Nga Josif Papagjoni
Këto ditë kryeministri i vendit Edi Rama duket se lëshoi pe për “çështjen Bejleri”. Edhe mendja më e thjeshtë politike e di se kjo erdhi pas një uverture jo të lehtë me koreografinë e politikës greke “ma jep, s’ta jap”, e kushtëzuar nga guri i dominosë që Greqia ka ndaj nesh me veton për stopimin e procesit të negociimit tonë me BE. Po t’i largohemi një hop të qenit shqiptar, qëndrimi i rreptë i Greqisë si vend i Bashkimit Evropian mund të dekriptohet ballazi me respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave etnike, ndërsa nëpër basifondet okulte të një nacionalizmi, le ta quajmë edhe ekstrem, të tund bishtin si përherë i ashtuqëuajturi “Vorio Epir”.
Kjo e dyta, nga pikëpamja gjeostrategjike, e territoreve dhe e kufijve, sipas meje, është një çështje e mbyllur, porse gulshet e një kujtese historike të traumatizuar, sa nga grekët aq dhe nga shqiptarët, herë pas here dalin nga zgafellet e armiqësive të dikurshme, identitetit antropologjik, gjuhësor, fetar etj. Unë mendoj se gjesti politik i Ramës vjen në arsyen e vetë, pra në mendësinë e një shteti që mëton Evropën dhe mënyrat e zgjidhjeve të problemeve të tilla të mprehta, ku pikaset një ndërveprim a kokolepsje midis drejtësisë, administratës dhe ligjit ndërkombëtar. Ky gjest shpreh një zhvendosje të zgjuar qëndrimi, njëkohësisht edhe konceptit politik të qeverisë dhe kryeministrit drejt “real politikës”, çka përfshin natyrshëm një dioptri pragmatizmi që zgjidh punë, jo vështirëson e pamundëson. Vetua greke shtyu kështu drejt gjetjes së një kompromisi, kërkimin e një daljeje nga tuneli i krijuar në interes të përbashkët.
Çështja “Bejleri” u mbufat e u mbufat, dhe ec e gjeja fundin. Nuk kam dashur t’i futem kësaj siujdhese, që duket si ajo e Skillës dhe Karribdës; nuk jam një Uliks t’ju shpëtoj kafshimeve të përbindshave (nacionalizmave) sa andej, këndej. Shqiptarët kinse “patriotë” do më quanin tradhtar, grekët do më quanin “shqiptaromadh”. Kjo çështje nuk është thjesht politike, as thjesht produkt i deformuar i një procesi elektoral etj. Aty futen elemente të thukëta historike, antropologjike, linguistike. Ka pra disa “përbindsha”, që kërkojnë njerëz të ditur sa dhe optika bashkëkohore, pse jo kozmopolitane në sensin përtej-religjioz të “Urbi et Orbi”. Jo thika dhe dhëmbë të shtrënguara, por nderje dore, mirëkuptim, argument. Shkurt e troç: unë jam një shqiptar me origjinë nga Bregdeti, nga fshati Shënvasil, ndryshe thënë nga krahina e Himarës. Himara dikur kishte 55 fshatra, ku përfshihej krejt Labëria, që më vonë u islamizua nga turqit dhe Ali Pashë Tepelena. Pastaj Himara u identifikua në 18 fshatrat e saj të krishtera të Bregut të Detit në vijën Himarë-Nivicë-Bubar. Nga këto 18 fshatra vetëm tre flasin edhe sot greqisht: fshati Himarë (jo qyteti Himarë), Palasa dhe Dhërmiu. Të tjerat flasin shqip…
As dua t’ia di se kush është Fredi Bejleri. Po ka vjedhur vota, le të rrijë përpara togave të zeza: krenar apo kokëulur, si t’ia thotë mendja e zemra. Fredit nuk i lejohet të bëjë betimin. Fare thjesht, po të bëjë betimin, qoftë ose jo në proces gjyqësor, ai ka të drejtën e emërimit të stafit të tij, pra dhe angazhimin e këtij stafi për të realizuar premtimet elektorale. Kjo është pika nevralgjike që dua të cek në këtë shkrim a shqetësim timin. Cila është Alfa dhe Omega e Bejlerit për bashkinë e Himarës? Thembra e Akilit, sipas meje, është një dhe vetëm një: trajtimi i pronës në territorin e fshatrave të Bregut, që sot Zoti u ka falë pekule, teksa bashkëkohësia dhe zhvillimi i turizmit iu ofron një shans të artë begatie.
