Nga Ardit Rada
Nuk e di sepse, po sa herë që kam qejf të analizoj zhvillimet politike apo karakterin e personazheve që e kanë bërë politikën tonë dikur apo dhe tani, më vjen gjthnjë ndërmend libri i famshëm i Sabri Godos, Ali Pashë Tepelena. Nuk e mohoj dot se prej tij kam mësuar nga historia jonë apo karakteret e atyre që e kanë bërë atë, më shumë se nga gjithë historianët tanë të marrë së bashku.
Po shikoja ca ditë më parë një foto, më duket të ministres Klajda Gjosha, në një valle popullore krah për krah me kryetarin e saj Meta, dhe m’u fanit edhe një herë në mendje një nga episodet e famshme të Pashait të Janinës.
Sulltani e urdhëroi Alinë të bënte zap një kryengritje që zhvillohej në një zonë që dukej se ishte afër Stambollit. I emëruar si kryekomandant i trupave të Rumelisë apo Turqisë evropiane, Aliu u bind me përtesë, duke dyshuar si gjithnjë. E pastaj me një ushtri prej 80 mijë vetash u gjend thuajse në dyert e vetë Stambollit.
Kjo ishte një shaka me zarar për vetë Sullltanin, i cili mendoi se Aliu nuk do merrej me shtypjen e kryengritjes, por me vetë atë…
Në kohën që të tërë dridheshin në Stamboll, Aliu rrinte në çadrën e tij për kohë të tëra pa bërë gjë. Papritur në kamp filluan të dëgjoheshin edhe këngë të tipit të Marsejezës dhe të tërë e kuptuan që ato vinin prej spiunëve të Aliut që po testonin situatën…
Pas një periudhe disamujore, Veziri i Janinës u tërhoq nga çadra e tij dhe lajmëroi Sulltanin se kishte mbaruar punë me kryengritjen.
Shumica e historianëve,-thotë Sabriu,-menduan se Aliu kishte qejf ta sulmonte Stambollin, pasi nuk i gjente shpirti rehat pa u bërë Kalif i islamizmës. Një pjesë e tyremenduan se ai nuk e kishte ndërmend këtë gjë fare. Vetë Godo vendos në gojën e më të paktëve hipotezën e besueshme të dhënë këtu mëposhtë.
Përballë në Stambollin me 800 000 mijë banorë, gjendej lulja e jeniçerëve dhe fuqia ekonomike e gjysmës së botës. A mund t’i hynte ai një aventure me një ushtri të tijën të cilën shiu i parë i shtatorit ia shpërndante rrugës? Aliu u kthye në Janinë, duke prerë ca koka pashallarësh dhe duke grumbulluar ca pasuri më të mëdha se më parë dhe dha sihariqin e fitores…
Historia e mësipërme duket se ka pak gjëra të ngjashme me kohën e tanishme dhe unë vetë nuk kam ndërmend të heq ndonjë paralele të tipit letrar alla Kadare, që po ashtu si plaku Godo, i shpinte ngjarjet larg në kohë dhe në hapësirë për të analizuar të tashmen.
A mund të përplaset dot LSI me PS dhe a mund të ndodhë vërtet që në këtë rrëmujë politike të ketë vërtet shanse që të plotësojnë dëshirën e Klajdës për të parë Metën kryeministër?
Nuk kam pasur asnjëherë iluzione dhe nuk do të kem asnjëherë, se të tria partitë e mëdha këtu, pavarësisht emrave që i vënë vetes, janë të majta të ardhura në origjinën e tyre nga Partia e Punës. PD e kopjoi keq atë, megjithëse kishte shanse të riformulonte një politikë të re, e cila mund ta nxirrte realisht një forcë të tipit tjetër. Është temë e një shkrimi tjetër pse nuk mundi Berisha ta bënte këtë lloj reformimi. Tani është vonë dhe pavarësisht thirrjeve të pasuesit të tij për një Republikë të re, këtë e besojnë pak njerëz, për të mos thënë as vetë pasuesi i tij, Basha.
