Rezultatet e zgjedhjeve ku PD shihet qartazi se ka pësuar një humbje të thellë ka venë në qendër të përplasjeve edhe mjaft figura brenda PD-së, si dhe mbështetës të Bashës. Ish ministri i Jashtëm i PD, Besnik Mustafaj, që në orët e para të mëngjesit kërkoi që Basha të dorëhiqej. Në të njëjtën linjë është edhe ish deputeti i PD Ilir Rusmajli, i cili shkon edhe më tej duke nënvizuar se “ringritjen e PD nuk mund ta bëjë më as Basha dhe as Berisha”. Por Henri Çili, një figurë pranë Bashës është kundër dorëheqjes së kreut aktual të PD-së. Sipas tij, Bashës i duhet lënë kohë që të realizojë projektin euroatlantik dhe modernizimit të PD, “duke u ndarë një herë e mirë nga punistët dhe sabotatorët brenda PD”.
Besnik Mustafaj: Basha të ikë që sot!
Ish ministri dhe ish deputeti demokrat, Besnik Mustafaj shprehet se pas kësaj humbje të thellë, Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen që sot dhe ti lërë partinë në dorë sekretarit të përgjithshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Në një analizë ekskluzive për Gazetën Panorama ai shkruan se PD-ja tani ka nevojë që Sali Berisha, ish lideri i kësaj force politike, të luajë rolin e tij në organizimin e zgjedhjeve, por ndryshe nga katër vite më parë, preferencën e tij ta shprehë jo publikisht por me votë të fshehtë.
ANALIZA E PLOTË
Zgjedhjet e radhës për në Kuvendin e Shqipërisë përfunduan. Numërimi i votave vazhdon. Dalja e rezultatit përfundimtar do të vonojë edhe pak, me siguri. Por të dhënat, që tregojnë se opozita ka humbur rëndë janë të mjaftueshme. Veçanërisht dramatike kjo humbje paraqitet për Partinë Demokratike e cila, me gjasa, e ka thelluar fundosjen që pësoi katër vjet më pare. Në rastin më të mirë, mbetet aty ku ka qenë, në fund të posit. Do të dalin shumë veta sot e në ditët në vazhdim, që do të shpallin se kjo humbje ishte e e pritshme dhe se ata e kanë parashikuar dhe paralajmëruar me kohë. Në gjendjen e sotme, kjo lloj largpamesie nuk ka më asnjë rëndësi. Siç nuk ka asnjë rendësi që ne demokratët t’i biem kokës me grushte e të vajtojmë disfatën.
E rëndësishme është që Partia Demokratike, si trupa më jetëdhënëse politike e Shqipërisë, të dëshmojë se zemra dhe truri i saj nuk kanë vdekur. Pa humbur asnjë minute, ajo duhet të mbledhë veten dhe të shohë përpara, drejt zgjedhjeve për pushtetin vendor, që janë pas dy vjetësh dhe ato parlamentare pas katër vjetësh. Ne demokratët, të gjithë, pa asnjë përjashtim, të vjetër e të rinj, duhet të shtrëngojmë dhëmbët për të mbytur dhimbjen dhe të gjejmë forcë te vetja për ta ringjallur Partinë Demokratike, të cilës në zgjedhjet e kësaj here nuk ia pamë as fytyrën në skenat ku fliste për veten e tij kryetari ynë Lulzim Basha. Të gjitha shenjat tona dalluese, me të cilat ne demokratët jemi paraqitur para shqiptarëve qysh në dhjetor 1990 për t’u ushqyer atyre ëndrrën dhe besimin te liria, demokracia dhe barazia e shanseve ishin fshirë për t’i lënë vendin një sajimi të muajve të fundit: “ Republika e re”.
Ky ishte sajimi origjinal i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nuk është hera e parë gjatë këtyre 26 vjetëve që ne demokratët humbim në zgjedhje. Por dështimi i “Republikës së re” është mirëfilli i turpshëm. Dhe është i tillë personalisht për Lulzim Bashën. Prandaj edhe shkundja e Partisë Demokratike duhet të fillojë nga dorëheqja e tij e menjëhershme nga të gjitha funksionet drejtuese në Partinë Demokratike. Do të ishte në nderin e tij që ai ta kryente këtë veprim qysh sot për veten e tij. Ai nuk ka më asnjë të drejtë të flasë në emër tonë. Lulzim Basha është drejtpërdrejtë përgjegjës pse ne demokratët jemi sot kokulur para kombit për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë si Edi Rama me tarafin e tij.
