Nga Xhevdet Shehu
Unë e kam njohur Themie Thomain në distancë gjatë regjimit të kaluar dhe nga afër pas vitit 1990. Si atëherë dhe në vitet e mëvonshme më ishte krijuar dhe përforcuar bindja se ajo ishte një nga gratë më të emancipuara dhe më të zonja, një model se si duhet të jetë një grua me përgjegjësi shtetërore. Para pak ditësh ia thashë drejtpërdrejt Themies kur i telefonova për t’i uruar 75-vjetorin e lindjes. E lamë të takoheshim e të bisedonim për një shkrim më të kompletuar në DITA. E mirëpriti me kënaqësi, por ja sa të kalojë kjo flama e koronavirusit, më tha. Ishte gjithë energji dhe optimiste…
Por nuk qe e thënë. Lajmi i largimit të saj nga jeta më trishtoi si për ikjen e parakohshme ashtu dhe për shkrimin apo intervistën që nuk e realizova dot.
Ish-ministrja e Bujqësisë Themie Thomai u nda nga jeta papritmas në 19 dhjetor, në moshën 75 vjeçare si pasojë e COVID-19.
Themie Thomai lindi në Goricaj të njësisë Gradishtë, bashkia Divjakë në vitin e largët 1945, në një familje autoktone të Myzeqesë. Ishte një nga vajzat e reja të jashtëzakonshme të kohës; qysh 25 vjeç drejtoi një prej ekonomive më të mëdha bujqësore e blegtorale në vend, Kooperativën e Këmishtajt, të cilën e bëri ndër më të dalluarat në shkallë vendi.
Kur ishte 30 vjeç, Themie Thomai mori drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë gjatë periudhës komuniste, dhe e drejtoi atë me efikasitet dhe profesionalizëm të lartë nga viti 1975 deri në vitin 1989, duke u bërë ministrja më jetëgjatë e Bujqësisë në Shqipëri. Ishte dhe mbeti deri më sot ministrja e parë grua në atë post. Ishte ndër kuadrot më të aftë të sistemit të kaluar dhe aspak e përfolur apo anatemuar nga shtypi. Të gjithë ata që patën fatin të punojnë me të ruajnë një konsideratë të lartë për talentin që tregoi në drejtimin e dikasterit të bujqësisë në një nga periudhat më vështira të regjimit komunist. Pas vitit 1990, ajo është shfaqur tepër rrallë në shtyp, duke ruajtur të pacenuar personalitetin e saj.
***
Petrit Kumi, një nga fotografët më të mirë në kohën e diktaturës ka shkrepur një foto teksa ministrja më jetëgjatë e Bujqësisë në Shqipëri, kishte qenë një kooperativiste e thjeshtë. Kumi ka treguar se ishte ai që e nxori në kopertinë e revistës “Ylli” dhe Enver Hoxha e bëri ministre.
Themie Thomai ka qenë edhe anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së. Por nuk e mundoi asnjëherë kompleksi i së kaluarës, pasi në postin që mbajti për shumë vite bëri më të mirën e mundshme. Në një intervistë të shumë viteve më parë, Thomai tregonte edhe se si kishte rezistuar për mbi 13 vite në krye të Ministrisë së Bujqësisë.
“Nuk kisha arsye që të mendoja se do të isha ministre, nuk kisha as arsye që të mendoja se do të rrija vite në atë post edhe në momentin kur u ula në atë karrige. Aq e vërtetë ishte sa në kohën dhe hapësirën që më ishte lejuar, nuk kam qenë asnjëherë konformiste. Mendimin e kam thënë ashtu siç e mendoja unë, siç e kuptoja dhe siç e gjykoja unë nga terreni i prekshëm. Natyrisht për këtë kam pasur edhe përplasje dhe shqetësimi im bëhej akoma më i madh dhe i trishtë. Unë e kisha ndryshe mendimin. Nuk isha dakord me një bujqësi arkaike, primitive, isha për një bujqësi që i përgjigjej kërkesave të kohës për të prodhuar. Por, me sa dukej nuk ishin kushtet dhe investimet dhe kjo çonte shpesh në përplasje. Kishte diversitet në mendime dhe shpesh pasoja”, shprehej ish-ministrja.
