PD refuzoi thirrjen e fundit të socialistëve për t’u ulur si të barabartë në Komisionin e Reformës Territoriale. Në kohën që PS kishte thirrur mbledhjen e komisionit, Sali Berisha tha se nuk bashkëpunon me Edi Ramën, përsa kohë bllokon drejtësinë për çështjen ”Balluku” i mblodhi në seli të vetët, nga ku njoftoi edhe planin e demokratëve. Mësohet se 9 deputetë i kanë dalë kundër Sali Berishës për bojkotin e komisioneve të posaçme, ndërsa mësohet se kreu i PD ka deklaruar që vendimarrja t’i lihet Kryesisë.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura së grupit parlamentar të PD, deputeti Tritan Shehu i ka dalë kundër Sali Berishës, i cili kërkon të vijojë bojkoti i komisioneve të posaçme, të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Shehu ka thënë se është një kohë që mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte bojkoti nuk është zgjidhja.
Edhe deputetja Ina Zhupa ka dalë kundër vendimit, ku ka kërkuar që të jenë prezent për qytetarët dhe interesin publik. Deputetja ka nënvizuar se puna e tyre do të vështirësohet nga kundërshtitë tona në komisione.
EMRAT E DEPUTETËVE QË I DOLËN KUNDËR
Arjan Ndoji
Xhelal Mziu
Oerd bylykbashi
Bledjon Nallbati – “Jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë qe Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjedhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë në përshkallëzime më të mëdha nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, tha Nallbati
Ina Zhupa – “Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre. Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave te mia dhe me thonë merrni pjese. Ju ftoj dhe te bëni një sondazh do ju dali qe thonë merrni pjese. Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete. Ne duhet të jemi shumёdimensionalë: edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat”, mësohet të ketë thënë Zhupa.
Tritan Shehu – “Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu.
Enno Bozdo – “Që ata do bejnë çfarë duan ata, ne këtë e kemi të qartë, por ne duhet të shfrytëzojmë pjesemarrjme tonë për të ‘grisur’ reformën që kanë bërë deri më sot. Kemi gjithë argumentet dhe ekspertizëm më të mirë për ta hedhur poshtë ç’ka ata kanë bërë. E dyta me rëndësi është modeli që ne propozojmë. Kjo çështje ka vëmendjen e publikut dhe të ndërkombëtarëve. Pastaj në një çast të caktuar nëse ata refuzojnë dhe ecin me kokëfortësi, ne mund të tërhiqemi”, ka deklaruar Bozdo.
Reagimi i plotë i Bujar Leskajt
Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014, për 12 vite ka dëshmuar se nuk ka prodhuar asnjë rezultat pozitiv për qeverisjen vendore dhe qytetarët. Përkundrazi, ajo ka sjellë pasoja të rënda në të gjithë territorin, duke dobësuar funksionimin e njësive administrative për shkak të mungesës së menaxhimit efikas nga bashkitë e reja. Dështimi i reformës lidhet drejtpërdrejt me defekte të thella strukturore që ishin të pranishme që në fazën e hartimit, si dhe me faktin se ndarja territoriale u konceptua mbi baza elektorale, me qëllim favorizimin elektoral të Partisë Socialiste, duke dëmtuar rëndë shërbimet për qytetarin, demokracinë vendore dhe përfaqësimin real të komuniteteve.
Rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale është sot një domosdoshmëri. Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik dhe social, si dhe me planifikime realiste që garantojnë autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Në praktikë, reforma ka dështuar në katër drejtime thelbësore: (1) nuk rriti eficiencën ekonomike të njësive vendore, (2) përqendroi pushtetin në mënyrë të tepruar te kryebashkiakët, duke cenuar decentralizimin, (3) dobësoi mekanizmat e demokracisë dhe llogaridhënies vendore, si dhe (4) nuk arriti të nxisë zhvillimin ekonomik e social apo të zbusë varfërinë. Këto pasoja e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të thellë dhe gjithëpërfshirës të reformës, të ndërtuar mbi parimet e autonomisë vendore, konsensusin politik dhe social dhe planifikime realiste, në mënyrë që të korrigjohen gabimet e së shkuarës dhe të shmanget përsëritja e një reforme të njëanshme dhe të rrezikshme.
Tre janë pikat tona të forta, si Parti Demokratike, për të vazhduar punën në Komisionin e Reformës Administrativo-Territoriale: (1) pasojat negative të reformës 2014/15, (2) nuk duhet të lejojmë një komision të njëanshëm, ashtu siç i intereson sektit Rama, (3) Partia Demokratike sot ka një produkt të vetin, me propozime konkrete në lidhje me rikonfigurimin administrativo-territorial, ndaj të cilit është punuar gjithë këto vite.
Më poshtë po rendis modestisht disa arsye pse Partia Demokratike e ka domosdoshmëri vazhdimin e punës në Komisionin e Rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale:
- Të gjithë e dimë, si teorikisht ashtu edhe praktikisht, se në të gjitha shtetet e botës reforma administrativo-territoriale kërkon një konsensus politik substancial, si dhe mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës.
- Ashtu siç është theksuar edhe nga Partia Demokratike që në procesin e realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve.
- Siç kemi denoncuar, si Parti Demokratike, gjatë këtyre viteve, ligje të caktuara të miratuara nga sekti Rama dhe ndërhyrje të pa precedenta nga Edi Rama, kanë shkelur Kartën e Autonomisë Vendore dhe decentralizimin e pushtetit vendor, duke e kthyer në shumë raste pushtetin vendor të centralizuar në duart e Edi Ramës dhe duke e shndërruar në mjet të tij.
