• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Peza rrëfen Sara Blloshmin, gruan më të mistershme…

by A R
30/09/2017 11:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gazetari dhe publicisti Alfred Peza vjen me një libër artistik “Sarah”, nga “Mapo Editions”, që i ka kushtuar pesë vite punë kërkimore nëpër Arkiva, hulumtime, hapje dosjesh pothuaj 100 vjeçare, derisa u bë gati me romanin e tij të parë. Një histori e rrallë e gruas më të mistershme e të përfolur, Sara Blloshmit. Peza në gjurmim të jetës së saj, identifikon Shqipërinë mes dy luftërave botërore, atë të Lindjes dhe Perëndimit; duke e konsideruar një roman emancipues dy personazhet e tij realë: Sara Blloshmi dhe Ahmet Zogu, “flasin” për gra të lira dhe burra të vërtetë…

Ju vini për herë të parë për lexuesit me një roman, që ngjan për nga kopertina, me një roman historik për një personazh pak të njohur sot, por me një të shkuar të largët të përfolur e plot mistere. Ç’është ky libër, ç’lëndë ka?
 
“Sarah” nuk është një roman historik, por një libër letrar, një trillim dhe krijim i pastër artistik. Veçoria është se ngjarjet janë vendosur në një kontekst të caktuar historik marrdhëniesh mes personazhesh realë.
 
Si lindi ideja e këtij romani? Nga gazetar, publicist pse hytë në këtë formë shkrimi?
 
Gazetaria është një letërsi në nxitim, për rrjedhojë edhe gazetari vetë nuk është gjë tjetër, veçse një shkrimtar në nxitim e sipër. Historia e letërsisë botërore është e mbushur me shumë raste shkrimtarësh që kanë hyrë në letërsi nga rruga e gazetarisë. Çdo gazetar ka fazat e veta të evoluimit në artin e të shkruarit, të cilat mund të përsosen me kalimin e kohës në formë e përmbajtje, duke krijuar premisat për të shkuar drejt letërsisë artistike. Romani është Himalaja që synojnë të arrijnë të gjithë ata që kanë botuar qoftë edhe një lajm, vjershë apo tregim të vetëm në jetën e tyre. Nuk do të ndjehesha i realizuar në dimensionin tim prej gazetari dhe publicisti, nëse nuk do e provoja veten për të shkruar një roman.
 
Ju thatë se kemi të bëjmë me personazhe realë, ngjarjet që ndodhin po ashtu. Cilët janë këta personazhë, ç’është kjo histori?
Bëhet fjalë për Shqipërinë mes dy luftrave botërore. Personazhet kryesorë janë Ahmet Zogu, kryeministri-President dhe më pas Mbret i Shqipërisë. Sarah, bashkëshortja e Selahudin Blloshmit, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë dhe mbesa e Ismail Qemalit. Rreth tyre ka edhe shumë personazhe të tjerë realë ose të trilluar, të një Shqipërie që sapo kishte dalë nga nata Osmane, në kërkim një identitet të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Ka brenda tij intrigën e pashembullt të pushtetit, pasionin e fshehtë përvëlues dhe enigmën e madhe të një vrasje. Eshtë një libër emancimi, për gra të lira dhe burra të vërtetë.    
 
 
Përmendet dy personazhë, njëri i njohur, që i përket një periudhe të historisë që drejtoi vendin, pra Ahmet Zogu, dhe tjetra pak e njohur por me një histori shumë interesante, me një dosje pothuaj 100 vjeçare, Sara Blloshmin. Kur flisni për gra të lira dhe burra të vërtetë, këta të dy keni parasysh? Si shkuat tek këta personazhe?
 
