Nga Sidi Hasanaj
Në vend që të shfaqen si njerëz me mendje të kthjellët dhe qëllime të qarts për të gjetur formulën të rrëzojmë Edi Ramën, PD, Dr.Berisha dhe eksponentët e saj duken më shumë si një zë i mbytur në labirintin e vet të iluzioneve politike, një zë që gërvisht ajrin e mendimit me fjalë pa peshë.
Me një fjalor të zbehtë e konsumuar, dhe një logjikë të deformuar, ata përpiqen t’i japin legjitimitet një pretendimi që prej kohësh po merr si përgjigje të hidhur por edhe të qartë Dyert e mbyllura të perëndimit.
Por mqs ditët e fundit kanë filluar përsëri simfoninë me nota justifikimi dhe manipulimi mediatik e “soros na shpalli nongrata” , mbase duhet bërë një fact-check tjetër.
A është Nongrata ndaj Berishës lobim i Xhorxh dhe Aleks Soros?
Deri më tani që flasim, një e vërtetë absolute qëndron: qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Berishës nuk ka luhatur asnjë grimë.
Deklaratat e përsëritura të Departamentit të Shtetit, fjalët e ambasadores, takimet e shpeshta të zyrtarëve amerikanë me mazhorancën dhe opozitën duke përjashtuar kategorikisht Berishën, janë prova e një narrative të qëndrueshme dhe të planifikuar, jo një aksident i kohës apo i dëshirës së Xhorxh Soros apo Edi Ramës.
Por le ti marrim ne radhë pretendimet e PD dhe ti përballim me faktet:
1.Raporti i ri i DASH dhe mbajta përsëri në fuqi e statusit “non-grata”:
Raporti i fundit i DASH, përfshirë pjesën e marsit 2025, rikonfirmon statusin “non-grata” të Berishës dhe evidenton hetimet e SPAK. DASH mbështet eficencën e SPAK në sekuestrimin e pasurive, si në rastin e Berishës, ashtu edhe të aseteve të krimit. Deri këtu jemi në suazën e fakteve, të shkruara në fokumente zyrtare si ai i raportit të DASH, por le të bëjmë një arsyetim të thjeshtë:
Nëse kjo shpallje do të ishte thjesht lojë politike e ndyrë e Sorosit dhe Edi Ramës, si mundet të pasqyrohej në një raport zyrtar të një administrate republikane? Si mundet që sekretari i shtetit Amerikan Marco Rubio ta firmoste dy herë: në Mars dhe 12Gusht??
E kuptoj që aty ku ka qartësi diplomatike, kërkohet të bëhet tym me retorikë provinciale:
2.Ngrenë justifikimin qesharak se raporti është hartuar nga administrata Biden dhe nuk ka pasur kohë administrata Trump ta rishikonte.
Të dashur miq, kjo bie poshtë përballë faktit se dokumenti u verifikua dhe u publikua pa asnjë ndryshim nga Marsi në Gusht, me vulën dhe firmën e M.Rubios!
Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit funksionojnë në nivele të shumëfishta, me struktura të posaçme që trajtojnë korrupsionin dhe sanksionet, të pavarura nga krizat globale. Heqja e një “non-grata” është e thjeshtë, nuk kërkon mbledhje të Këshillit të Sigurimit apo konsultime me NATO-n. Nëse Trump do të kishte menduar se Berisha është viktimë e Sorosit, do ta kishte hequr menjëherë. Nuk e bëri edhe pse kompani lobimi si dhe LaCivita u pajtuan me qindra mijëra euro për të asistuar heqjen e saj. Pra, Berisha nuk është viktimë e Soros, por subjekt real i një politike amerikane anti-korrupsion.
3. Ngrihet argumenti “nuk kanë kohë për Shqipërinë tani që kanë luftën me Rusinë dhe Palestinën.
Argumenti se “nuk kanë kohë për mua” është absurd. Departamenti i Shtetit ka struktura të posaçme për vendet si Shqipëria, që funksionojnë pavarësisht krizave globale. SHBA ka shpallur non-grata politikanë në Afrikë dhe Amerikën Latine në kulmin e luftës në Irak. Heqja e non-gratës është thjesht çështje vullneti: mjafton një vendim i Sekretarit të Shtetit. Trump nuk e mori këtë vendim, ky është fakt tjetër.
“Mos pasja e kohës” nuk është kriter juridik apo diplomatik për të shqyrtuar një “non grata”. Nëse vendimi i DASH për Berishën ishte i bazuar mbi korrupsion të madh dhe cenim të demokracisë, atëherë çështja nuk është “periferike”, por e integruar në vetë strategjinë e SHBA për Ballkanin.