- Në të gjitha analizat tona si opozitë, të mbështetura edhe në vlerësimet profesionale të ekspertëve dhe sekretariateve pranë Partisë Demokratike, të cilat kanë kryer një punë kolosale në drejtim të rishikimit dhe nevojës për ndryshime në këtë reformë, veçanërisht Sekretariati i Pushtetit Vendor pranë PD-së, i drejtuar nga eksperti dhe ish-kryetari i Bashkisë z.Ylli Asllani, kemi arritur në përfundimin se kjo reformë ka nevojë për një rishikim të thellë, për një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e Reformës Administrativo-Territoriale të viteve 2014/15
- Në qarkun e Vlorës, përpara 2 viteve, sëbashku me drejtues të Partisë Demokratike, kemi zhvilluar disa takime me qytetarët, ku jemi zotuar për rishikimin e reformës . Kjo reformë duhet të jetë e përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve, sepse janë pikërisht ata që çdo ditë ndiejnë dhe përballen me mangësitë e kësaj reforme të dëmshme. Nga përvoja e katër takimeve me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë kanë miratuar, mbështetur dhe mirëpritur propozimin e Partisë Demokratike për krijimin e katër bashkive të reja: Orikumit, Amantisë (Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës (Topallti).
- Reforma Territoriale-Administrative, e cila do të miratohet, është jo vetëm një sfidë, por edhe një mision. Për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe analizë të drejtë në favor të qytetarëve.
- Reforma administrativo-territoriale ka qenë kryefjala e programit tonë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, 14 majit 2023 dhe 11 majit 2025 dhe për të jemi zotuar publikisht. Prandaj, na lind detyrimi që kemi ndaj qytetarëve, që këtë reformë ta vazhdojmë, ta mbrojmë dhe ta rishikojmë me përgjegjësi, ekspertizë dhe profesionalizëm.
- Partia Demokratike ka ndërtuar një draft gjatë viteve 2022–2023 lidhur me propozimet për reformën, për të cilin janë analizuar dhe diskutuar përparësitë e tij. Rikonfigurimi në 94 (ose 97) bashki, gjithashtu dhe në 5 rajone të mëdha sipas specifikave për cdo rajon ( 1. Rajoni Veriut (Rrethet Shkodër—Lezhe- Pukë – Mirditë- Tropojë- Kukës)2. Rajoni Arbrit ( Rrethet Tiranë- Durrës- Kavajë-Krujë- Kurbin- Mat- Dibër)3. Rajoni Muzakajve ( Rrethet Fier- Lushnjë- Berat -Skrapar)4. Rajoni Kaonëve ( Rrethet Vlorë- Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë- Përmet)5. Rajoni Elbasan-Korçë (Rrethet Elbasan- Librazhd – Korçë- Pogradec- Kolonjë) do të sillte respektimin e plotë të parimeve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm brenda rajoneve, por edhe ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.Krijimi i 33 (ose 36) bashkive të reja do të ndihmonte realisht zonat dhe njësitë administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga bashkitë ku ndodhen nën juridiksion. Të 94 (ose 97) bashkitë do të kishin mundësi reale për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të ushtruar kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
- Partia Demokratike e ka një produkt të vetin në lidhje me mënyrën se si duhet të organizohet reforma e re administrativo-territoriale, të cilën e kemi bërë publike dhe pjesë integrale të programit dhe alternativës sonë qeverisëse, dhe ndaj së cilës duhet të vazhdojmë mbrojtjen dhe argumentimin që ky produkt, drafti i Partisë Demokratike për këtë reformë, të jetë pikë kyçe e diskutimeve të Komisionit përkatës.
- Propozimet tona si Parti Demokratike janë në përputhje të plotë me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore dhe ofrojnë planifikime realiste për garantimin e autonomisë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin. Për këtë arsye kemi detyrimin t’i mbrojmë dhe t’i çojmë deri në fund.
- Reforma Territoriale-Administrative është njëkohësisht sfidë dhe mision; për këtë arsye kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jo të njëanshëm, në mënyrë të tillë që të jetë në favor të qytetarëve. Si e tillë, ne si Parti Demokratike duhet të tregojmë kthjelltësi dhe pjekuri, sepse Edi Rama e rikërkon dhe do një komision të njëanshëm për ta shndërruar reformën në mekanizmin elektoral të radhës, ashtu siç bëri me reformën e vitit 2014–2015. Një veprim i tillë, mosbërja pjesë e punës së këtij Komisioni, do të na përballte me të njëjtat pasoja negative si reforma aktuale e viteve 2014–2015.
- Partia Demokratike nuk duhet të dekurajohet nga Komisioni fiktiv që u ngrit në vitin 2023, në lidhje me rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, i cili ishte një komision fals. Përkundrazi, ne duhet t’i insistojmë qëndrimit në këtë Komision. Nuk duhet të biem pre e grackës së Edi Ramës dhe provokacioneve të tij, sepse atij i intereson një Komision pa opozitën, pa Partinë Demokratike, mundësi të cilën kurrsesi nuk duhet t’ja japim. Kemi detyrimin të mos largohemi nga ky Komision.
Nëse ne, si Parti Demokratike, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari .
Kjo reformë nuk duhet të realizohet pa praninë dhe kontributin e anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët janë profesionistë të aftë dhe të respektuar. Rishikimi i saj duhet të korrigjojë gabimet e bëra në vitin 2014, në respekt të plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe për të cilën ne si Parti Demokratike e kemi detyrim dhe zotim për të vazhduar.