Sara Blloshmi ka qenë femra më e bukur e Shqipërisë e shekullit të XX. Në festën e vitit të ri 1925 në ambasdën amerikane në Tiranë, ajo guxoi e para që ta sfidonte ligjin, rregullat dhe normat e atëhershme, duke kërcyer e zbuluar pa ferxhe e burka dhe me fustan të shkurtër, në një ambjent publik. Ishte një akt i pashembullt revolucionar në një shtet ku ende sundonte Kanuni dhe ligji islamik, për të cilin u vunë në dijeni të gjitha kancelaritë e perëndimit, nga Shtëpia e Bardhë e deri në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ishte hapi i parë nga ku nis e ndryshon njëherë e përgjithmonë ky vend. Ahmet Zogu e kishte të pashmangshme të qëndronte jashtë kësaj sfide. E krahasoj efektin e këtij kërcimi të Sarah Blloshmit për historinë e Shqipërisë, me atë të hapit të Neil Armstrongut në Hënë, për njerëzimin.
 
Si ratë në gjurmët e Sara Blloshimit?
Donika Bardha, një personazh i njohur në Tiranën e dekadës së parë të pluralizmit, koleksiononte veç të tjerash, edhe kapele femrash të viteve ’20-’30. Ishin shumë moderne, të njëjta me kapelet që kishin qarkulluar ato vite në Parisin e Coco Channel-it. Historia e tyre, vërtitej rreth emrit të Sarah Blloshmit dhe mikeshave të saj, pjesë e elitës që pati një ndikimit të jashtëzakonshëm në modernizimin dhe oksidentalizimin e jetës së qytetit.
I mrekulluar nga ky lloj tregimi, rihapa librat. Tek romanii Ismail Kadaresë, “Nëntori i një kryeqyteti” (filmi “Radiostacioni), Sara Blloshmi përmendet shumë shkarazi, si një grua që merrte pjesë në ballot e Mbretit. Nisa të kërkoja në shtypin e kohës së Zogut, në librat e komunizmit ku Dhimitër Karaguni kishte shkruar për të në librin “Agjenti 333”. Më pas arkivova dalëngadalë çdo detaj, çdo lajm, çdo gjë që shkruhej në gazetat e revistat tona për Sarah Blloshmin dhe seleksionoja informacionin që kishte për të në internet.
Kur shkova në Londër për studime, pata fatin që të zbuloja më nga afër në gjurmët e saj, sepse pas Luftës së Dytë Botërore e kaloi pjesën tjetër deri në fund të jetës, në Angli. Martesën e dytë e pati me Vandaleur Robinson, atasheun e shtypit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjatë e pak pas luftës. U largua në vitin 1945 sëbashku me vajzën e vetme, Vera e cila u bë piktore. Në ambjentet e ambasadës sonë në Londër, kam parë disa nga punët e saj.
U interesova dhe kërkimet më çuan tek studiuesi i njohur Ferid Hudhri, i cili e kishte takuar dy herë Vera Blloshmin, në shtëpinë e saj në Londër. Mësova shumë detaje të tjera e informacione që janë shfrytëzuar më pas si lëndë për librin.
Robert Elsie ka qenë një tjetër burim, pasi ka hedhur dritë mbi koleksionin e fotove të jashtëzakonshme të bashkëshortit të Sarah Blloshmit, gjatë kohës që ishte me mision në Shqipëri. Sa për kujtesë, ai është autori i imazheve të hyrjes së komunistëve si fitimtarë në Tiranën e çliruar dhe të udhëheqësit të tyre Enver Hoxha me uniformë ushatarake, në ditën e parë të lirisë.
Kërkimet më pas u thelluan në Arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku gjeta dosjen e Sara Blloshmit. Një minierë e vërtetë me material voluminoz, shumë interesant për ndjekjen që i ka bërë hap pas hapi Sigurimi i Shtetit në vitet 1944- 1946, para se të largohej në Britani dhe pasi u rikthye edhe njëherë, për tu larguar përfundimisht.
Kërkimet vijuan në Ministrinë e drejtësisë, sepse ajo ka pasur (reflektohen edhe në libër), një histori gjyqesh e procesesh të jashtëzakonshme. Arkivi i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare kanë materiale shumë të vlefshme gjithashtu. Kam shfrytëzuar rrëfimet e studiuesve, historianëve dhe akademikëve të një brezi që ruante apo ruan ende kujtimet e epokës së Sarah Blloshmit, të cilët i kanë dhënë një tjetër dritë dhe shkëlqim romanit, për ta bërë atë sa më të gjallë e të vërtetë. Jam ballafaquar me studimet më serioze për qytetin e asaj periudhe nga historianë, arkitektë, urbanistë, kërkues të folklorit, të jetës së familjeve të mëdha, duke u njohur me detaje që direkt ose indirekt, i japin një frymë dhe pamje besoj realiste Tiranës së viteve të Ahmet Zogut.
 