Bashkë me dorëheqjen, Lulzim Basha, në përputhje me kompetencat statutore që i ka ende, duhet të shpallë edhe fushatën zgjedhore për kryetarin e ri të Partisë sipas parimit të vendosur tashmë një anëtar – një votë. Drejtimi i partisë për këtë periudhë zgjedhore duhet t’i kalojë Sekretarit të Pergjithshëm ose një strukture të posaçme, e cila të udhëheqë këtë proces zgjedhor me ndershmëri dhe paanësi ndaj atyre, që do të përfshihen në garë. Lulzim Basha nuk duhet të ketë në dorë asgjë më shumë nga çdonjëri prej antarve të thjeshtë të Partisë. Përndryshe, unë për veten time kam frikë se ai do të përpiqet ta prishë garën me ndërhyrjet e tij. Unë për veten time nuk besoj më se ai do t’i vendose interest e Partisë mbi interest e veta për pushtet.
Gara duhet të jetë e vërtetë dhe plotësisht e hapur për të gjithë antarësine demokrate. Kjo garë duhet te jetë thellësisht transparente për mbarë opinionin publik shqiptar. Unë shpresoj sinqerisht se do të shohim qysh sot emrat e parë të kandidatëve. Gara duhet të ketë gjithashtu një kohë të mjaftueshme, me qëllim që ne, demokratët, t’i njohim mirë cilësitë e kandidatëve, t’i shohim ata nga afër dhe në debate të hapura dhe konstruktive me njëri – tjetrin, të krahasojmë alternativat e tyre për drejtimin e Partisë dhe të bindemi për të zgjedhur atë që do të jetë vërtet më i miri për nga integriteti, më i dituri në familjen tonë politike të qendrës së djathtë, më i vendosuri për t’i bërë ballë një kundërshtari arrogant, të korruptuar deri në palcë dhe shtypës si Edi Rama. Nga secili prej ne demokratëve kërkohet kësaj here një pjekuri e veçantë. Do të vendosim për fatin e Partisë Demokratike. Do të vendosim fatin e opozitës, ku mishërohet në fakt fati i demokracisë tonë. Tashmë e dimë se Edi Rama do një opozitë, të cilën ta tërheqë për hunde, për ta patur fasadë, siç bëri me Lulzim Bashën në marrëveshjen e fundit. Ne e kemi detyrë historike ta shmangim këtë mynxyrë.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike është e vetmja strukturë politike në Shqipëri, e cila ka zhvilluar në këto 26 vjet zgjedhje të brendshme përmes një gare dinjitoze e në standartet demokratike europiane. Ky rast përbën pa dyshim një përvojë të çmuar për vetë Partinë Demokratike, të cilën kjo parti nuk duhet ta asgjësojë, pavarësisht gabimit të rëndë që bëri Basha duke e përjashtuar rininë demokrate nga kandidimi për në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Unë do të dëshirojë shumë që FRPD të merrte një përgjegjësi të posaçme në zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë. Kam parasysh këtu administrimin e procesit zgedhor. Pavarësisht për cilin kandidat do të votonte çdonjëri individualisht , kam besim të madh se të rinjt demokratë do të tregohen seriozë dhe parimorë sidomos në fazën më delikate të këtij procesi, që është numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultatit. Ata do të na japim një mësim të mirë edhe ne “senjorëve”, që nuk kemi arritur ende të kryejmë me nder një punë të tillë.
Është rasti t’i drejtohem personalisht edhe Sali Berishës. Ne kemi nevojë që ai ta luajë rolin e vet duke mbështetur haptas dhe me parimësi dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe çeljen e garës për kryetarin e ri. Duke mbështetur një garë të hapur dhe të ndershme brenda Partisë e cila, në njëfarë mënyre, është e gjithë jeta e tij si politikan, Berisha do t’i bëjë kësaj partie shërbimin, për të cilin ajo ka nevojë. Kësaj here, ndryshe nga katër vitet më parë, parapëlqimin e tij Berisha duhet ta shprehë vetëm me votën e vet të fshehtë. Berisha është i vetmi personalitet demokrat, që me figurën e tij ndikuese, mund ta prishë garën duke e zhballancuar atë. Unë kam besim se kësaj here do të shfaqet Berisha i dikurshëm, siç e kam njohur e çmuar kur punoja për të, duke vënë interesat e Partisë Demokratike përmbi preferencat e tij personale. Unë jam i bindur se Berisha e bën më mirë se cilido nga ne diagnostikimin e lëngatës së Partisë Demokratike. Fëmijët tanë janë tashmë në moshën që kishim ne kur themeluam Partinë Demokratike dhe i hapëm Shqipërisë horizontin e ri. Ne kemi detyrë t’u lëmë këtyre fëmijëve një Parti të shëndetshme. Apo jo, Sali ?