Po pse ia kanë dhënë votat fshatrat e Bregdetit Fredi Bejlerit, mos vallë pse ai na dashka të krijojë në Bregdet një premisë dhe hile helenizimi, ose siç e pat quajtur një politikan kinse patriot i madh i majës së fikut, “një Zajdnicë të re në Shqipëri”?! Brofka! Në histori, traditë, shpirt e gjak bregasit janë shqiptarë. Po pse atëherë këta “shqiptarë” ia japin votën Bejlerit? Pse? Është një pyetje që nuk zgjidhet me pozat patriotike prej një optike tashmë të perënduar, e cila e nguc “demin elektoral” drejt shkumëzimit ekstremist e “nacionalist”. Bie fjala, në dy fshatrat më shqiptare, Shënvasili dhe Nivicë, vota pro shkoi mbi 70 % ndaj Bejlerit. Ç’domethënie ka kjo? Vetëm se bregasit na paskan marrë, medemek, “kartrat greke” dhe prandaj na deklarohen si “grekë” dhe votojnë Bejlerin; apo anatema të tjera bizantiniste kundër tyre si votues, për të mbuluar të vërtetën, dështimin dhe falimentin e politikës ndaj krahinës së Bregdetit?
Afërmendsh, kanë pjesë të së vërtetës edhe këto. Por ka një arsye më madhore, sipas meje; besoj edhe për ata që e kanë votuar Bejlerin. Troç fare: është prona. Prona zotëri, prona, prona… Dhe prona në Bregdet konvertohet drejtpërdrejt në pasuri, para, investime, përparim ekonomik e social, status, shkëlqim. Këtë arithmetikë të thjeshtë e dinë të gjithë, edhe pleqtë e shastisur mbetur fshatrave. Mirëpo kësaj pasurie i janë sulur sot si çakejt jo thjesht oligarkët dhe gjithfarë sejmenësh lapangjozë, ardhur tufa-tufa nga basifondet e hajnive, por dhe vetë qeveria me favoret që u bën disave prej tyre.
Lexuesi e njeh historinë e Kakomesë. Sajuan ca dokumente dhe ia dhanë qyl një kompanie franceze për të bërë aty një fshat turistik. Por ai ujë i qelbur, gatuar nga qeveria Nano, nuk u shkoi për shalësh niviciotëve. Ata u ngritën, u përleshën me policinë dhe nuk kanë lënë gjer tani që aty të ndërtohen vilat e grabitqarëve. Kanë kaluar 20 e më shumë vjet dhe gjithçka është bllokuar. Kompania hoqi dorë sepse kërkonte saktësi dhe siguri hipotekore. Para do kohe kur rojet i penguan niviciotët të shkonin me fëmijët në plazhin e tyre, pronë e mbajtur me gjak në mijëra vjet, niviciotët e shqyen portën mbrojtëse të firmës. Është një mëri e grumbulluar viteve, ku e drejta dhe e padrejta, ligji moral dhe ligji i pashkruar po përplasen sot shumë fort.
Mos duhet lejuar që konflikti i mbushur me inat e mllef mes shtetit, që kërkon t’ua grabis pronën fshatarëve dhe t’ua japë disa klientëve të kamur të tij, nga njëra anë dhe fshatarëve që e kanë trashëgim nga të parët dhe ekzistenca e përgjakur historikisht e tyre, nga ana tjetër, duhet të marrë forma të vrazhda si para disa viteve? Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata janë zhgënjyer nga qëndrimet e qeverive nëpër vite; janë të dëshpëruar nga ligji 7501, një ligj thellësisht bolshevik, që në bashkinë e Himarës ka nxjerrë kaq shumë probleme, padrejtësi, arrogancë. Bregasit kanë qenë dhe janë njerëz të respektimit të ligjit, por asnjëherë kokëulur, asnjëherë me psikologjinë e robit. Atë tokë ata e kanë mbrojtur me përrenj gjaku duke ruajtur fort identitetin e tyre krahinor, fetar, antropologjik.
