Nuk ka të ndalur dhuna në ligën franceze. Një tjetër ngjarje e shëmtuar është regjistruar mbrëmjen e të shtunës në derbin Lens-Lilë.
Dy skuadra që njihen për rivalitetin e tyre në fushë nuk kanë shpëtuar edhe këtë ndeshje pa përplasje të forta e deri në dhunë fizike mes tifozëve.
Nga ato çfarë raportojnë mediat, thuhet se ka pasur afro 100 persona të plagosur, por për fatin e mirë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Në fillimin e pjesës së dytë, pas shumë provokimeve të njëpasnjëshme, ishin tifozët vendas që hynë në fushë dhe u drejtuan nga zona ku qëndronin tifozët e skuadrës kundërshtare.
I menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve që shpërndanë turmën dhe arrestuan disa persona. Për këtë arsye, pjesa e dytë e derbit verior u shty për afro 90 minuta, ndërsa në fund një gol i vetëm i dha fitoren Lens.
Skena tilla janë shfaqur edhe më herët në futbollin francez si në sfidën Nice-Marseje në fillim të sezonit.
/a.r