Më 16 dhjetor bota përkujton ditëlindjen e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Ludwig van Beethoven. I lindur në 16 dhjetor 1770 në Bon të Gjermanisë, Beethoven do të shpërngulej përgjithmonë në 1791 në Vjenë, ku do të niste një karrierë triumfuese, e cila ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës.
Autor i 9 simfonive legjendare, Beethoven ka shkruar edhe 32 sonata të famshme për piano, pesë koncerte të jashtëzakonshme për piano e orkestër, një meshë solemne, një opera (Fidelio), kuartete të famshme për harqe dhe shumë vepra të tjera, të cilat e kanë vendosur në majën e Olimpit të muzikës botërore. Ai shihet sot si një ndër kompozitorët më popullorë dhe universalë të muzikës klasike në botë.