Henri Çili: Jo dorëheqje, largo punistët dhe sabotatorët nga PD
Botuesi i mediave Mapo replikon me ish-ministrin e Jashtëm demokrat, Besnik Mustafaj që kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës
Miku im Besnik Mustafaj, në nxitim dhe panik të pazakonshëm, i kishte kërkuar që sot dorëheqjen Lulzim Bashës për rezultatin e dobët në zgjedhje.
As që i dyshoj qëllimet e mira të këtij njeriu të mirë dhe me vlera në jetën publike, por jam kundër gjykimit thellësisht jopolitik të situatës, kontekstit dhe liderit Lulzim Basha.
Po, është e vërtetë, Lulzim Basha nuk arriti ta sjellë në pushtet PD-në brenda një mandati opozitar, po kush nuk e dinte këtë. Vetëm budallenjtë!
Së pari, është shumë e rrallë, madje aksidentale, që qeveria në fuqi të mos e marrë një mandat të dytë për performancë apo inerci, inerci apo performancë, nuk ka rëndësi.
Së dyti, kush mund t’i kërkojë sot llogari Lulzim Bashës për rezultatin, kur ai u bë zot i veprimeve të veta vetëm së fundmi, jo më pak se pesë-gjashtë muajt e fundit. Vetëm maskarenjtë do të ishin ata që do ta kërkonin këtë llogari, kur ai u bë lider i vërtetë i partisë vetëm këto muajt e fundit.
Së treti, kush mund ta llogariste që kontributorët e humbjes së vitit 2013, deri para disa javësh, protagonistë të luftës opozitare, nuk do kontribuonin bindshëm edhe me humbjen e thellë të 2017-ës.
Ky është konteksti, të cilin miku Mustafaj e neglizhon.
Po ashtu, diçka e madhe e strukturore ka ndodhur në spektrin politik së paku prej 20 vitesh: tripolariteti, LSI dhe figura e Ilir Metës në politikën shqiptare, të cilin Lulzim Basha as është përgjegjës që e shkaktoi, as mund të jetë herkul politik që ta zhbëjë.
Prezenca e LSI në spektrin politik duhet të menaxhohet.
Mesa duket është e qartë tani e tutje se pa LSI-në nuk mund të ketë rotacion politik kundrejt të majtës as në të ardhmen.
Pikërisht tani kur Lulzim Basha po formëson identitetin e tij politik, profilin e tij dhe stilin e tij, ai nuk mund të ndëshkohet, ai duhet të mbajë përgjegjësi dhe të bëjë korrigjime, por assesi të tërhiqet.
Sigurisht Partia Demokratike ka nevojë për një proces, spektri i djathtë ka nevojë për një strukturim përtej PD-së.
Partia Demokratike duhet të jetë parti korrentesh e nuancash dhe jo një parti unicentrike.
Por për të gjitha këto ka kohë: një proces i hapur primaresh brenda PD dhe të djathtës duhet të zhvillohet në një koncept federues si qendrat e djathta të shumë vendeve perëndimore, duke braktisur modelin unicentrik të deritashëm të Partisë Demokratike, që mund ta realizonte një lider karizmatik dhe historik si Sali Berisha, por që fatkeqësisht e aplikoi me naivitet Basha.
Për të gjitha këto ka kohë dhe analiza sapo ka filluar.
Por në këto ditë, kur të gjithë duan të shikojnë difektet dhe paaftësitë e Lulzim Bashës, unë dua të rendis disa merita të tij, jo të pakta, jo të thjeshta për t’u arritur në një kontekst të vështirë politik si Shqipëria.
Së pari, Lulzim Basha është lideri më i besueshëm politik i të djathtës për partnerët perëndimorë, SHBA dhe Gjermania.
Së dyti, ai i solli Shqipërisë një standard të ri me luftën e fituar për dekriminalizim.
Së treti, me luftën e tij për reformën në drejtësi, krahas faktorëve të tjerë, ai e përmirësoi dukshëm këtë proces dhe e rriti besueshmërinë e tij për të gjithë shqiptarët.
