Reshjet e dendura të shiut dhe vërshimi i ujërave kanë shkaktuar probleme edhe në tokat bujqësore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Andis Salla, në një komunikim me “Money Report” në ABC News u shpreh se ekipet e punës janë në terren dhe po punojnë për përballimin e situatës.
Ai theksoi se hidrovorët dhe kanalet kulluese kanë qenë në funksion të plotë, por prurjet kanë qenë të shumta.
“Do bëjmë ndërhyrjet e nevojshme. Jemi në terren së bashku me ekipin e Ministrisë së Bujqësisë, Emergjencat Civile.
Në tokat bujqësore jemi duke ndërhyrë në disa argjinatura dhe në disa kanale kulluese.
Hidorvorët janë në kapacitet të plotë, kanë funksionuar gjatë gjithë kohës për thithjen e ujit. Po monitorojmë situatën në terren”, tha ai. Ai theksoi se pas qetësimit të situatës do të verifikohen edhe dëmet në terren.
“Kanë qenë në pastrim nga bordet e kullimit, por reshjet kanë bërë që disa kanale të dalin nga shtrati.
Ne jemi në fazën e përballimit të situatës, pastaj do evidentojmë dëmet e shkaktuara ndaj bujqësisë.
Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë janë në terren për të përballuar situatën dhe pasi të tërhiqen ujërat do të shikojmë pasojat”, tha ai.











