Nga Mero Baze
Shqipëria i ka besuar qeverisjen lokale socialistëve shqiptarë, nga Vermoshi në Konispol, përmes një vote politike masive, e cila duket se është një ndëshkim i pamëshirshëm ndaj Sali Berishës dhe parterit të tij në koalicion, Ilir Metës, për të shkuarën e tyre dhe përpjekjen për të mbajtur peng opozitën shqiptare.
Edhe pse shumë kandidatë socialistë ishin vërtet shumë të mirë, fitorja ka përfshirë thuajse çdo kandidat, pasi votuesit janë pozicionuar politikisht ndaj opozitës. Të vetmet “fitore” të vogla të opozitës janë në zona të izoluara të varfëra dhe me votues të pakët, ku vota nuk është politike, dhe ndikimi i izolimit dhe lidhjeve klanore kanë diktuar mbi politikën.
Në përfundim të këtyre zgjedhjeve kemi disa statistika dramatike, të cilat duhen lexuar mirë nga ata që duan të bëjnë opozitë në Shqipëri.
Deri në këto momente që shkruaj, shqiptarët i kanë dhënë të drejtë opozitës të qeverisë rreth 50 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa socialistëve të qeverisin 2. 750. 000 banorë.
Kjo është shifër dramatike.
Praktikisht shqiptarët nuk i kanë besuar opozitës për të qeverisur, as 1,8 për qind të popullit shqiptar duke e zhvlerësuar atë jo vetë si formacion politik, por dhe si element të infrastrukturës politike në vend. Po ti shtosh pastaj kësaj shifre dramatike dhe territorin që ka fituar opozita në Malësitë e Pukës dhe Memaliaj, e kupton qartë se Shqipëria e ndriçuar dhe qytetet e mëdha që votojnë politikisht, e kanë refuzuar atë me vendosmëri.
Statistika e dytë është se nga tre partnerët në koalicion, Berisha, Meta dhe Dulja, i bie që Dulja ka realizuar 33 për qind të objektivit të tij, pasi ka garuar për tre bashki dhe ka fituar një prej tyre.
Ilir Meta ka realizuar 25 për qind të objektivit të tij, pasi ka garuar në katër Bashki dhe ka fituar një prej tyre.
Sali Berisha ka realizuar 5,5 për qind të objektivit të tij, pasi ka garuar në 54 bashki dhe ka fituar 3 pre tyre.
Pra Sali Berisha është udhëheqësi me rezultatin më të keq brenda koalicionit, duke u keqpërdorur nga Vangjel Dulja dhe Ilir Meta.
Statistika e tretë ka të bëjë me reagimin e shoqërisë shqiptare kundër racizmit dhe ndarjes krahinore. Fitoret masive të socialistëve në Veri të Shqipërisë, erdhën pas një fushate raciste të Sali Berishës, i cili në fund të fushatës, kur e pa veten pa shpresë, filloi t’i fryjë zjarrit të ndarjes Jug- Veri, duke bërë thirrje që Veriu të mos votojë Edi Ramën.
Të njëjtën gjë bëri dhe partia e Berishës në Sarandë, duke përdorur një gjuhë raciste krahinore ndaj kandidatit socialist në atë qytet, Oltion Çaçi, dhe u ndëshkua me një rezultat historik me mbi 3 mijë vota diferencë. Ky është një mesazh që bën krenar çdo shqiptar për aftësitë e shoqërisë sonë për të reaguar ndaj ndarjeve krahinore dhe gjuhës raciste të liderëve politik.
Statistika e katërt ka të bëjë me integritetin e zgjedhjeve në zonat e pakicës greke në Shqipëri. Kandidati për krye bashkiak i Himarës, Fredi Beleri, u arrestua dy ditë par zgjedhjeve, pas provave të qarta në përpjekje për të blerë vota.
Fakti që qeveria arriti të menaxhojë situatën dhe t’i numërojë votat duke e nxjerr fitues me 17 vota Fredi Belerin, është dëshmia më e fortë se zgjedhjet ishin të ndershme, të drejta dhe një proces i sigurtë, ku një të akuzuari ligjërisht për hajdut, i numërohet vota edhe pse nuk është aty.
