Ministrja Kushi tha se Dita e Verës karakterizohet nga mikëpritja dhe qytetaria dhe pikërisht këto dy vlera u njollosën ditën e djeshme nga politika.
Sipas saj, tensioni u provokua nga opozita, ndërsa shtoi se nuk njeh asnjë nga personat që opozita i nxori në një video, duke thënë se ishin të përfshirë në përleshje si mbështetës të PS.
“Kjo është një ngjarje që për herë të parë ndodhi pas kaq shumë vitesh. Kam lindur e jam rritur në atë qytet dhe për ne Dita e Verës është festa më popullore, më e bukur, më tradicionale, që i bashkon njerëzit pavarësisht bindjeve fetare e politike. Ajo që e karakterizon këtë festë është mikëpritja dhe qytetaria dhe pikërisht këto dyja u njollosën dje. Nuk ka ndodhur me sa mbaj mend që një forcë politike të njollosë festën. Edhe qytetarët e Elbasanit kanë mbetur shumë të indinjuar nga kjo ngjarje, sepse është njollosur festa jonë më e bukur. Kjo ngjarje ishte shumë e shëmtuar dhe nuk ka ndodhur asnjëherë. Festa e Ditës së Verës i bashkon njerëzit, nuk i ndan. Ne mirëpresim jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt. Nuk ishin vetëm thirrje “Rama ik”, por edhe fyerje, sharje, shenja të tjera provokim. Është e qartë që Lulzim Basha dje në Elbasan ka ardhur me një agjendë politike, se edhe takimet që zhvilloi ishin të tilla, gjë që nuk ka ndodhur më parë që të ketë takime të karakterit politik”, tha Kushi.
Kjo është një çështje që duhet hetuar dhe parë konkretisht se cfarë ndodhi gjatë përleshjeve, se në fillim ne pamë vetëm thirrje e fyerje. Ama dhe mënyra se si erdhi dje Lulzim Basha me një autokolonë të gjatë, me shumë njerëz, duke thyer të gjitha rregullat e protokollit anti-Covid ishte jonormale, që kohët e fundit nuk e kemi parë. Ne dyshojmë që ishte gjithçka e orkestruar.
Në videon që nxjerr PD ka fytyra dhe emra konkretë në përplasje? Këta janë mbështetësit dhe votuesit e PS në Elbasan?
Unë personalisht nuk njoh asnjë nga ata, përvec z.Xhovani, që ka qenë pjesë e LSI. Askënd nga të tjerët unë nuk njoha. Asnjëri prej tyre nuk është anëtar i PS. Ngjarja duhet të hetohet, nuk e kam idenë si kanë ndodhur përleshjet, por ju siguroj se njerëzit që dalin në video nuk janë pjesë e PS. Këta njerëz nuk i kam parë asnjëherë.
Këta njerëz janë përballur si tifozët e PS…
Nuk dua të gjykoj asnjë nga personat e paraqitur në video. Nuk i di lidhjet e tyre me krimin, kjo gjë duhet të verifikohet. Duhet ta hetojmë se cfarë ka ndodhur konkretisht, sepse ne nuk kemi nxjerrë njerëz aty për të na mbështetur apo mbrojtur. Ata mund të kenë qenë qytetarë, simpatizantë të PS dhe kryeministrit. Kjo është një ngjarje që duhet të hetohet, edhe përfshirja e këtyre personave.
Ju distancoheni nga këta njerëz?
Unë dhe PS gjithmonë distancohemi nga aktet e dhunës. Ne nuk jemi asnjëherë për dhunën, ne jemi për paqe. Këto lloj ngjarjesh janë të shëmtuara dhe ne distancohemi.
Në lista ka emra me dritëhijet në të shkuarën, pse ky lloj problemi edhe në listën tuaj?
Nuk do ta pranoja që janë futur gra e vajza të reja në listat e PS për t’iu hedhur hi syve njerëzve. Për ata që njerëz që mendojnë se kjo është për të hedhur hi syve, përgjigjja ime është se kjo nuk po ndodh për herë të parë. Ju e dini se PS ka më shumë gra se burra. Ky është një qëndrim i njohur dhe konsistent i PS në mbështetje të grave dhe vajzave. Sa i përket listave, në dijeninë time nuk njoh asnjë emër në listat e PS të jetë me probleme. Ligji në Shqipëri është shumë i qartë në këtë aspekt. Ne nuk i mbështesim asnjëherë individët që kanë histori kriminale apo problematika në të shkuarën. Rastet që mund të kenë ndodhur nuk kanë qenë në dijeninë tonë, por në momentin që i kemi mësuar, jemi distancuar.
Cfarë mesazhi do të përcillni?
Ju kërkoj të gjitha forcave politike të bëjnë takime, por pa shkaktuar tensione dhe situata të tilla. Për ne 25 prilli është shumë i rëndësishëm. Ne do bëjmë maksimumin që të mos përfshihemi në sherre të tilla, por as të mos provokohemi. Toleranca, paqja, mirëkuptimi janë shumë të rëndësishme dhe ne jemi për një fushatë të qetë. Zgjedhja e qytetarëve duhet të jetë e lirë, pa u provokuar.