Një ditë pas aksidentit tragjik me dy të vdekur në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet janë zbardhur pjesë nga dëshmia e dy drejtuesve të mjeteve, Edmond Murati dhe Etjon Lazri , që u arrestuan fill pas ngjarjes.
Nga testi që iu bë ka rezultuar se nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa vijojnë hetimet.
“Nuk e dimë si ndodhi, pamë vetëm kur u përplasëm”, mësohet se kanë thënë dy shoferët e arrestuar.
Ndërsa Etjon Lazri ka deklaruar se “Edhe pse isha me shpejtësi, tentova që të ndaloj, por për shkak të shpejtësisë erdhi edhe përplasja”.
Por si ndodhi aksidenti?
Dje rreth orës 15:15, Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe Hidajete Salliu, e cila po shkonte tek djali për drekë, ishin duke ecur në trotuar pranë vijave të bardha kur u përplasën nga njëra prej makinave dhe si pasojë humbën jetën.
Në aksident u përfshinë “Volkswagen New Beatle” ngjyrë gri me targa “AA 544 SX” që drejtohej nga Etjon Lazri që po lëvizte me shpejtësi tej normave, duke përplasur “Golfin” ngjyrë blu me targa “AA 758 YZ” me drejtues Edmond Muratin që po tentonte të futej në majtas rrugës.
Nga shpejtësia si pasojë e përplasjes së “Golfit”, “Volkswageni New Beatle” përfundoi jashtë rrugës duke përplasur për vdekje 36-vjeçarin dhe 72-vjeçaren. /e.s/











