Nga Ilir Beqaj/
Edhe pse jeta politike, e për rrjedhojë në një vend si yni, dhe jeta shoqërore duket se po hyn në një fazë të panjohur dhe të paparë në vende të tjera, Kuvendi do të duhet të vijojë të përmbushë misionin e tij thelbësor në një republikë parlamentare. Të miratojë ligje duke siguruar njëherazi një proces sa më normal e gjithëpërfshirës diskutimi. Prej disa javësh në agjendën e punimeve të Kuvendit është edhe ndryshimi i ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik – privat.
Shënimet në vijim nuk përpiqen të merren me ndryshimet e propozuara. Shqetësimi më buron nga fakti se ka një ndjesi jopozitive në opinion publik rreth përdorimit të partneritetit publik – privat, ndjehet bezdisje, mospëlqim, deri në pakënaqësi.
Duke qënë se kjo çështje është bërë temë e gjithëpërhapur në shoqërinë tonë, edhe prej vendimeve të marra nga vetë unë në një periudhë 3 vjet e gjysëm që kam kryer detyrën e nderuar të ministrit të shëndetësisë, ndjej detyrimin publik dhe politik t’i rikthehem kësaj çështje. Me merakun e vetëm se besoj në efektivitetin e përdorimit të këtij instrumenti financiar dhe ligjor për të realizuar në kohë të shkurtër përmirësime thelbësore në shërbimet që i ofrohen qytetarëve shqiptarë. Dhe më vjen keq që moskuptimet apo keqkuptimet e ndodhura këto vite në Shqipëri të privojnë shfrytëzimin e kësaj mundësie në të ardhmen.
Në krijimin e moskuptimeve dhe keqkuptimeve rol me ndikim kanë luajtuar, pa dyshim, si opozita politike ashtu edhe opinionistë të ndryshëm.
Së pari, nuk mund të lihet mënjanë fakti se PPP-të nuk janë një shpikje shqiptare dhe aq më shumë e qeverisë socialiste të shtator 2013 e në vijim. Vetë ligji që pritet të amendohet është miratuar në prill 2013. Para këtij ka patur edhe një ligj tjetër.
Me PPP sot realizohen disa elementë thelbësorë të jetës sonë të përditshme. Janë të gjitha kontrata të miratuara para shtator 2013.
Me PPP identifikohemi si shtetas brenda vendit dhe kur udhëtojmë jashtë vendit. Kemi lerënjoftime elektronike dhe pashaporta biometrike. Paguajnë qytetarët shqiptarë jo pak, edhe pse sot e kësaj dite nuk është përdorur asnjëherë asnjë nga dy chip-et elektronikë që ka letërnjoftimi, siç nuk është bërë ende ndonjë lexim biometrik i pashaportës shqiptare në ndonjë aeroport europian. Verifikoni letërnjoftimet që keni në xhep dhe do të shikoni se polikarbonati është i dëmtuar. Madje jo pak njerëz e kanë ndryshuar letërnjoftimin sepse është bërë i papërdorshëm. Dhe tani që ka një kërkesë të shtuar për sportele meqë do të duhet një rinovim masiv letërnjoftimesh, operatori, i përzgjedhur që prej 10 vitesh, nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj kërkesë të rritur në sportele. Këto dokumenta i mbajnë në xhep edhe politikanë të opozitave që nuk kanë lënë akuzë pa bërë për PPP-të e shëndetësisë si dhe opinionistë që nuk kanë kursyer asnjë lloj imagjinate pa zhvilluar për PPP-të e shëndetësisë. Tek-tuk kam parë apo dëgjuar të ndihen për letërnjoftimet elektronike qoftë si qytetarë apo qoftë si përfaqësues të publikut.
Me PPP kontrollojmë sigurinë teknike të automjeteve me të cilët lëvizim përditë. Siguri për vete, për bashkëudhtarët në mjetin tonë, për mjetet e tjera dhe për kalimtarwt. Rradhët e kontrollit shpesh herë janë të gjata, ndërsa rastet e mitmarrjes janë edhe çështje e drejtësisë. Me këtë PPP kontrollohen edhe automjetet e politikanëve të opozitave që nuk kanë lënë akuzë pa bërë për PPP-të e shëndetësisë si dhe opinionistëve që nuk kanë kursyer asnjë lloj imagjinate pa zhvilluar për PPP-të e shëndetësisë. Rrallë herë kam parë apo dëgjuar të ndihen për rradhën kur bëjnë kontrollin e automjeteve (nëse merren vetë me këtë çështje dhe nuk ua lënë shoferëve) qoftë si zotërues automjetesh apo si përfaqësues të publikut.