Nuk i janë nënshtruar trysnisë perandorake të turqve, nuk pranuan konvertime të shpirtit për 30 asprat e pushtuesit. Kjo krahinë trimërore, e sublimuar edhe nga vargjet e Bajronit te poema e tij e famshme “Çajld Harrold”, ka qenë kocka që osmanët s’e gëlltitën dot, u mbeti në fyt. Si arbëreshët në Itali, arvanitët në Greqi, ky “gjak i paprishur” i shqiptarisë, ka klithur dhe klith: “Mos ma prekni dheun e të parëve!” Ishte kjo trimëri e ky gjak i paprishur shqiptar, që e detyroi Sulltanin e turqve të pranonte “venomet” për krahinën e tyre, Himarën, e cila kishte një farë autonomie nga pushteti qendror: nuk paguante taksa, himariotët mbanin pushkë, bënin gjyqe vetë, kishin vetëadministrimin e tyre etj. Andaj dhe populli krijoi lapidarët e kujtesës së vet për të. Unë po përmend vetëm dy këngë-lapidarë të bregasve:
I:
Dhe sulltani vetë ka thënë:
Djemt e Bregut mos i ngisni,
Ditë e natë në luftë janë,
Xhelep, vergjil të mos paguajnë,
As nizamë të mos shkojnë,
Janë të falur me ferman.
II:
Kush është lulja e Vilajetit
Që bota i kanë sevdanë
Himara në breg të detit
Fshatrat të gjith’ sa janë
Ftisur o në oqean,
Të penës e të dyfekut,
Aman trima, kapedanë!
I kthejnë pendët Dovletit,
Si zogjtë në tramundanë…
Toka, zotërinj të pushtetit, ju të djeshmit që gatuat çorbën e 7501-shit dhe ju të sotmit, që keni futur turinjtë duke vjedhur mijëra e mijëra metra katrorë, hektarë pa fund, me burrat tuaj (ish ministrja Xhaçka) a pa gratë tuaja (ca ish deputetë zhvatës të njohur kësaj ane) – TOKA është bulbi, palca. “Toka” nuk janë ca letrat dhe ca vula hipoteke të paguara me para nën dorë, as ca ligje kokëqypash që erdhën në vitin 1992 me flamujt e grisur të komunizmit, me paradigmat e reformës agrare, kolektivizmit, parimit leninist se “toka i përket atij që e punon” dhe dërci-vërci. Jo zotërinj, toka është e drejta natyrore e njeriut për atë vend ku i kanë vdekur gjyshër e stërgjyshër. Prandaj quhet e SHENJTË. Jo kokëfortësia, por dialogu konstruktiv mund t’i japë zgjidhje e paqe bregdetarëve, ndryshe shuplakës së abuzimeve të bëra ata iu përgjigjen po njësoj me shuplakë. Ka kaq shumë zhgënjim e dëshpërim te banorët e kësaj zone.
Me peticione të shumta ata kanë kërkuar që toka t’i kthehet të zotit, siç e lejuan në zonat veriore po këta qeveritarë. Pse aty e lejuan dhe në Bregdet, një zonë aspak fushore por me male e kodra, nuk e lejuan ndarjen sipas pronarëve legjitimë, paçka se shoqata “Bregdeti” u mundua dhe u mundua pa fund që “toka të shkojë tek i zoti”. Sepse aty, në fshatrat e malësisë, ku edhe sot vepron Kanuni, gjakmarrja, lëvizte lehtësisht gishti e do vriteshin me qindra e mijëra për dy gisht dhe´. Ndërsa Bregdeti, siç thashë, është një zonë që ka njohur dhe njeh ligjin, ato “venomet” qysh nga Sulltani i Madhërishëm (?!!!). Por ata nuk durojnë kur ligji i Maliqit ia hip në kurriz. Jo! Këtij ligji grabitqar 7501 i ka ardhur koha e zhbërjes; një ligj tjetër duhet hartuar.