Pra, një ndryshim administrate nuk anulon dot bazën ligjore të një vendimi të marrë nga Departamenti i Shtetit dhe nga ana tjetër e ka detyrë të verifikojë nëse Blinken e ka shkelur këtë bazë ligjore në rastin e S.Berishës. Kjo është një vulë e padiskutueshme legjitimiteti.
4. Diplomacia amerikane në Tiranë ka folur qartë në 7muajt e drejtuar nga Presidenti Donald Trump:
Ambasada amerikane takon Ramën dhe opozitarë të tjerë deputetë të PD, por kurrë Berishën. Ky është sinjal i qartë diplomatik: SHBA nuk e njeh si bashkëbisedues legjitim. Për një lider që pretendon të udhëheqë opozitën, ky izolim është fatal. Përsëri jemi në fakte, jo supozime.
5. Reforma në drejtësi dhe financimet amerikane!
Trump dje paraqiti para mediave se administrata e tij këto 7muaj ka anuluar 4.9 miliardë dollarë për organizata ndërkombëtare (linjë anti-Soros), por njëkohësisht financoi SPAK-un dhe GJKKO-në. Çdo dollar kaloi në skrutinim të rreptë, anembanë globit, por fondet e Amerikës për SPAk morrën dritën jeshile nga Trump. Përsëri këtu jemi në fakte.
Tani le të analizojmë pak, vërtet mendon njeri se nëse reforma do të ishte thjesht projekt i Sorosit, nuk do të ishte bllokuar nga Trump financimi i saj?
Fakti që e financoi përsëri tregon se SHBA e sheh SPAK-un si mjet të luftës kundër korrupsionit, jo si vegël të Sorosit.
6. Logjika politike se përse Trump sulmon Soros
Unë jam nga ata që mendoj se Soros është mishërimi i të keqes, dhe lufta e tij është shumë e komplikuar. Ai kërkon të çojë Perëndimin në konflikt social me valët e emigrantëve nga lindja e mesme, të përplasë kulturat dhe të lind kaosi dhe konflikti social. Në këtë mënyrë ai spekullon në bursa dhe blen e shet aksione dhe letra me vlerë të shteteve Perçndimore në mënyrën më fitimprurëse, me kosto të mëdha për perëndimin. Këtu është lufta e Trunp me demonin Soros.
Por ku hyn Berisha në këtë konflikt?! E më pas nëse Soros do të kishte shpallur non-gratën e Berishës, Trump do ta kishte hequr menjëherë si kundërgoditje politike. Nëse raporti i DASH ishte produkt i Sorosit, administrata Trump nuk do e kishte publikuar por do e nxirrte Berishën si aleat të tyre në Europë. Asnjë nga këto nuk ndodhi.
7. Argumenti i “ndërhyrjes së brendshme”
Kush sugjeron se shpallja “non grata” është një lloj ndërhyrjeje në politikën e brendshme shqiptare, ka probleme të mëdha me logjikën.
Në fakt, shpallja “non grata” nuk është ndërhyrje politike, por një akt sovran diplomatik i një shteti që vendos kush hyn e kush jo në territorin e tij. Ky akt është universal, i aplikuar ndaj qindra individëve në botë, nga Amerika Latine deri në Evropë, dhe nuk është ekskluzivitet i Shqipërisë.
E në fund argumenti i “dy standardeve”!
Disa mendojnë se SHBA bën dallime mes Ramës dhe Berishës, duke e mbrojtur njërin dhe goditur tjetrin.
Po si mund të shihet si lojë privinciale në kafen e fshatit mes bujkut dhe dy lopëve të tij te të cilat po bën dallime?!
SHBA nuk funksionon mbi bazën e “një politikani kundër tjetrit”. Rasti i Berishës është unik, sepse ai është i pari dhe i vetmi ish-president e ish-kryeministër shqiptar që shpallet non grata. Kjo flet për gravitetin e akuzave, jo për ndonjë “pëlqim” ndaj Ramës. Sepse nongrata nuk u shpall as Nano, as Ilir Meta, askush ish kryeministër tjetër!
Në fund, përballë sofizmave dhe fjalëve të zbrazëta, qëndron një fakt i pakundërshtueshëm: Berisha është i shpallur Nongrata dhe me aprovimin e Administratës Trump. Kush përpiqet të na bindë për të kundërtën, vetëm sa demonstron varfërinë e mendimit të vet, por me kosto të madhe për Opozitën!
Njerëzit që votuan Berishën në 11Maji, e bënë me ndërgjegjien e plotë të nongratës së tij. Nëse fokusi është rrëzimi i Edi Ramës, nuk ka më sens lufta donkishioteske për të mbuluar Diellin me shosh me nongratën e Berishës.
Non-grata nuk është hije që ikën me ndryshimin e diellit politik, por është një vulë që i reziston kohës dhe administratave.











