Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki nuk i ka harruar deklaratat e Zelenskyt të bëra gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit lidhur me mosmarrëveshjen midis tyre për eksportet e grurit dhe i ka kërkuar që “të mos fyejë kurrë më, polakët”.
Kjo kundërpërgjigje erdhi pasi udhëheqësi ukrainas tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se mosmarrëveshja e krijuar mund të ishte një “teatër politik”.
Nga një miting në Swidnik, Morawiecki duke iu drejtuar Zelenskyt tha:
“Dua t’i them Presidentit Zelensky që të mos i ofendojë më polakët, siç bëri kohët e fundit gjatë fjalimit të tij në OKB. Populli polak nuk do të lejojë kurrë që kjo të ndodhë dhe mbrojtja e emrit të Polonisë nuk është vetëm detyra dhe nderi im, por edhe detyra më e rëndësishme e qeverisë polake.”
Në fakt, përplasja mes dy vendeve, zemëroi shumë njerëz në Evropë dhe në një kohë të tillë, u konsiderua edhe si një “dhuratë” për Putinin, shkruan CNN.
Ndërsa komentet e bëra së fundmi nga kryeministri polak, rrezikojnë të thellojnë ndarjet midis dy vendeve, që më parë kanë qenë aleatë të ngushtë të bashkuar kundër pushtimit rus të Ukrainës./m.j