Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku doli para mediave duke thënë se Përparim Rama do të jetë kryetari i ri i komunës së Prishtinës. Në një konferencë për media, Abdixhiku ia ka uruar fitoren Ramës.
“Do të qeverisim në Prishtinë me plot kujdes. Përparimi me ekipin e tij, do të shërbejë si një kryetar për të gjithë”, – tha Abdixhiku.
Në bazë të rezultateve zyrtare të KQZ-së deri tani janë numëruar 95.3% të votave.
Përparim Rama ka 50,84% të votave ndërsa rivali i tij i vetëvendosjes Arben Vitia ka 49,16% të votave.
***
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Prishtinës, Arben Vitia e ka pranuar humbjen e garës në kryeqytet.
Derisa janë numëruar mbi 98 për qind të votave nga rundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën në Prishtinë e ka fituar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama me 51 për qind.
Në një konferencë për media, Përparim Rama u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës. “Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.
Në anën tjetër, në konferencë për media, kandidati i LVV-së, Arben Vitia i ka uruar fitoren Ramës duke elaboruar edhe arsyet pse mendon se i ka humbur këto zgjedhje,
“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, tha ai.
Në raundin e balotazhit të mbajtur më 14 nëntor, dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.
Pas shpalljes së rezultateve preeliminare, në ditët në vazhdim pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat që erdhën prej jashtë vendit.
Raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.
/a.r