Në shkrimin e një libri artistik, duket sikur shumë peshë kanë hulumtimi, dosjet, historia ndërkohë që është një personazh që na krijon një imazh. Sa i keni kushtuar kësaj, në një përfytyrim për Sara Blloshmin, që duket sikur me të mund të bëhet një film?
 
Romani është në të shumtën e herëve, vetëvetiu edhe një projekt për skenar filmi. Kushdo që do të lexojë “Sarah”, besoj se do të jetë duke parë ndërkohë edhe një film. Në kuptimin figurativ teksti i romanit janë titrat dhe ajo çfarë përshkruhet brenda tij, është filmi që lexuesi mund ta shikojë me sytë e mendjes. Është “filmi” i një Shqipërie të jashtëzakonshme, në një periudhë të jashtëzakonshme dhe me personazhë të jashtëzakonshme, që do të na mungojë. Besoj se kemi tani edhe një mundësi të re, për ta shpëtuar këtë pjesë të historisë. Për fat të keq letërsia shqiptare, edhe për shkak të kufizimeve të periudhës ideologjike komuniste, nuk është bazuar shumë tek ky lloj zhanri që e shfrytëzon historinë për letërsi dhe art. Kjo bën që jeta reale në Shqipëri të jetë shumë më artistike dhe më dramatike, se sa ajo që mund të gjejmë në veprat letrare.
 
Pak më lart, ju thatë se veç të tjerash, ky është një libër për idenitetin dhe vetëvetiu duket se mund të nxisë një debat të ri me këtë temë. Pse vazhdon të jetë për ju kaq e prekshme, e ndjeshme dhe kaq kontradiktore? Ç’është kjo Shqipëri pas një personazhi gruaje, pas Sara Blloshmit?
 
Është historia jonë që na ka shoqëruar edhe përpara shpalljes së pavarësisë, edhe përgjatë këtyre 105 viteve të shteti, e që do na shoqërojë edhe më pas. Një histori ciklike që përsëritet në forma të ndryshme pavarësisht nga regjimet, sistemet, pushtimet dhe raporti me lirinë. Debati për identitetin tonë kombëtar, për shkak të specifikave historike, ka ekzistuar dhe do të vazhdojë edhe pasi Shqipëria të jetë pjesë me të drejta të plota e BE. Pavarësisht teprimeve, ekseseve, banaliteteve e vaniteteve që e kanë shoqëruar atë herë pas here, ai është një debat i shëndetshëm, pozitiv, vetpastrues dhe vetkorigjues. Në roman, unë e kam ndarë Shqipërinë në atë përpara dhe pas Sarah Blloshmit. Për mua ajo simbolizon dallandyshen e parë të asaj Shqipërie që kemi ëndërruar brez pas brezi, e që fatkeqësisht, do të duam edhe shumë kohë të tjera për ta arritur.
 
Ju folët për një udhëtim në histori, kërkime për të përmbushur lëndën e këtij libri. Ju keni qenë, dhe vazhdoni në kontruktin tuaj si gazetar, publicist, pse nuk e bëtë një libër gjithë dokumentacionin, ndoshta do ishte më afër natyrës tuaj, më afër Alfred Pezës?
 
Ndihem më afër shkrimtarit sesa historianit, pavarësisht se studimet për Doktoraturë, po i përfundoj për histori arti. Vetëm letërsia artistike nëpërmjet gjinisë së romanit, ma ka dhënë deri tani hapësirën, lirinë dhe mundësinë për ti shprehur ashtu siç duhet idetë dhe gjykimet e mia. “Sarah” nuk është thjeshtë një histori për disa personazhe të jashtëzakonshëm. Ai është një libër ku çdo shqiptar, çdo lexues do ta kuptojë se është edhe vetë një personazh. Jam munduar që të harmonizoj sa më mirë traditën me romanin modern, që është sot në trendin e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Pres të mësoj nëse ia kam arritur. Hulumtimet e mia kanë zgjatur 5-6 vite dhe romanin e kam shkruar për 8-9 muaj. Takimi im me letërsinë sapo ka filluar.
 