Me PPP shenjojmë karburantin (për të garantuar cilësinë) që hedhim përditë në makinat tona. Ka një ndjesi jopozitive në opinion për cilësinë e karburantit. Jo pak njerëz thosë se sapo kalon në Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi makina ka një fuqi më të madhe. Nuk dihet sa e vërtetë është kjo. Por një gjë është e sigurtë. Me të njëjtin karburant furnizojnë makinat edhe politikanë të opozitave që nuk kanë lënë akuzë pa bërë për PPP-të e shëndetësisë si dhe opinionistë që nuk kanë kursyer asnjë lloj imagjinate pa zhvilluar për PPP-të e shëndetësisë. Nuk kam parë apo dëgjuar të ndihen për cilësinë e karburantit të shënjuar me të cilin furnizojnë makinat qoftë si konsumatorë apo si përfaqësues të publikut.
Me PPP kontrollojmë qarkullimin në treg të mallrave të “forta” si produkte duhani dhe produkte me përqindje të caktuar alkoholi. Herë pas herë ka dëshmi publike të mallrave kontrabandë të sekuestruara të cilat e kanë pullën e akcizës. Dhe problem nuk është vetëm tek shmangiet fiskale, por sidomos te pasiguria për cilësinë e produktit që konsumon. Këto produkte i blejnë dhe i konsumojnë edhe politikanë të opozitave që nuk kanë lënë akuzë pa bërë për PPP-të e shëndetësisë si dhe opinionistë që nuk kanë kursyer asnjë lloj imagjinate pa zhvilluar për PPP-të e shëndetësisë. Tek – tuk kam parë apo dëgjuar të ndihen për rrezikun që u vjen qoftë si konsumatorë apo si përfaqësues të publikut.
Me PPP kontrollojmë çdo transaksion tregëtar mallrash në import dhe në eksport. I kontrollojmë në vetëm 5 pika të kalimit kufitar, por paguajmë në çdo pikë kontrolli kufitar. Kontrollojmë a kalojnë armë, lëndë bërthamore, mbeturina të rrezikshme apo droga të ndryshme. Herë pas here rezulton se këtij kontrolli i kalojnë mallra të paligjshme që zbulohen në vende të tjera. Edhe për këtë çështje heshtje publike.
Më tej, me konçesion kemi dhënë operimin e aeroportit të vetëm të vendit. Në 2018 gati tre milionë pasagjerë. Përfshirë politikanë të opozitave, por sidomos opinionistë. Në mbërritje, nëse ka dy avionë njeherazi, mjedisi ku mbahet rradha për kontrollin e pasaportave është mbytës. Nuk ka asnjë stjuard të ndihmojë të moshuarit, nënat me fëmijë apo invalidët. Ka vetëm policë që merakosen vetëm të mos kalosh vijën e verdhë. Kur arrin në Romë, Milano apo Vjenë të kontrollojnë njëherazi fizikisht a thua se nuk i je nënshtruar një kontrolli në Rinas. Nuk kam parë apo dëgjuar të ndihen për cilësinë e dobët të shërbimeve edhe pse tarifat e aeroportit të Rinasit janë nga më të lartat në rajon.
Me konçesion kemi dhënë edhe terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit. Madje e dhamë me konçesion sapo e mbaruam së ndërtuari me një kredi rreth 18 milionë euro.
Por ja që papritur, kontratat e partneritetit publik privat të lidhura prej shtator 2013 e në vijim na qenkan djalli vetë.
Po përqëndrohem në këto shënime te kujdesi shëndetësor.