I njëjti proces model u zhvillua dhe në Finiq dhe Dropull ku fituan kandidatët socialistë Romeo Çakuli dhe Dhimitër Bushi, në partneritet me Megën.
Do të mjaftonte ky fakt të binin poshtë gjithë pretekstet dhe alibitë që po përpiqet të gjejë çifti Berisha- Meta pas rezultatit katastrofik.
Statistika e pestë ka të bëjë me mesazhin që shqiptarët po i dërgojnë opozitës shqiptare. Vota masive e shqiptarëve kundër kandidatëve të opozitës nuk lidhet e gjitha me kandidatët.
Pavarësisht rezultatit negativ, Belind Këlliçi, Igli Cara, Luçiano Boçi, Bardh Spahia dhe disa kandidatë të tjerë, nuk janë për t’u ndëshkuar në mënyrë kaq të ashpër sa u ndëshkuan. Ata dhe opozita shqiptare duhet të kuptojnë se ata u ndëshkuan si njerëz të Sali Berishës dhe Ilir Metës, si maska të tyre, madje më keq, si hileqarë që kërkonin të përdornin fuqinë e Berishës e Metës për të hyrë në politikë.
Shqiptarë ua hoqën këtë maskë. Ja hoqën fuqinë politike dhe elektorale, duke i lënë ata në sprovë të përpiqen t’ia dalin vetë, pa njeriun më të urryer të politikës shqiptare. Nëse nuk ja dalin, të ikin në shtëpi me dështimin e tyre dhe jo me dështimin e Sali Berishës.
Edhe pse e paprovuar me fakte, është e qartë se në shumë qytete të mëdha të Shqipërisë, kundërshtarët e Berishës në opozitë nuk i kanë dhënë vota as kandidatit të Partisë Demokratike zyrtare, siç është rasti i Bejkos në Tiranë, apo atij në Kamzë, por kanë respektuar aktin e tyre, duke ja dhënë votës direkt kandidatëve socialistë, për ta dëmtuar më rëndë Sali Berishën.
Ky duket ka qenë një vendim në heshtje i çdo demokrati që ja ka sjellë në majë të hundës vendosmëria e Sali Berishës për të qëndruar si uzurpator në krye të opozitës. Dhe kjo ka ndodhur nga Shkodra deri në Vlorë, ku demokratët ose nuk kanë dalë në zgjedhje, ose kanë dalë dhe kanë votuar kundërshtarin për të ndëshkuar dyfish Sali Berishën.
Ky mesazh duhet marrë seriozisht, nëse ata duan që ai votues të rikthehet në vathën e tyre. Ata duhet të dalin para shqiptarëve, pa maskën e Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe pa shkollën e tyre politike. Përndryshe ndëshkimi do të vazhdojë. Ata duhet të kuptojnë qartë se këto nuk ishin zgjedhje lokale, por një referendum kombëtar politik dhe gjeopolitik, që tregon se shqiptarët nuk e shkëmbejnë Perëndimin me fytyrën e Sali Berishës dhe Ilir Metës, dhe nuk hyjnë në luftë me SHBA për hallet e Sali Berishës.
Sot Sali Berisha është një “mbret lakuriq”, të cilit shqiptarët ja hoqën veshjet e rreme, kurorat e rreme që mbante mbi kokë dhe mbi të gjitha, fuqinë e rreme me të cilën pretendonte se mundte kundërshtarët.
Ai është sot thjesht një zaptues selie, i cili duhet nxjerrë zvarrë nga selia, nëse nuk del për t’i hapur rrugë rithemelimit të një opozite të re, pa atë, për t’i dhënë shanse dhe shpresë shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme, të cilat nuk janë shumë larg.
Sa më shumë të rrijë aty si zaptues i opozitës, aq më shumë do ta kalbë elektoratin opozitar, duke shkrirë përfundimisht PD dhe duke e marrë atë me vete në rrugën pa kthim. Për hallin e tij!