Kurse me marrëveshjen Rama-Basha, edhe pse humbi vetë shumë në planin taktik dhe brenda partisë, ai i dha një kontribut të madh Shqipërisë, duke themeluar plotësisht bashkë me kryeministrin, zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke hequr kriminelët nga politika dhe fushata, duke mbajtur administratën larg përdorimit politik në zgjedhje, duke na dhënë një fushatë evropiane.
Kjo sakrificë në planin partiak dhe personal, për interesin publik, duhet të jetë një meritë publike dhe një kosto për figurën dhe të ardhmen politike të Lulzim Bashës.
Për të gjitha këto arsye, Basha është figura politike më me vlerë e opozitës.
Ai ka arritur të bëjë shndërrimin gjeneracional në politikën shqiptare, ai ka arritur të imponojë një kulturë të re politike.
Si i tillë, ai është një aset për politikën dhe të djathtën shqiptare.
Madje është aseti kryesor.
Kundërshtarët e tij janë dukshëm pa vlerë.
Ata do të ishin një fat më i zi për të djathtën shqiptare.
Sigurisht ata duhet të jenë të pranishëm, duhet të kenë rolin dhe proporcionin e tyre.
Por rivalizimi me Lulzim Bashën, pasi janë përgjegjës për humbjet e të shkuarës dhe kontribues për humbjen e sotëm, është një miopi.
Dhe së fundmi, Lulzim Basha ka shumëçka për të ndryshuar në profilin dhe aksionin e tij. Sigurisht që katër vjet përvojë si lider i opozitës dhe si djalosh i ri 43-vjeçar që është, i kanë dhënë një përvojë të çmuar për të qenë i qartë dhe i vendosur në veprim; për të mos pasur ekuivoke në ideologji; për të pasur sensin e masës dhe realizmit; për të krijuar dhe rritur netuorkin; për të partnerizuar me luajalitet me partnerët kombëtarët dhe ndërkombëtarë.
Të prodhosh një lider politik nuk është e lehtë për një parti, për një krah politik, për jetën politike.
Vazhdimi i Lulzim Bashës në politikë dhe në krye të opozitës është një interes publik i dorës së parë.
Të gjithë për parim mund të fillojmë të jemi nga sot opozitarë.
Të opozitës euro-atlantike të Lulzim Bashës.
Rusmajli: Kreu i PD të dorëhiqet! Zgjidhjet për PD nuk i jep dot sot as Basha as Berisha
Zhvillimet në PD dhe të djathtës janë dramatike. Rezulton p.sh që në Gjirokastër, Skrapar dhe Berat e djathta nuk formon alternativë politike. Në Vlorë nuk prodhon alternativë politike. As në Korçë e Shkodër. Edhe imagjinata më armiqsore e PD nuk do e kish imagjinuar. Jemi përpra një situate dramatike që do reflektim të thellë dhe lëvizje të menjëhershme për të rikthyer balancën politike. Në këto zgjedhje PD nuk i shërbeu demokracisë. I duhet të rikuperojë për t’i shërbyer demokracisë. Demokracia nuk bën pa të djathtën. Bashkohem me thirrjen e Mustafajt ndaj Bashës për të marrë i vetëm përgjegjësitë dhe për të reflektuar mbi pasojat personle. Minimumi është dorëheqja e zotit Basha. Unë besoj që zgjidhjet për PD nuk i jep dot sot as Basha as Berisha. Zgjidhjet sot i jep bashkimi i të gjithë demokratëve që kanë punuar dhe punojnë për PD. Dhe demokratët nga pseudodemokratët i ndan idealizmi. Idealizmi bashkon demokratët. Si në ’97. Unë nuk besoj se PD i mungojnë personalitetet. I mungon gadishmëria për t’ju futur kësaj rruge të vështirë. Sinjali i qarte i dëshires për t’u rimëkëmbur fillon me dorëheqjen e Bashës. Teatri i ofruar në fushatë nga Basha i tipit do rifutem në zgjedhje për kryetar, nuk i hap rrugë ringritjes. Nuk duhet të kemi frikë nga dukja sikur mungojnë personalitetet. Në kohë të veshtira personalitetet kanë dalë. Pa vonesë. Nuk ka jusitifikim pritja e rezultatit. Humbja është proces dhe rezultat politik. Rezultati politik ka ndodhur. Numrimi i votave është proces administrativ.