Vrasja e një ish-komandanti ushtarak çeçen në gusht në Berlin, i ka hapur Moskës një tjetër betejë diplomatike si ajo me Londrën për rastin Skripal.
Rusia ka dëbuar dy diplomatë të ambasadës gjermane në Moskë, në kundërpërgjigje të dëbimit javën e kaluar të dy diplomatëve rusë nga qeveria gjermane. Punonjësit e ambasadës ruse në Berlin akuzoheshin për lidhje me vrasjen në muajin gusht të ish-komandantit çeçen Zelimkhan Khangoshvili. I dyshuar për vrasjen është një shtetas rus i arrestuar gjatë muajve të kaluar në kryeqytetin gjerman.
Presidenti rus Vladimir Putin e quajti “bandit” ish-komandantin çeçen me origjinë gjeorgjiane, pjesëmarrës në konfliktin e armatosur kundër trupave ruse në Çeçeni në vitin 2000. Por ai mohoi kategorikisht përfshirjen e Rusisë në këtë ngjarje. Ndërsa zëdhënësi i presidentit rus Dimitri Peskov, tha se dëbimi i diplomatëve gjermanë ishte masë reciprociteti. Për Berlinin, kjo masë është e pajustifikueshme.
Khangoshvili i ka shpëtuar një atentati në vitin 2015 në kryeqytetin gjeorgjian, por autoritetet gjermane nuk pranuan kërkesën e tij për azil pas kësaj ngjarjeje. /e.s/