nxjerr dokumentin: Shefqet Dizdari, person i njohur në rrethin e Berishës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Horoskopi ditor, e enjte 28 mars 2024

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 23 Dhjetor 2025

December 22, 2025
Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se…

Mbi 50 të moshuar të zhdukur në Ukrainë, dyshohet se…

December 22, 2025
Protesta e PD para Kryeministrisë, policia plan masash: Ja rrugët që bllokohen

Protesta e PD para Kryeministrisë, policia plan masash: Ja rrugët që bllokohen

December 22, 2025
“Sulmonin Berishën krah “Merimangës së Zezë!”/ Adriana Kalaja: Brenda PD kemi shumë tradhtarë, që u bënë deputetë

“Të qendrojmë në shesh deri sa të largohet Rama”, Kalaja: Drejtuesja e organizatës është e shoqja…

December 22, 2025
Sulmi në Australi me 15 viktima, autorët hodhën eksplozivë para se të qëllonin, kryen stërvitje për disa javë

Sulmi në Australi me 15 viktima, autorët hodhën eksplozivë para se të qëllonin, kryen stërvitje për disa javë

December 22, 2025
“Partizani”, avokatja e Berishës në seancë: SPAK nuk ka asnjë fakt dhe nuk ka sjellë asnjë provë

“Partizani”, avokatja e Berishës në seancë: SPAK nuk ka asnjë fakt dhe nuk ka sjellë asnjë provë

December 22, 2025
“Më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg… ”/ Rama: Po të isha porositur për të shkruar një libër për ambasadorët amerikanë do ta quaja..

Si do modernizohet bujqësia? Rama: Do bëjmë regjistrin e fermave e kafshëve, fatkeqësi nëse…

December 22, 2025
Darka e fundit dhe mesazhi sekret, publikohen videot, momenti i vrasjes së Liridonës dhe britmat e fëmijëve

Darka e fundit dhe mesazhi sekret, publikohen videot, momenti i vrasjes së Liridonës dhe britmat e fëmijëve

December 22, 2025
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të SHBA paralajmëron për përplasje mes presidentit, Kongresit dhe gjykatave

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të SHBA paralajmëron për përplasje mes presidentit, Kongresit dhe gjykatave

December 22, 2025
Rolling Hills Liqeni, drejt finalizimit faza e parë e projektit

Rolling Hills Liqeni, drejt finalizimit faza e parë e projektit

December 22, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In