Partia socialiste e Nanos, që trashëgoi vulën e partisë së vjetër dhe mëkatet e saj, u soll me njëfarë turpi kohët e para, për shkak të së kaluarës së Partisë së Punës. Ndërkaq dembelizmi tipik mendor i Nanos dhe veçanërisht kasaphana e tmerrshme e vitit ‘97, e bindën atë dhe vetë PS- në se Berisha nuk mund të kthehej më kurrë. E gjithë kjo çoi në zhvillime që merituan fjalën e njohur të Dritëroit, që e emëroi periudhën e Nanos me fjalën e njohur « shkërdhatokraci ».
Filloi realisht edhe dekompozimi i vetë PS-së, produkti i së cilës, në fund të fundit, shpuri në formimin e LSI-së së sotme.
U duk se kjo parti e re do të vazhdonte atë pjesë të traditës së Partisë së Punës veçanërisht në lidhje me gjykimin ndaj luftës së dytë, veteranëve etj., etj.
Nuk kam pasur dhe nuk kam dyshim se nëse në PS nuk do të vinte Rama, do të kishim zhvillime të një lloji tjetër, sepse rikrijimi i tipareve të partisë së vjetër, referuar një teze të dialektikës së Hegelit do të kthehesh nga tragjedia në komedi…
Në një pamje tjetër, pavarësisht talentit politik natyral të Metës, LSI-ja e tij nuk do ta kalonte shumë PSD-në e vjetër të Gjinushit e cila varej në rezulatet e saj nga humori i Nanos…
Është ndryshimi i sistemit zgjedhor në 2008, ai që praktikisht e mbajti në këmbë LSI-në, pavarësisht kundërshtimit të fortë që i bëri këtij sistemi vetë kryetari saj. I provuar në praktikë në 2009, ku LSI, u gjend në fije të perit për të hyrë në parlament, ky sistem zgjedhor e shnëdrroi atë rastësisht në një forcë që dukej se kishte kyçin e artë për të mbajtur stabilitetin. Berisha e përkrahu sistemin e ri zgjedhor, me idenë se edhe sikur të « dyja gjysmat e mollës » të bashkoheshin (pra PS dhe LSI) ato nuk e bënin dot më të tërën. Atë lloj të tëre që gjithnjë e bashkuar kishte vota më shumë se PD.
U duk se ai kishte të drejtë në 2009. PD mori 70 deputetë, PS mori 66 dhe LSI vetëm 4, por u bë njëkohësisht edhe kyçi i artë i zgjedhjeve që përcaktonte fituesin.
Ky përfundim shpuri në idenë se LSI-ja do të mbetej kështu kyçi në të gjitha rastet, apo derisa të mbahej në këmbë sistemi i tanishëm zgjedhor.
Në një vështrim të ftohtë analisti, në realitet, PS i kishte fituar edhe zgjedhjet e 2009. Në 6 nga 12 qarqet, nëse ajo do të merrte 0,2 përqind më shumë vota, do të kishte 6 deputetë më shumë. Në një vend jo si yni, por edhe në Amerikë nuk mund të kërkosh pasaktësi në shifra të tilla, andaj duhet t’i nënshtroheshe fatit…
Zgjedhjet e 2013-s, forcuan idenë se e majta e bashkuar do të fitonte lehtë, çka dhe ndodhi. Shumica mendoi se kësaj radhe Rama korrigjoi gabimet e së kaluarës që çuan në ndarjen e njohur. Vetë mendoj se pa ndodhur ky bashkim, nuk mund të bëheshin reformat e mëdha që u bënë këto katër vjet, por asgjë më shumë se kaq.
A është forcuar aq shumë LSI-ja, sa në një përplasje me PS të kemi prapë skenarët e të kaluarës?
Unë mendoj se jo. Pavarësisht se LSI, duket një parti më e organizuar edhe se vetë PS, ajo është prapë në thelbin e saj apo në anëtarësinë e saj, një pjesë e thjeshtë e PS-së, apo pjesa më pragmatike e saj. Në një konfrontim të drejpërdrejë midis tyre, padyshim që pjesa më e rëndësishme e saj, do t’i drejtohej origjinës. Në një lojë si të maces me miun, në dy vjetët e fundit, Rama nuk dha asnjë shenjë nervoziteti ndaj partnerit, të paktën në publik. E bëri për interesa të partisë së tij, apo për interesa të reformave, këtë nuk mund ta thotë njeri me saktësi, por kështu ndodhi realisht.
