Sëmundja e rrezikshme që është shfaqur tek gjedhët ka prekur pothuajse të gjithë qarkun e Dibrës. Deri tani raportohet të jetë rreth 120 raste të dyshuara të gjedhëve të cilat mbajnë shenjat e sëmundjes Dermatoza Nodulare.
Mjeku veteriner pranë Drejtorisë së Bujqësisë Dibër, Selman Kurti tha se rastet po shtohen përditë, ndonëse ka nisur fushata e vaksinimit. Janë 36 familje të cilat janë prekur nga kjo sëmundje ku numri në total i lopëve dhe viçave të infektuar shkon në rreth 120. Ndonëse sëmundja e gjuhës blu ishte në zonat fushore, Dermatoza Nodulare ka prekur zonat malore.
Që nga data 15 Korrik është ndaluar prerja e gjedhëve si dhe shtegtimi i tyre nga një zonë në tjetrën, pasi infeksioni përhapet nga kafsha në kafshë.
Specialistët e Bujqësisë vazhdojnë të këshillojnë fermerët që të bëjnë kujdes me ekspozimin e kafshëve gjatë temperaturave të larta pasi në atë kohë veprojnë insektet që injektojnë sëmundjen.
Nëse nuk merren masa për vaksinimin e gjedhëve, që sipas mjekut specialist vaksinat nuk janë të mjaftueshme, shkaktohet dëm i madh ekonomik tek fermerët pasi pasuria e vetme e tyre është Lopa./BW/a.m.