Dhe kjo një ditë do të bëhet se s’bën, vullneti popullor bregas do ta bëj më në fund, duan a s’duan qeveritarët e përkohshëm sot, do apo s’do ky hajdut apo ai tjetri me emrin “oligark”, gjithë ajo skotë që ia imponon kësaj apo asaj qeverie hajninë. Toka nuk vdes. Toka është një talisman. Toka ka shpirt. Unë kam shpresuar se kryeministri Rama, me një gjak nga Bregu prej të ëmës (Vunoit), do ta dëgjonte këtë thirrje, këtë shpirt. Duhet ta dëgjojë nëse nuk do dëshironte nesër të korrte prej tyre jo dashuri, por indiferencë, mos qoftë dhe më keq. Zhvatja e asaj toke është si rrasa e varrit, nuk fle, ka frymë brenda. E fryma del jashtë kur ia lëvizin rrasën.
Unë po i drejtohem rishtazi kryeministrit Rama, me fuqinë, autoritetin politik dhe atë intelektual që ai ka, me vizionin perëndimor (pra dhe trajtimin e ardhmë të tokës), që të kuptonte të vërtetën. Le të merrte rolin e një farë Samsoni, dhe filistinëve të shumtë që e rrethojnë t’jua priste duart e zgjatur ndaj Bregut. Thjesht dhe qartë, a e rrëzon dot tempullin e hajdutërisë zoti Rama, i cili ka vite që korr e pret asaj ane?! Bregdeti është i bregasve. Kjo po kuptohet e po bëhet çdo ditë e më e mprehtë. Jepjani tokën bregasve dhe ata hyjnë vetë në marrëveshje kontraktuale me investitorët, qoftë për një hotel, qoftë për një shëtitore a qoftë për një fshat turistik.
Ja, prandaj bregasit ia deleguan besimin politik Fredi Bejlerit. Sikurse e thash, fati i tij as më intereson. Më intereson vendi ku kam eshtrat e gjysh-stërgjyshëve. Madje-madje do doja që krahina ime të përfaqësohej jo nga hidraulikë e njerëz me probleme, por nga mendjendritur, profesionistë dhe intelektualë të shquar. Nuk është blerja nën dorë e ca votave për “letrat greke” arsyeja pse bregasit votuan këtë njeri me emrin Fredi, por premtimi i tij për pronat dhe mbrojtjen e tyre nga zhvatësit. Shumë gjërave po u del era, ato qelben gjithandej nga agjendat korruptive. Në tortën e pushtetit përherë ecejaken mijëra minj, grenza, shtërpinj, shushujza, mushkonja, pleshta. Kush do t’i dëboj këta nga “tempulli”? Duhet një kamzhik prej Jezusi. Po ku është ky Jezus, ku? Bëhuni ju një kamzhik zoti Rama si djalë Bregu që jeni, nëse mundeni. Se në mos e marrçi ju, një dorë tjetër do ta marr nesër me siguri atë kamzhik të së drejtës historike e njerëzore.
Ju kujtohet besoj historia e Kakomesë. Një lider i gjatë me emrin Sali Berisha shau asoherë një lider të shkurtër me emrin Fatos Nano për dhunën e kryer. Ky lideri i gjatë i premtoi fshatit (për të blerë ca vota) se ai rrip bregu do t’u jepej niviciotëve porsa ai të vinte në pushtet. Dhe erdhi në pushtet, qëndroi 8 vjet, kurse fjala?!… Ah, fjala e dhënë! Verba volant, scripta manent, – thoshte urtësia latine e senatorit Caius Titus. Unë e di se ka mbaruar epoka e legjendave me një Kostandin e një Dhoqinë. Kostandini nuk mund të ngrihet më nga varri si dikur dhe të mbajë fjalën. Besën, pra. Jo! Sepse kostandinët e politikës shqiptare janë, për dreq, të pabesë ose besëthyer. Ka kohë që në këtë kërleshje partish vallja kështu hiqet: besa bëhet pabesi. Bregasit e kanë kuptuar tashmë se ukaçjerrët apo gojaçjerrët e partive kurrë nuk i sosen këtij dheu. Ata duhet ta mbrojnë vetë tokën e tyre. Jo me dhunë, por me protesta, me opinione.