Vetë PD ka pasur shpesh iluzionin e çarjes midis dy të majtëve, çka nuk ndodhi. Po edhe po të ndodhte, si mund ta shfrytëzonte PD këtë ndarje?
Nuk kam pasur ndonjëherë dyshim se PD-ja, do të mund të bënte koalicion me LSI-në para zgjedhjeve. Kjo për një arsye të thjeshtë. Numri më i madh i votave gjendet në fshat dhe një parti pragmatiste si LSI mund të merrte veç votave të veta dhe ato të PD-së së fshatit, që do t’i bashkoheshin kësaj partie pa i vrarë ndërgjegjja shumë. Fundja, njëherë kishin qenë në koalicion me të dhe nuk kishin pse të emëroheshin tradhtarë të kauzës… Pra mund të kishte në fund të procesit një LSI më të madhe se vetë PD.
Këtë skenar, me një ndryshim të vogël rolesh, pata rast ta vë re në zgjedhjet lokale të Beratit në 2015. Në qytet, PS-ja nuk e ndihmoi LSI-në, dhe PD papritur u duk si fiuese, por në numërimin e votave në fshat mbasditen e zgjedhjeve, raporti u kthye përsëri.
Po a mund të zgjedhë LSI të dalë e vetme?
Shumë nga analistët mendojnë se kjo është rruga e vetme e saj? Vetë mendoj se kjo mundësi është shumë e vogël. Në lojën e sotme politike ka hyrë, veç të tjerave Vetingu dhe duket se pas PD-së është LSI-ja, ajo që nuk e ka qejf shumë historinë e tij. Vajtje-ardhjet e Metës në Amerikë nuk e forcuan rolin e tij. Megjithëse qetësinë e njohur këto katër vjet, frazat e tij kundër ambasadorit amerikan në një nga televizionet kryesore treguan dhe tregojnë një diçka të keqe në horizont.
Po në të njëjtin kuadër mund të gjykohen edhe deklaratat e ministrit të drejtësisë së LSI…
Natyrisht që ndërkombëtarët e kanë kuptuar qartë se partia e vetme, qoftë edhe pa dëshirë që është reshtuar pa ekuivoke pro vetingut, është PS dhe Rama.
Po nuk është vetëm kaq. Megjithë korrupsionin apo dështimet e qeverisë në sektorë të caktuar, shumica e popullit e kupton se rruga e vetme është ajo e të bërit shtet. Dhe në këtë pikë Rama është treguar më konsekuenti. Të prishësh 10000 shtëpi apo mijëra dyqane, të ndërmarrësh goditje të tilla për energjinë, të heqësh pa mëshirë 10 përqind të efektivit të policisë, të likuidosh shumë ish-qehallarë bashkish me reformën territoriale, të bësh moratoriume për pyje, etj., dhe prapë të kesh simpatinë e një pjese të madhe të popullit, kjo ka vetëm një shpjegim. Është dëshira që më në fund këtu të mbajë era shtet…
Po le të kthehemi prapë te historia e Godos së vjetër.
Aliu mund ta ëndërrojë Stambollin, por atje gjendet lulja e e jeniçerëve, që në gjuhën e sotme do të thotë : PS e ka gjetur udhëheqësin e saj dhe kësaj radhe, edhe në rast se do të përplaset me një pjesë të vjetër të saj, e di se ku të vejë fitorja.
Në këtë sens, mendoj se pavarësisht taktikave të vogla që mund të shohim rrugës, LSI ka vetëm një rrugë, e cila në të gjitha rastet është ajo e aleancës me partinë nga rrjedh. Mund edhe të presë derisa ta zyrtarizojë këtë zgjedhje, me shpresë se mund ta trembë udhëheqjen e vjetër dhe në këtë rast të marrë më shumë se ka marrë po vetëm kaq.
Lexuesi të më falë për këto lloj paralelizmash,por unë kështu i gjykoj partitë këtu tek ne dhe nuk më interesojnë personazhet apo fatet e tyre. Pres me shpresë si të tjerët që, më në fund, të dalim nga periudha e feudalizmit që gabimisht e quajmë tranzicion.