Shërbimi i kontrollit bazë mjekësor është shërbimi më i mirë që ofrohet në Shqipëri. Qoftë publik, qoftë privat. Me të njëjtën cilësi nga Tropoja në Leskovik. Po bëhen 4 vjet që funksionon. Dimër e vere. Shi, borë, erë, ngricë, mjegull, nxehtë. Nuk ka një qytetar të vetëm që të jetë paraqitur të bëjë kontrollin e t’i jetë thënë sot nuk punojnë pajisjet. Në vitin 2018 e kanëbërë kontrollin rreth 430 mijë vetë. Seicili prej tyre ka kontrolluar rreth 40 tregues të rëndësishëm të shëndetit. Tregues që analizohen në laboratorë të standarteve më të larta të çertifikuar ndërkombëtarisht. Ka prej tyre që kanë zbuluar rreziqe për shëndetin dhe u janë drejtuar mjekëve specialistë për ekzaminime të mëtejshme.
Shërbimi i hemodializës në 5 spitale të vendit. Vlorë, Lezhë, Korçë, Elbasan, Shkodër. Plotëson rreth 35 % të nevojave të vendit. 50 % të nevojave plotësohen nga operatorë privatë në mjediset e tyre. Në të dy rastet shteti paguan të njëtën tarifë për një seancë hemodialize. Madje përveç lehtësimit të të sëmurëve që nuk udhëtojnë tri herë në javë me dhjetra kilometra, kursehen para edhe nga eleminimi i shpenzimeve të transportit.
Shërbimi i furnizimit të setit të personalizuar të veglave kirurgjikale sterile dhe shërbimeve lidhëse që garantojnë sterilitetin në sallat e kirurgjisë. Ky shërbim e ka rilindur kirurgjinë shqiptare. I njëjti standart cilësor dhe steril për seicilin nga mbi 500 kirurgët e shqipërisë në çdo sallë kirurgjikale të vendit. Realizohen në kushte cilësoredhe të sigurta rreth 7 mijë ndërhyrje në muaj. Çertifikimi ndërkombëtar ISO për të gjithë rrjetin kirurgjikal të një vendi është sot realitet vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër europian. Por më së shumti kanë përfitur pacientët shqiptarë. Zyrtarisht konfirmohet se infeksionet spitalore janë ulur ndjeshëm. Koha e qëndrimit në reanimacion është ulur. Qëndrimi në spital është shkurtuar. Kështu përfiton edhe shoqëria. Më pak shpenzime spitalore për qëndrimin e pacientiti, më pak shpenzime sociale për pagesën në të holla për pëfituesin e invaliditetit.
Tri kontratat e mësipërme kanë punësuar rreth 750 vetë.
Kontratat e PPP-ve të sistemit të kujdesit shëndetësor publik kanë një ndryshim nga kontratat e lidhura deri në shtator 2013. Kontratat e sistemit shëndetësor nuk kanë sjellë tarifa shtesë të drejtpërdrerjta për qytetarët. Dhe kjo në përputhje me angazhimet politike të 2013 të PS që kujdesi shëndetësor do të ofrohet pa pagesë për këdo që jeton në Shqipëri. Nëse qytetarët paguajnë për letërnjoftimin apo pashaportën biometrike, paguajnë për kontrollin e automjetit, nëse në çmimin e karburantit është edhe tarifa e shënjimit të tij, nëse në importet apo eksportet e mallrave paguhet edhe tarifë për skanimin e mallrave, nuk paguajnë as për kontrollin shëndetëtsor bazë, nuk paguajnë as për shërbimin e dializës, nuk paguajnë as për setin kirurgjikal. Sigurisht që edhe në këto kontrata qyetarët paguajnë tërthorazi, pasi janë ata që paguajë taksa apo kontribute të detyrueshme me të cilat financohet kujdesi shëndetëtsor publik përfshirë edhe shërbimet në fjalë.
Kontratat e PPP-ve në kujdesin shëndetësor publik janë kritikuar ideologjikisht edhe nga idhtarë të së majtës. Për vlerësimin tim, edhe këtu kritikat janë të pavend. Së pari, në kujdesin shëndetëtor publik përveç personelit dhe ndërtesave gjithçka tjetër furnizohet nga privatët. Me kontrata blerjesh, shërbimesh apo mirëmbajtjesh. Së dyti, rëndësi parësore ka që qyetarët të mos paguajnë drejtpërdrejt dhe paratë publike të përdoren në mënyrë sa më efektive. Nëse kjo arrihet nuk besoj se ka ndonjë gjë më të rëndësishme për një politikë të majtë.
Jam i vetëdijshëm se shënimet e mësipërme nuk do të kthjellojnë menjëherë dyshimet e përhapura në mendjen e shumë njerëzve.