Kandidatja e PS-së Mirela Kumbaro ka zhvilluar një seri takimesh në punishtet e glikove në Përmet. Ajo ka dëgjuar nga afër kërkesat e tyre për më shumë mbështetje nga shteti si dhe për përfitimet e subvencioneve dhe grantet e shtetit për bizneset e vogla agroushqimore.
“Tre herë kam aplikuar deri më sot tek AZHBR, por asnjëherë nuk më është aprovuar. Gjithë jetën time kam punuar me mish e me shpirt dhe gjithçka e kam investuar këtu. Të gjitha këto gra punojnë me mish e me shpirt. Por jemi të kënaqur sepse ne i shikojmë të gjitha zhvillimet që ka patur Përmeti dhe e vetmja porosi e jona është të ktheni kokën nga biznesi i vogël, sidomos nga biznesi i grave, -pohoi Eftalia, një nga sipërmarrëset e punishteve ku bëhen glikot.
Në vizitën e saj Kumbaro tha se mungesa e një vizioni për të kthyer vëmendjen dhe investimet nga pasuritë e qytetit, ka sjellë një gjendje harrese, teksa shtoi se e ardhmja e Përmetit është agroturizmi.
“Përmeti ka kaq shumë gjëra të mira, saqë me pasuritë dhe me njerëzit që ka, duhet të ishte sot i pari dhe me ekonomi më të fortë e duhet të jetonte vetëm me burimet e veta e mos të kishte asnjë të papunë. Nuk gjen zonë si Përmeti ku të jetë edhe natyra, edhe uji, edhe pyjet, edhe historia e kultura, por sidomos tradita e të gatuarit siç është në Përmet, që nuk e gjen askund tjetër. Ajo që ka munguar në 25 vjet, është vizioni se si të lidhen të gjitha këto për të bërë agroturizëm. Duam që punët që po bëjmë në qendër të qytetit, në mandatin e dytë t’i bëjmë në çdo fshat. Gjithë ideja është që dy potencialet e mëdha që ka Përmeti, bujqësinë dhe turizmin t’i kthejmë në një agroturizëm shumë të veçantë. Nëse do të kishin filluar këtë program që kemi tani, Qendrën Historike të Përmetit, agroturizmin, etj ne do të ishim sot si qytetet e fshtarat e bukura të Italisë që mbahen vetëm me turizëm dhe vetëm me forcat e tyre – tha Kumbaro.
Kandidatja socialsite ka sjellë në vëmendje funksionimin e deridjeshëm në dogana, që bazohej totalisht mbi korrupsionin dhe mungesën e theksuar të kontrollit të shtetit, çka dëmtonte drejtpërdrejt ekonominë dhe biznesin e vogël lokal. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit shtoi Kumbaro, janë faktorë ndikues në rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e biznesit.
“Katër vjet përpara dogana nuk kishte kontroll, nuk paguanin doganë, por bakshish në xhep policit dhe shkonin e kalonin kamionët. Por kjo dëmtonte fermerët dhe punonjësit që punonin aty. Tani që kemi vënë kontrollin e doganave dhe ky është programi që kemi zbatuar, kemi vënë shtet, bëjmë kontrollin e doganave dhe të gjithë ata nuk e blejnë më rrushin në Maqedoni, por e blejnë në Përmet, që do të thotë se të gjithë fermerët që prodhojnë rrush e kanë tani tregun të siguruar. Por nëse fermeri di ku ta shesë rrushin, do të marrë edhe ai njerëz të tjerë në punë se shton prodhimin – shtoi Kumbaro gjatë takimit ë saj me sipërmarrësit e punishteve tradicionale, ku u ndal edhe në një prej baxhove të qytetit.