A e keni vënë re se këto vite çakej të shumtë i janë qasur dhe po i qasen tokave të bregasve, me xhepa të majmë – këta rishtarë qurrashë të Mamonit, djallit të parasë. Ata dinë të futin nëpër xhepat e qeveritarëve kartmonedha. Dhe e gjitha kjo kthehet më pas tek bregasit në refuzim elektoral, në zhgënjim. Prandaj u shpreh edhe në votë ky zhgënjim me zgjedhjen e Bejlerit. Nuk mund të fajësohet votuesi këtu, apo jo? Jo, kurrë! Bejleri vodhi ca vota (e kush nuk ka vjedhë vota në Shqipëri), por ama fitorja e tij është një sfidë. Një sfidë me shumë konotacione. Ju zoti Kryeministër dhe vetë Partia Socialiste duhet ta zbërthejë mirë semantikën politike të saj. Siç e thashë, arsyeja bazë e fitores së tij ishte pikërisht premtimi për një politikë dhe vendimmarrje të drejtë ndaj pronave. Sepse kur Anton Antono-viçët shqiptarë që bubrojnë hallkave të shtetit dhe hipotekave e trashin zullumin, kështu po ngjan, s’ka zgjidhje tjetër.
Bregasit janë nga më atdhetarët e këtij populli: qysh nga perandoria e ububushme osmane, te Rilindja, shpallja e pavarësisë, themelimi i shtetit shqiptar, Lufta II Botërore (ku gjithë fshatrat qenë të lidhura me Lëvizjen çlirimtare) e gjer sot. Syçelët siç janë, ata kanë dalluar një bajloz, i cili ka ardhur me thika e topuzë; jo nga anijet pirate, por nga kolltuqet qeveritare dhe lukunia e grabitqarëve lloje-soje, ministra e gjer tek aktorë komikë. Ka një shpjegim të thjeshtë e gjitha kjo: paraja. Liderët a “rreshterët” e çorbës shqiptare harrojnë se toka është e niviciotëve, shovasjotëve, lukovjotëve, piqerasjotëve, sasanjotëve, borshjotëve, qeparotasve, vunojatësve, himariotëve, dhërmiotëve, palasiotëve etj. E BREGASVE. Hyr në marrëveshje me ta! Bëjeni çdo gjë sipas ligjeve që tregu ka. Gjithfarë çifçinjsh presin gojë hapur të kafshojnë diku ndonjë thelë fshatrave tona. Ndaj dhe “Al Kaponet” e sotëm i janë sulur Bregdetit për t’ua rrëmbyer atë begati, atë dritë, atë “shkëlqim ari” që Zoti vet ua pat dhuruar dhe historia e ka shkruar në përrenj gjaku e trimërie. Sepse niviciotët me Kakomenë, shovasjotët me Krorëzën, si edhe gjithë bregasit e tjerë, nëpër shekuj luftërash i kanë mbrojtur ato rripa toke, ato brigje me zhavorishte, ata shkëmbinj si tapitë natyrale të ekzistencës së tyre.
Çështja e tokave të Bregdetit sikur kërkon një Aleksandër të Madh për ta prerë dysh nyjen gordiane (nyjen e dijetarëve të qytetit të Gordit). Duhet një e rënë shpate. Dhe kjo “shpatë” lëvizet ose nga qeveria dhe ligjvënësit, ose e drejta, sipas konceptit të tragjedisë greke, do të iki prej tyre dhe do të shkojë në duart e banorëve të kësaj krahine. “Çështja Bejleri” është thjesht një pretekst, jo nyja. Kuptojeni, më në fund, se cila është NYJA…