Në një intervistë të para tre vjetëve, Themie Thomai foli edhe për problemin e përmbytjeve, që në të vërtetë janë bërë një gangrenë e vërtetë për qeveritë e pas vitit 1990. Ajo tha:
“Reshjet ateherë binin më shumë se sot, nuk përmbyteshim sepse funksiononte rrjeti kullues i kontrolluar i tëri, hidrovoret funksionin në mënyrë të përsosur, kolektori i madh pastrohej vit për vit, ishte si një lum, por ishte kolektor. Nëse nuk pastrohet ai nuk ka kullim. Në fund të çdo gushti, çdo hidrovor merrnin në dorëzim ngarkesën e plotë, kontrolloheshin të gjitha digat. Në diga nuk shkelnin as këmbët e bagëtive, çdo gjë përfundonte në fund të gushtit, çdo pastrim kanali etj. Ne duhet të ishim në gatishmëri, kanali i ujerave të larta, pritat malore etj. Të gjitha këto bënin rrjetin kullues.
Ish Ministrja e Bujqësisë, kujtoi edhe një nga përmbytjet më të rënda të historisë së Shqipërisë, përgjatë shekullit të kaluar.
Përmbytja më e madhe ka qënë në Hoxharë, që kanë rënë 300 mlm shi në 24 orë. Sistemi kishte llogaritur të binte 60 mlm shi. Kjo përmbytje erdhi deri në Kolonjë të Lushnjes, u studiua më vonë, u ribënë veprat e artit dhe më nuk u përmbyt. U përmbyt tokat sepse ishin të kripura.”
Zëvendëskryeministri Erion Braçe, njëherësh deputet në vendlindjen e Themies, duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Themi Thomait, u shpreh dje se “Kurrë në kaq vite jetë e punë, nuk kam hasur në atë zonë vlerësim për punën dhe njeriun, drejtuesen e ministren siç për Themie Thomain; Nga njerëz të thjeshtë, njerëz të zakonshëm e punëtorë të jashtëzakonshëm! Themie Thomai ishte ndryshe; E ditur, e zonja, e drejtë, e thjeshtë, punëtore, njeri në fund të fundit!”
Ky vlerësim tingëllon sa i drejtë, aq dhe i sinqertë. Drejtuesi i një institucioni matet me arritjet të shprehura në shifra për entin që drejton. Le të përmendim shkurtimisht disa nga arritjet e bujqësisë dhe pyjeve kur ministre ishte Themie Thomai.
Në pragun e viteve 90 të shekullit kaluar, ish ministrja Themie Thomai e la bujqësinë dhe pyjet në këto parametra: Toka bujqësore e dyfishuar, krahasimisht me paraluftën. Ujitja 60 %, nga 9 % që ishte përpara luftës . Ushqimi kalorifik sigurohej për të gjithë popullsinë banuese. Raporti pyjor prerje-rritje ishte e barazuar. Këto arritje nuk u arritën nga vetëm një Ministre, por nga politikat që ndiqeshin në atë kohë. Sepse të mendojmë vetëm faktin që Kryeministër i vendit kur Themia u bë ministre, ishte Mehmet Shehu, një njeri që e njihte shumë mirë bujqësinë. Vetë Themia e quante veten që për gjashtë vjet kishte shef të saj Mehmet Shehu, me të cilin jo vetëm është konsultuar, por dhe ka debatuar. Prandaj dhe thuhet se nën drejtimin e Themies, arritjet në fushën e bujqësisë u konsoliduan dhe u çuan më tej.
Ministrat e tranzicionit që erdhën pas Themijes ishin burra me grada dhe realizuan tjetër tabllo. Në ditët e sotme bujqësia shqiptare është nga bujqësitë më skeletike të rajonit. Ne më shumë importojmë se sa prodhojmë ushqime çdo vit. Toka fushore është drejt kënetëzimit. 25 % e tokës arë nuk punohet. Raporti rritje-prerja në pyje ka arritur 1:5, siç raporton FAO. Nuk di si mund të jetë ferri, por bujqësia aktuale shqiptare konsiderohet ferr krahasuar me nivelin ku i la bujqësine dhe pyjet Themie Thomai. Shembulli i saj duhet të jetë frymëzues për ministreshat e reja që sot ngjiten lehtësisht dhe me shpejtësi në postet më të larta të vendit.
Këtu nuk ka vend për nostalgji dhe komente të tepërta, pasi shifrat flasin vetë. Themie Thomai ishte sa protagoniste, aq dhe dëshmitare e këtyre arritjeve. Ndaj dhe ka për t’u kujtuar gjithmonë me respekt për kontributin që dha, duke mbetur si shembëlltyrë e një personaliteti gruaje shqiptare të papërsëritshme.