 
Thuhet se është një roman që do na befasojë, kujt ja keni besuar vlerësimin e parë ndonjë kritiku, njerëz të letrave…?
 
Libri do edhe disa ditë që të dale në treg dhe nuk kam arritur që tia besoj ende ndonje kritiku apo shkrimtari. E kanë lexuar deri tani një numër shumë i kufizuar dashamirësish dhe bashkëpunëtorësh shumë të afërt. Mes tyre sigurisht edhe bashkëshortja ime Mirela, e cila ka qenë e para që ka ditur sekretin tim të madh, për tundimin e jashtëzakonshëm që ti qasesha letërsisë. Një shteg sa ndjellës aq edhe i rrëzikshëm, që e kisha kundruar nga larg me adhurim, por nuk pata asnjëherë guxim që ti afrohesha. Gjatë 2017, kuptova se isha gati.

Next Post
Cërrik/ Shkolla me emrin e nxënëses, arsyeja po i prek të gjithë…

Cërrik/ Shkolla me emrin e nxënëses, arsyeja po i prek të gjithë...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zhvillohet sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, risia e këtij viti

Ndryshime në Maturën Shtetërore, zv.ministrja: Nxënësit që ngelin në 3 lëndë, përsërisin vitin shkollor

January 16, 2026
Keni aplikuar për vizë jo-emigruese në SHBA? Ambasada ka një njoftim me rëndësi

“Nga bashkimet familjare te…”, ekspertja sqaron cilat viza preken nga pezullimi i DASH-it për shqiptarët dhe cilat jo

January 16, 2026
VIDEO / Masakra e Reçakut, prezantuesja në Kosovë shpërthen në lot teksa jep lajmet

VIDEO / Masakra e Reçakut, prezantuesja në Kosovë shpërthen në lot teksa jep lajmet

January 16, 2026
BE në krah të Kopenhagenit për mbrojtjen e Groenlandës. Von der Leyen: Strategji e re sigurie evropiane

BE në krah të Kopenhagenit për mbrojtjen e Groenlandës. Von der Leyen: Strategji e re sigurie evropiane

January 16, 2026
Begaj nderon Ismail Qemalin: Aspirata e etërve themelues, e vetmja strategji kombëtare

Begaj nderon Ismail Qemalin: Aspirata e etërve themelues, e vetmja strategji kombëtare

January 16, 2026
Analiza/ Çfarë do ta rrëzonte regjimin në Iran?

Analiza/ Çfarë do ta rrëzonte regjimin në Iran?

January 16, 2026
Kthesë në marrëdhëniet Kinë-Kanada, kryeministri Carney takohet sot me Xi Jinping

Kthesë në marrëdhëniet Kinë-Kanada, kryeministri Carney takohet sot me Xi Jinping

January 16, 2026
SHBA-të mund ta blejnë Groenlandën? S’është çudi. Tradita amerikane në blerjen e territoreve

SHBA-të mund ta blejnë Groenlandën? S’është çudi. Tradita amerikane në blerjen e territoreve

January 16, 2026
Preç Zogaj: Katër mesazhet që na vijnë nga takimet e Salianjit dhe Alimehmetit

Vendimi i Trump për vizat, Zogaj: Duket sikur hanë qyl, por shqiptarët drobiten me 3 punë në Amerikë

January 16, 2026
U zgjodh drejtuesi i SPAK, Dumani “i dorëzon çelësat”, Klodjan Braho merr detyrën në krye të Prokurorisë së Posaçme

Vendimi i GJK, gazetari: SPAK u merrte njerëzve telefonin në rrugë dhe nxirrte të dhënat në pazar, tani kufizohen

January 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In